-0.5 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Shqiptari i Kosovës thotë se ishte spiun i CIA-s: Jam infiltruar si xhihadist, jepja informata për terrorizmin

Më të lexuarat

Ai u arrestua në muajin shkurt të këtij viti, sapo hyri në një metro në Bruklin të SHBA-ve, ku u kap duke përdorur një kartë studentore. Blerim Skoro, shqiptar i Kosovës, për shkak të një gabimi tani rrezikon që të dëbohet nga vendi. New York Times i ka kushtuar një artikull historisë së tij.

“Unë kam punuar për Qeverinë e SHBA-ve. Isha trajnuar për Washingtonin; kam qenë spiun”, thotë ai.

Shqiptari i druhet faktit që të kthehet në Kosovë.
45-vjeçari u arrestua në SHBA në vitin 2000, për drogë, dhe u dënua me shtatë vite burg. Pas 11 shtatorit 2001, ai nisi të bashkëpunonte me autoritetet: u bë informator i tyre dhe nga burgu jepte informacione për të burgosurit e tjerë që kishin lidhje me terrorizmin.

Pasi doli nga burgu, u transferua në një shtet tjetër duke punuar si informator i SHBA-ve.

Në vitin 2010, CIA preu lidhje me të dhe Blerim Skoro u kthye në SHBA përmes Kanadasë, në mënyrë ilegale. Vitin e kaluar, me ndihmën e një avokati, 45-vjeçari u takua me zyrtarë të FBI-së dhe të Departamentit të Antiterrorizmit në Policinë e New Yorkut. Ai donte që të ofronte ndihmë në luftën kundër të ashtuquajturit ‘Shteti Islamik’.

Skoro jeton në New York me bashkëshorten dhe tre fëmijët, të gjithë me dokumente amerikane.

Ai shkoi për herë të parë në SHBA në vitin 1994, ndërsa në vitin 2000 u kap me 14 kg heroinë. Por, pas bashkëpunimit me drejtësinë, vitet e dënimit iu ulën.

Pasi filloi bashkëpunimin me CIA-n, Skoro u trajnua në një vend të sigurt në Maqedoni. Qeveria amerikane i caktoi atij detyra të caktuara në Pakistan, vende të Ballkanit dhe në Siri. Skoro shfaqej si xhihadist për të zbuluar dhe mësuar informacione rreth terrorizmit, e që më pas këto të dhëna ia përcillte autoriteteve amerikane.

Skoro tregon se në Egjipt ai u miqësua shumë me Betim Kaziun, një shqiptar që i kishte treguar planet e tij për të sulmuar SHBA-të.

45-vjeçari shton gjithashtu se këtë informacion ia përcolli CIA-s. Kaziu më vonë u arrestua dhe u dënua me 27 vite burg në SHBA.

Pas përpjekjeve të shumta të tij për të ofruar shërbimet për qeverinë amerikane, situata vjen e tillë që më 23 mars të këtij viti, një ditë pas sulmeve terroriste të ISIS-it në Bruksel, një prokuror amerikan tha se Qeveria ishte e interesuar nëse Skoro mund të ofronte ndihmën e tij. Por, dy ditë më vonë, Qeveria u tërhoq dhe Blerim Skoro është ende në paraburgim, ku ndodhet edhe sot, në pritje për t’u dëbuar nga Amerika për hyrje të paligjshme. /Përshtati: syri.net/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit