2.2 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Pensionistët e vdekur morën nga shteti mbi 800 mijë euro

Më të lexuarat

Mbi 800 mijë euro të buxhetit të Kosovës kanë shkuar për njerëzit që nuk jetojnë më. Këto para kanë shkuar në llogaritë e pensionistëve të Kosovës, ani pse ata nuk janë gjallë.

Kështu ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, po e rrezikon buxhetin e shtetit, me dallaveret e shumta të tij. Përkundër ligjit i cili thotë se pensionet duhet të ndalen pas vdekjës së përfituesit, të gjeturat e auditorit tregojnë se 801 mijë e 723 euro, është vlera e pensioneve të cilat janë paguar pas vdekjes nga MPMS.

Prej tyre, 199 mijë e 194 euro ishin paguar në vitin 2015 për përfituesit që kishin vdekur në vitin 2014 e më më herët. Në mesin e këtyre pagesave, kishte raste kur pensionet ishin paguar deri në 11 muaj pas vdekjes së përfituesve, transmeton Gazeta Fjala.

Vetëm pensionet kontributdhënëse për të vdekurit kapin shifrën e 204 mijë e 975 eurove, derisa 223 mijë e 725 euro ka qenë vlera e shfrytëzimit të pensioneve nga familjarët e personave me aftësi të kufizuara.

Edhe familjarët e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, duket se nuk e kanë pasur fort problem të shfrytëzojnë pensionet e familjarëve të tyre të vdekur. 5 mijë e 975 euro, ka qenë shuma e cila është dhënë nga MPMS për familjet e tyre.

44 mijë e 385 euro, janë shfrytëzuar nga familjarët e personave të verbër përkundër vdekjes së përfituesve të pensionit.

Ndërkaq 9 mijë e 805 euro, janë dhënë në shfrytëzim nga ministria e Abrashit, për familjarët e pensionistëve të Trepçës.

Hajrin pensioneve të vdekur, duket t’ia kenë parë edhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. 1 mijë e 487 euro, ka qenë shuma e kundërligjshme e derdhur në buxhetin e familjarëve të tyre.

Derisa kështu dallavere duket se bëhen edhe me përfituesit e asistencave sociale. 8 mijë e 129 euro, ka qenë shuma e pensionit cila është marrë nga familjarët, përkundër se pensionisti që i takon e drejta për pension ka vdekur.

Se ministria që e udhëheq Abrashi po e rrezikon buxhetin e shtetit, mendon edhe ZAP.

“Mbetja e personave të vdekur në listat e pagesave të pensioneve, rezulton me pagesa të parregullta, dhe me dëmtim të buxhetit”, thuhet në raportin e auditorit.

Ndonëse, Abrashi nuk po mundet t’u siguroj punë, kosovarëve të shumtë që trokasin ç’do ditë në dyert e zyrës së tij, ministri si duket po ka buxhet të mjaftueshëm për të paguar personat e vdekur, shkruan Gazeta Fjala.

“Pensionistët obligohen që ç’do gjashtë muaj të lajmërohen në departamentet e pensionistëve për ta vërtetuar nëse janë gjallë. Në rast të moslajmërimit pensionet ndalen edhe nëse pensionistët mund të mos kenë vdekur”

Ministria e Punës: Pajtohemi me rekomandimet e ZAP-it

Ndërkohë që për të gjitha vërejtjet që zyra e auditorit të përgjithshëm i ka gjetur në Ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale janë si të bazuara për këta të fundit.

Izedin Bytyqi, sekretar në MPMS, ka thënë për Gazetën Fjala se ministria të cilën ai e përfaqëson është pajtuar me rekomandimet e zyrës së ZAP-it.

Sipas tij MPMS është duke e përgatitur një plan veprimi për implementimin e menjëhershëm të këtyre rekomandimeve.

“Lidhur me pagesat e pensioneve pas vdekjes se pensionistit, kjo është një çështje qe menaxhmenti e ka trajtuar me seriozitet, kështu qe ne vitin 2015, kemi nënshkruar Marrëveshjen te Mirëkuptimit me MPB konkretisht me Agjencionin e Regjistrimit Civil, për shkëmbimin e te dhënave”, ka thënë Bytyqi.

Ndërkohë që sipas tij Ministria e Punës gjatë këtij vitit ka nënshkruar marrëveshje me Bashkësinë Islame të Kosovës dhe bashkësitë e tjera Fetare për kthimin e mjeteve të humbura për dhënien e pensioneve që janë shpallur të vdekur.

“ Për të parandaluar këtë lloj të keqpërdorimit këtë vit kemi nënshkruar Marrëveshje me Bashkësinë Islame të Kosovës dhe pritet që të lidhet marrëveshje edhe me bashkësitë tjera fetare. MPMS vazhdimisht është duke punuar në kthimin e këtyre mjeteve dhe gjatë vitit të kaluar janë kthyer mjete në shumë prej mbi 400 mijë euro, kurse në pjesën e parë të këtij viti janë kthyer mbi 100 mijë euro”, ka shpjeguar për Gazetën Fjala, sekretari i Ministrisë së Punës, Izedin Bytyqi.

Kosovarët marrin më shumë se një pension

Nuk janë vetëm të vdekurit, ata që përfitojnë nga buxheti i shtetit. Qytetarëve, që nuk mjaftohen vetëm me pagën e tyre, nga Ministria deri vonë, kanë gëzuar të drejtën për të marrë edhe pension, raporton Gazeta Fjala.

Mirëpo, sipas të gjeturave të auditorit, thuhet se kështu kishte ndodhur vetëm deri në shtator të vitit të kaluar. Në raportin e ZAP, thuhet se 247 mijë e 210 euro, kanë qenë gabimet financiare, të cilat janë paguar për pension e pagë.

193 mijë e 680 euro, ishin gabimet financiare të paguara për punëtorët e Trepçës, derisa 53 mijë e 530 euro, për pensionet e ndihmave.

Auditori thotë se përfitimi i ndihmës sociale nga persona të punësuar është në kundërshtim me ligjin dhe shkakton pagesa të parregullta dhe dëmtim të buxhetit.

Përkundër të gjitha këtyre dallavereve me përfituesit e pensioneve, në Kosovë ende ka përfitues të dyfishtë të tyre.

Auditori ka gjetur raste ku persona të njejtë kanë qenë përfitues në më shumë se një skemë pensionale.

Shkelje të tilla, janë gjetur në kategoritë e këtyre pensioneve: Pensionistët e verbër, veteranët, e punëtorët e Trepçës.

Pensionistët e verbër janë shfrytëzues të pensioneve të veteranëve, pensioneve për persona me aftësi të kufizuara, atyre kontributive, e Trupave Mbrojtëse të Kosovës.

Njësoj sikur këta të fundit, duket të kenë përfituar edhe veteranët, të cilët po e rrezikojnë shtetin. Në raportin e ZAP-it është gjetur se ata janë përfitues të ndihmave sociale, të pensioneve të TMK-së, Policisë, FSK-së, duke qenë kështu përfitues të shumëfishtë të pensioneve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit