2.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Si dështoi fituesja e Çmimit Nobel që t’u dalë në krah muslimanëve rohinga

Më të lexuarat

Nga bordi editorial i New York Times

Rohingat janë një minoritet musliman në Mianmarin me shumicë budiste, të cilëve u janë mohuar në mënyrë të vazhdueshme të drejtat bazë: nënshtetësia, liria e fesë, arsimimi, martesa dhe lëvizja. Me dhjetra e mijëra rohinga janë përzënë me dhunë nga shtëpitë e tyre në vitin 2012; vitin e kaluar shumë prej tyre u përpoqën t’i shpëtojnë përsekutimit dhe shkatërrimit duke mësyrë dëshpërimisht detin.

Daw Aung San Suu Kyi – udhëheqja e Mianmarit dhe fituesja e Çmimit Nobel për Paqen – nuk pëlqen t’i quajë rohinga, emri që ata përdorin, pasi nacionalistët budistë duan ta fryjnë pafundësisht mitin se ata janë “bengalezë”, të cilët nuk i përkasin Mianmarit. Ajo i ka kërkuar edhe ambasadorit të Shteteve të Bashkuara që të mos e përdorë këtë term. Kërkesa e saj është e gabuar dhe thellësisht zhgënjyese. Rohingat janë po aq burmezë sa edhe ajo.

Ka shumë arsye të mundshme pse zonja Aung San Suu Kyi – të cilën 15 vitet në arrest shtëpie e bënë një nga të burgosura politik më të njohur e më të respektuar në botë – mund të ngurrojë të përqafojë kauzën e rohingave. Ka më pak se një muaj që ajo është bërë udhëheqësja e parë e zgjedhur në mënyrë demokratike e Mianmarit që prej vitit 1962, me titulin e kancelares së shtetit. E nuk ka dyshim se ajo ka frikë t’i bëjë armiq nacinalistët budistë, të cilët protestuan me zemërim përpara ambasadës së Shteteve të Bashkuara në fund të muajit Prill, pasi ambasada iu drejtuar “komunitetit rohinga” me një letër ngushëllimi për viktimat rohinga të shkaktuara nga fundosja e një varke.

Zonja Aung San Suu Kyi mund të ketë frikë se duke i thirrur publikisht me emrin e tyre do të dëmtojë procesin e pajtimit kombëtar, ashtu siç tha një zyrtar i ministrisë së jashtme. Apo më e keqja: se mund të rindezë dhunën e tmerrshme që shpërtheu në vitin 2012 midis budistëve dhe muslimanëve rohinga në shtetin Rakhine, në perëndim të Mianmarit.

Nuk ka dyshim se Shteti Rakhine, nga më të varfrit në Mianmar, është një vatër zjarri e urrejtjes sektare që kërkon qasjen politike më të kujdeshme të mundshme. Por kjo nuk mund të bazohet në përsekutimin dhe margjinalizimin e përhershëm të rohingave nga jeta shoqërore dhe politike në Mianmar. Padyshim, as nuk mund të bazohet në mohimin e vetë emrit të rohingave.

Në fund, nuk ka shumë rëndësi arsyeja pse zonja Aung San Suu Kyi nuk don që amerikanët të thonë “rohinga”. Ajo që ka rëndësi është se një femër, emri i të cilës ka qenë sinonim i të drejtave të njeriut për një brez, një grua që ka treguar guxim të paepur përballë despotizmit, ka vazhduar një politikë krejtësisht të pa pranueshme të udhëheqësve ushtarakë të cilët ajo i mundi.

Do të ishte veprim i mençur i zonjës Aung San Suu Kyi që ta rishikonte menjëherë qëndrimin e saj. Aureola e saj ka qenë një faktor kyç në pranimin e Mianmarit në komunitetin ndërkombëtar pas dekadash izolimi. Por që tani ka thirrje nga grupe për të drejtat e njeriut në Shtetet e Bashkuara drejtuar Presidentit Obama për të rivendosur sanksione kundër vendit para se të skadojnë më 20 Maj.

Observer.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit