3.9 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Withers: Shqipëria është kryevepër, por ka politikanë të dështuar

Më të lexuarat

Prej dy vitesh, ish-ambasadori amerikan në Shqipëri, John Withers, është tërhequr në pension dhe jeton në shtëpinë e tij në Merilend, një shtet me përmasat e Shqipërisë, me rreth 28 mijë kilometra katrorë.

Në një intervistë eksluzive nga SHBA, në serinë hapëse të sezonit të ri të “Top-Story” në “Top-Channel”, Withers, në rolin e qytetarit të thjeshtë komentoi gjithçka rrethon Shqipërinë, politikanët, rrugën ku Shqipëria po ecën dhe të ardhmen e saj.
“Ndiej një lidhje të veçantë me Shqipërinë. Kam shijuar çdo punë dhe çdo vend ku kam qenë, por gati të gjithë diplomatët kanë një vend të preferuar gjatë karrierës së tyre. Do të krahasoja punën time me meloditë muzikore. Kushdo prej nesh ka disa melodi të preferuara, por në Shqipëri, unë gjeta atë kryeveprën, atë melodinë që të bën më shumë për vete. Suveniret dhe kujtimet rikthejnë në kujtesën time ato momente të mrekullueshme. Sidoqoftë, kujtimi më i madh që kam marrë nga Shqipëria gjendet brenda në zemrën time”.

“Por nuk mendoj se dikush që e njeh Shqipërinë dhe ia do të mirën do të kënaqej nga zhvillimet e fundit. Tashmë si një vëzhgues në distancë, duke parë atë që është duke ndodhur tani, unë mendoj se frika për atë që do të ndodhte me institucionet e pavarura demokratike, ndodhi. Presioni që atëherë ishte i dukshëm, ndërsa tani, duke parë edhe zgjedhjen e presidentit me një votë njëpartiake, është përkeqësuar dukshëm. Me këtë dua të them që e njoh Presidentin (Bujar Nishanin) qe nga koha kur ai ishte ministër dhe e respektoj shumë si një burrë kurajoz, siç demonstroi në mënyrën se si mposhti sëmundjen e tij. Por, nuk po merrem këtu me rolin e Bujar Nishanit si njeri, por me rolin e tij dhe ai është, siç premtoi kryeministri Sali Berisha disa muaj më parë, një besnik i Partisë Demokratike”.

“Nuk është gjë e keqe t’i besosh një partie, por në klimën ku ndodhet sot Shqipëria, a do të dëshmojë aftësi për të kundërshtuar kryeministrin zoti Nishani në ato raste kur do të nevojitet diçka e tillë? Jam shumë skeptik se ai mund ta bëjë diçka të tillë, duke parë edhe politikanë të tjerë shqiptarë, që kur kryeministri flet, ata vetëm e ndjekin pas. E kam të lehtë t’iu them shumë emra që futen në këtë kategori, ata që ne e quajmë ‘Yes Man’ për gjithçka”, tha Withers.

“Aktualisht kemi momente sa interesante aq edhe ironike në politikën shqiptare. Partitë politike po përpiqen të heqin imunitetin e zyrtarëve të lartë dhe unë jam një mbështetës i fuqishëm i kësaj dhe e kam kërkuar që kur isha ambasador. Pavarësisht kësaj, vjen ajo që unë e përshkruaj si një rrezik. Në përputhje që heqja e imunitetit të ketë me të vërtetë vlerë, duhet që gjykatat të jenë tërësisht të pavarura nga çdo parti apo palë, duhen domosdoshmërisht që ato të flasin me fjalën e ligjit”.

“Kryeministri Berisha, në një prononcim të disa ditëve më parë, akuzonte Partinë Socialiste për mosaprovimin e heqjes së imunitetit në datën 6 gusht dhe duke bërë këtë thoshte se të gjithë deputetët socialistë janë milionerë. Mos vallë është kjo përse kryeministri kërkon heqjen e imuniteteve, që të sulmojë deputetët e opozitës? Pyetja ime ndaj tij është se përse nuk kemi pasur një luftë madhore kundër korrupsionit në këto shtatë vite që ai ka qenë kryeministër? Është e vërtetë që mund të ketë funksionarë që mbulohen nga imuniteti, por ka shumë të dyshuar të tjerë për korrupsion që nuk kanë imunitet dhe mund të ishin spastruar. Cila është arsyeja që kjo nuk është bërë dhe a është i gatshëm kryeministri që të dënojë të korruptuarit brenda partisë së tij apo vetëm ata të Partisë Socialiste. Për mua është e qartë që Shqipëria duhet të çlirojë veten nga korrupsioni në mënyrë më urgjente dhe më të shpejtë që të jetë e mundur”.

“Andaj them se në këtë moment, Shqipëria është buzë humnerës. Nëse njerëzit e drejtësisë dhe gjyqësorit do të zgjidhen në mënyrë politike apo në mënyrë që t’i kenë borxh pushtetarëve, atëherë kjo është shumë e rrezikshme sepse gjyqësori do të përdorej për qëllime politike dhe jo për të dhënë drejtësi. Kjo nuk është vetëm në Shqipëri. Shikoni çfarë po bën Putin në Rusi, shikoni çfarë po ndodh në Rumani, Gjeorgji, Hungari, Ukrainë e shumë vende të tjera. Në të gjitha këto vende. Shikoni çfarë ndodhi në Ukrainë, ku u burgos ajo që fliste në emër të popullit, liderja e opozitës, duke I dhënë një urdhër gjykatave që ta bënin këtë. Nuk po them se Shqipëria është tashmë në atë pikë, por rreziku është evident që të përfundojë në të njëjtin nivel. Pavarësia e institucioneve është duke u kufizuar gjithmonë e më shumë dhe ky është sinjali i parë që tregon se po ecet në këtë rrugë”.

“…Politikanët shqiptarë i kanë pasur mundësitë të realizojnë shumë herë aspiratat e qytetarëve, por kanë dështuar. Mundësia për të zgjedhur një president të gjithë shqiptarëve, jo një president të PD-së, ishte përpara tyre. Por si gjithmonë është lideri ai që zgjedh yllin për të shkëlqyer. Dhe kjo është për ardhur keq. Është koha që në këto 100 vite aspirata të Shqipërisë për pavarësi të hidhen themelet e një ditëlindje të re për lirinë. E gjitha nën pushtetin e qyetatrëve, e jo të individve”, ka thënë ndër të tjera Withers.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit