Shefi në largim i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Feith, ka deklaruar çështja e veriut të Kosovës duhet të diskutohet edhe me Serbinë. Ai po ashtu ka thënë se është i kënaqur që plani i Ahtisaarit është zbatuar në mënyrë thelbësore.
“Ne e kemi parë Kosovën të tejkalojë periudhën e hershme të pavarësisë dhe lindjes së saj të suksesshme, forcimin e institucioneve, zhvillimin e ekonomisë, me rrugën e hapur për integrime rajonale dhe me garancitë se miqtë e saj do të vazhdojnë të mbështesin vendin dhe udhëheqësit e saj politik”, ka thënë Feith në një intervistë për Zërin e Amerikës.
“Por mendoj se është zhgënjyese që nuk arritëm më shumë përparim në veri. Dhe së dyti, kisha shpresuar që kushtet sociale ekonomike për njerëzit e Kosovës do të ishin më të shkëlqyera nga ç’janë tani dhe që të shihnim më shumë investime. që do të krijonin më shumë mundësi për punësim”.
“Sa i përket veriut, pikë së pari, siç e kam thënë edhe më parë, komuniteti ndërkombëtarë mund të ndihmojë, por nuk mund të bartë veprimet e qeverisë. Ajo duhet të paraqesë ofertë bindëse dhe propozime për komunitetin serb në veri, në mënyrë që të përfitojë zemrat dhe mendjet e tyre, sepse vetëm duke krijuar mirëbesim të komunitetit serb, mund të shohim veriun të mbetet i lidhur me Prishtinën. Kjo është e mundur, por mund të bëhet vetëm nga qeveria”.
“E dyta, bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të vazhdojnë dhe mund të ngrihen në një proces më politik. Këto janë dy mekanizma ku çështja e veriut mund të gjejë zgjidhje. Më lejoni të them se Serbia dhe Kosova kanë ardhmëri evropiane dhe zgjidhja për veriun duhet të përshtatet në kuadrin e zgjerimit dhe përafrimit. Ajo çfarë dua të them është se, çfarëdo që të jetë rezultati i çfarëdo procesi negociatash, duhet të bëjë të mundur për të dyja palët, Serbinë dhe Kosovën, që të lëvizin më afër Bashkimit Evropian dhe të përmbushin kriteret, prandaj veriu duhet të jetë në kuadër të këtij procesi”.
I pyetur se a do të thotë kjo se veriu do të jetë pjesë e këtyre bisedimeve, Feith ka thënë se nuk sheh arsye pse nuk duhet të jetë. “Dhe, sinqerisht nuk e shoh se si mund të ndodhë ndryshe. Janë dy mundësi për përmirësimin e situatës në veri. Duke përdorur forcën, që mendoj se nuk është një mundësi. Ose, me negociata dhe hapat që i përmenda. Duke siguruar besimin e popullatës dhe duke ndjekur udhërrëfyesin që përmban procesi i stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian”.
“Është e qartë se veriu do të diskutohet vetëm me vija të kuqe, që veriu do të mbetet në Kosovë dhe që duhet gjetur zgjidhjen që siguron se Kosova, përfshirë veriun do të jetë funksionale si shtet dhe demokraci. Ajo për çka duhet të mendojmë është që të gjejmë mundësi për ta bërë komunitetin në veri më komod. Beogradi duhet të jap ndihmesën e tij”.
“Realiteti në veri është që Prishtina nuk ka kontroll faktik atje dhe pjesa më e madhe e serbëve në veri shohin nga Beogradi për udhëzime. Mendoj se është e pjekur dhe e kuptueshme të mendohet për ndihmën konstruktive që mund të jap Beogradi dhe jo të refuzohet kjo. Është edhe një aspekt i rëndësishëm që ne të gjithë duam të shohim strukturat paralele të financuara nga Beogradi, posaçërisht praninë e strukturave të sigurisë së shtetit serb, të largohen nga territori i Kosovë dhe të mënjanohen. Ky ishte qëndrimi i Gjermanisë dhe kancelarës gjermane që nga viti i kaluar dhe kjo është shumë me rëndësi. Pra, sikur të ishte çështja qoftë vetëm për këtë aspekt, Beogradi duhet të përfshihet në një mënyrë apo tjetër në përpjekjet për normalizimin e situatës në veri”.
Ndërsa lidhur me mundësinë e përfshirjes së Luginës së Preshevës në bisedimet Kosovë – Serbi, Feith ka thënë se vlerson që nuk ëhstë mirë që kjo çështje të përfshihet në dialog në këtë periudhë. “Ajo që shoh është se qytetarët e Luginës së Preshevës janë të zhgënjyer me faktin se zbatimi i Marrëveshjes së Konçulit nuk është i kënaqshëm. Kjo më kthen në çështjet themelore, pra ne mund të arrijmë marrëveshje në cilindo dialog, por nëse nuk ka zbatim, atëherë ajo është e padobishme. Për Preshevën, është me e zgjuar që të rishikohet edhe njëherë marrëveshja e vitit 2001, posaçërisht nga Beogradi, për të parë se pritjet e krijuara 11 vjet më parë të përmbushen”.kohaislame