Maqedonia pritet të marrë raport sinjale negative përmes raportit të progresit të Komisionit Evropian (KE).
Një diplomat evroperëndimor në Shkup i tha agjencisë së lajmeve INA se gjasat janë për një raport negativ të progresit për Maqedoninë, për shkak të shumë problemeve dhe faktorëve që po përballet vendi.
“Tensionet politike dhe provokimi i tyre ndëretnike, mungesa e dialogut politik, reformave, mospërmbushja e detyrimeve të Marrëveshjes së Ohrit, problemet dhe kontestet me fqinjët si Greqinë dhe Bullgarinë janë disa nga çështjet kyçe që vendi do të marrë sinjalin negativ nga Komisioni Evropian, në raportin e progresit që do të shpallet muajin e ardhshëm”, theksoi për INA, diplomati evroperëndimor.
Raportet me Sofjen janë problem i ri që tashmë ka marrë përmasa të mëdha në Bashkimin Evropian. Shkupi zyrtar nuk njeh komunitetin bullgar dhe se janë shprehur shqetësime për ushtrimin e presioneve ndaj atyre shtetasve të Maqedonisë që deklarohen me origjinë bullgare dhe që synojnë legalizimin e të drejtave të tyre përmes shoqatave dhe partive politike. Ky shqetësim i është shprehur edhe raportuesit të Parlamentit Evropian, Richard Hovit, i cili sot do të zhvillojë takime me Qendrën Kulturore Bullgare në Shkup, në një takim me pjesëtar të komunitetit bullgar në Maqedoni.
Në shënjestër të kritikave nga Brukseli janë politikat dhe qasjet e kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili vlerësohet si një faktor nxitës për tensionimin e raporteve ndëretnike, kryesisht në relacionet me shqiptarët dhe çështjet e tyre.
Evrokomisioneri për zgjerim Shtefan Fyle gjatë vizitës së tij në Shkup shprehu shqetësime sipërfaqësore lidhur me ecurinë e vendit në planin politik dhe ekonomik, duke nënvizuar krizën politike në vend dhe rënien e trendeve ekonomike.
Në raportin e progresit do të jepen vlerësime pozitive lidhur me progresin e arritur në disa fusha, që deri tani në raportet e mëparshme kanë marrë vlerësime pozitive.
Rezultati i raportit të progresit do të jetë faktori kyç që do të çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. (INA)/kohaislame