-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Femra të konvertuara në Islam

Më të lexuarat

Priya Malhotra, Newsday.com,

“Allahu Ekber [Zoti është më i Madhi], Allahu Ekber!” thërriste Muhammad Hannini teksa 15 besimtarë mblidheshin të dielën në një “xhami” që ndodhej në përdhesen e një shtëpie në Richmond Hill, Queens (SHBA).Tetë gra të pranishme, të veshura me rroba të gjata dhe me shami islame në kokë, u falën disa metra pas burrave.
“Të tjerët duhet ta shohin humanitetin, devotshmërinë dhe përkushtimin tim ndaj Zotit që në dukje, e jo në trupin tim”, thotë Sunni Rumsey Amatullah, që u bë muslimane para 25 vjetësh.
Besimtaret shprehen se e shohin shaminë jo si simbol shtypjeje, por si simbol çlirimi. Ato thonë se theksi që i vihet trupit të femrës në botën perëndimore, me manifestimet e saj në kulturën popullore, ka çuar në shndërrimin në objekt seksual të femrave. Ashtu si Amatullah , e cila më parë quhej Cheryl Rumsey, e lindur në Xhamajka, Queens, dhe është rritur si episkopeliane — këto gra janë në mesin e 20.000 amerikanëve që e pranojnë Islamin çdo vit, sipas vlerësimeve, që pas mesit të viteve ’90-të.
Rreth 7.000 prej këtyre të konvertuarve në vit janë femra, sipas një studimi të drejtuar nga Ihsan Bagby, profesor i studimeve ndërkombëtare në Shaw University në Raleigh, N.C. Sipas raportit, 14.000 prej të konvertuarve të vitit 2000 ishin afrikano-amerikanë, 4.000 ishin të bardhë dhe 1.200 me origjinë hispanike (pjesëtarët e Kombit të Islamit nuk u përfshinë në raport).
Amatullah, 50-vjeçare, drejtoreshë e një programi për parandalimin e HIV-it në Iris House, një organizatë që kujdeset për shëndetin në harem, thotë se e ka përqafuar Islamin pas një jete shumë materialiste për disa vjet.
Esther Bourne, një llogaritare 46-vjeçare në Manhatan, ishte rritur si katolike nga nëna e saj pasi i kishte vdekur babai me origjinë angleze kur ajo ishte vetëm 6 vjeçe. Ajo thotë se e ka lexuar Kuranin në mesin e të 20-tave, sepse ish-bashkëshorti i saj, një musliman, kishte një Kuran. Në mesin e të 30-tave ajo nisi një kërkim shpirtëror që përfshinte edhe kurse për Islamin në një xhami në Manhatan Upper East Side. “Kur mësueset shpjegonin, zemra ime e pranonte menjëherë”, shprehet ajo.
Në vitin 1992, në moshën 36-vjeçare, Bourne tha shehadetin. “Tani nuk ndiej më panik dhe nëse më ndodh një fatkeqësi, e pranoj caktimin e Allahut”, thotë Bourne.
Amina Mohammed, një ndihmës dentiste 58-vjeçare në spitalin Veterans Administration në St. Albans, është muslimane prej më shumë se 20 vitesh. Ajo ka lindur me emrin Doris Gregory, vajzë e një nëne amerikane indiane dhe të një babai xhamajkjan. Ajo u rrit si luterane. Që në moshën 16-vjeçare ajo nuk shkonte më në kishë. Dy vjet më vonë nisi një kërkim shpirtëror duke lexuar për Budizmin, Hinduizmin dhe fetë indiane të Amerikës, por asnjëra prej tyre nuk ishte ajo që bënte për të- që t’i falej Zotit të Vetëm në një mënyrë të caktuar. “Isha kaq e dëshpëruar. E dija që ekzistonte feja e drejtë, por ende nuk e kisha gjetur. Unë besoja në Zot, nuk isha ateiste.”
Në mesin e të 30-ave, pas dy martesash të dështuara dhe dy vajzash- të cilat tani janë nga 27 dhe 33 vjeçe- ajo kishte shumë nevojë për një udhëzim shpirtëror dhe rastësisht hasi Islamin. “Kjo është ajo që kam ndier gjithnjë në zemrën time”, shprehet Amina.Për tre vjet me radhë ajo ndoqi kurse të fesë islame dhe gradualisht nisi të rrallonte takimet me meshkujt dhe të mbulonte kokën me shami herë pas here. Më pas ajo shkoi në një xhami të Manhatanit. “Atje pashë gra nga vende të ndryshme dhe me raca të ndryshme që faleshin së bashku”, thotë Amina. “Mendova se kështu duhet të jetë bota.”

Përktheu: Eglantina Muça

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit