4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Zemërgjerësia

Më të lexuarat

Autor: Muhammed el-Kudri
Shkëputur nga libri: Kodi Social dhe Moral në Islam

Të qenët zemërgjerë do të thotë të jesh shpirtmadh, bujar, dorëdhënës, bamirës etj. Ndërkaq, zemërgjerësi, pra, do të thotë shpirtmadhësi, bujari, bamirësi, fisnikëri, dorëgjerësi, mirëdashje, mirëbërësi etj. Më tej, person zemërgjerë është ai që është bujar në ndihmimin e të varfërve, në dhënien për kauzën e rendit të mirë publik etj. Pra, një person i këtillë nuk e shtrëngon dorën e vet në dhënien e lëmoshës, pra, u ndihmon të varfërve dhe i ushqen ata.
Shpërndarja e të mirave dhe e pasurisë, në këtë dynja, është e pabarabartë dhe jo e njëllojtë. Disa njerëz rrokullisen në pasuri gjersa një pjesë tjetër janë varfanjakë e pa asnjë qindarkë në xhep. Kjo, ta quaj, parregullsi pjesërisht është për shkak të faktit se Allahu i Lartësuar na sprovon me anë të këtij distribuimi të pabarabartë. Kur`ani Famëlartë thotë: “Ai është që ju bëri sundues (zëvendësues) në tokë (pas shkatërrimit të atyre që ishin më parë) dhe lartësoi në një shkallë më të lartë disa nga ju mbi të tjerët, për t’ju sprovuar në atë që jua dha. Allahu është ndëshkues i shpejtë, është që fal e Mëshirues!” (Kur’an, 6: 165). Në një vend tjetër thuhet: “Allahu favorizoi disa prej jush mbi disa të tjerë në furnizim. Atyre që u është dhënë përparësia (në furnizim), nuk janë furnizues të atyre që posedojnë (robërve), ata (të gjithë) në të janë të barabartë (pra, furnizues kryesor është Allahu), a mos duan të mohojnë dhuntinë e Allahut?” (Kur’an, 16: 71). Pra, edhe skamja, edhe kamja janë sprovë. Allahu i Lartësuar, nëpërmjet sprovave, sheh se si sillen njerëzit në mirëqenie dhe në fatkeqësi. Njeriu i pasur e i begatuar me të mira nga Allahu është i obliguar që ta jetësojë në praktikë të gjallë virtytin e dhënies së lëmoshës dhe ndihmimit ndaj të varfërve, kështuqë, ta kalojë testin. Nëse të gjithë njerëzit do të kishin qenë të pasur, atëherë fare s’do të ishte përmendur fjala lëmoshë. Pra, fjala dhe nocioni i lëmoshës ekzsitojnë për faktin e vetëm se distribumi është i pabarabartë, siç u cek edhe më sipër. Më tej, sadopak për ta barazuar distribuimin dhe për t’i pasur në kontroll akumulimet e pasurisë, institucioni i lëmoshës është i pranuar nga të gjithë religjionet, veçanërisht nga Islami.
Islami, pra, e njeh këtë institucion si një prej pesë shtyllave bazë të tij. Është shtylla e dytë prej pesë shtyllave mbi të cilat është ndërtuar godina e madhe e besimit islam. Veç kësaj, lëmosha vullnetare, zekati, i cili është me vlerë të fiksuar, pra, posaçërisht ky i fundit, është bërë kontribuim obligativ për mirëqenien e të varfërve. Për më tepër, Kur`ani Famëlartë vë theks të madh në pagimin e shumës së caktuar të quajtur zekat, po edhe në dhënien e lëmoshave të tjera vullnetare. Krejt për në fund, zemërgjerëve, të cilët i japin mjetet e tyre tek shteti islam dhe te shoqëria, u është premtuar shpërblim i pamasë.

Argumente nga Kur`ani

1) “Faleni namazin, jepeni zeqatin dhe faluni me ata që falen!” (Kur’an, 2: 43).
2) “Dhe jepni për në rrugë të Allahut e mos e hidhni veten në rrezik dhe bëni mirë, se me të vërtetë Allahu i do bamirësit!” (Kur’an, 2: 195).
3) “Të pyesin se ç’do të japin. Thuaj: “Atë që jepni prej pasurisë jepni për prindërit, jepni për të afërmit, për bonjakët, për të varfërit, për kurbetxhinjtë. E, çdo të mirë që punoni, s’ka dyshim se Allahu e di!” (Kur’an, 2: 215).
4) “O ju që keni besuar, para se të vijë një ditë kur nuk do të ketë as shitblerje, as miqësi e as ndërmjetësim, jepni nga ajo me çka Ne ju furnizuam ju! Pabesimtarët janë mizorë!” (Kur’an, 2: 254).
5) “Shembulli i pasurisë së atyre që e japin në rrugën e Allahut është si i një kokrre që i mbin shtatë kallinj, në secilin kalli njëqind kokrra. Allahu ia shumëfishon (shpërblimin) atij që dëshiron, Allahu është Bujar i Madh, i di qëllimet!” (Kur’an, 2: 261).
6) “Allahu e zhduk kamatën dhe e shton lëmoshën, Allahu nuk e do asnjë besëprerë e mëkatar. S’ka dyshim se ata që besuan dhe bënë vepra të mira, e falën namazin dhe e dhanë zekatin, ata i pret shpërblim i madh te Zoti i tyre, ata nuk do të kenë kurrfarë frike e as brengosje!” (Kur’an, 2: 276-277).
7) “Dhe të cilët falin (rregullisht) namazin dhe nga ajo, me çka Ne i furnizuam, ata japin. Të tillët janë besimtarë të vërtetë dhe për këtë kanë vende të larta te Zoti i tyre, kanë falje dhe kanë furnizim në mënyrë të ndershme!” (Kur’an, 8: 3-4).
8) “Allahu caktoi obligim që lëmosha (zeqati etj.) t’u takojnë vetëm: të varfërve (nevojtarëve), të ngratëve (që s’kanë fare), punonjësve (që e tubojnë), atyre që duhet përfituar zemrat (të dobtëve në besim) e duhet dhënë edhe për lirim nga robëria, të mbyturve në borxhe, (luftëtarëve), në rrugën e Allahut dhe atij që ka mbetur në rrugë! Allahu e di gjendjen e robërve, punon sipas urtësisë së vet!” (Kur’an, 9: 60).

Argumente nga Sunneti

1. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Në çdo bashkim ka lëmoshë, madje për çdo ditë në të cilën lind dielli; të ndash drejtësi mes dy njerëzve është lëmoshë; t’i ndihmosh dikujt që të hypë në kafshën e tij është lëmoshë; fjala e mirë është lëmoshë; çdo hap, veç e veç, të cilin e bën besimtari për të shkuar në xhami është lëmoshë dhe heqja e gjërave dëmtuese nga rruga është lëmoshë!”.
[Transmeton Buhariu dhe Muslimi]
2. Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Me të vërtetë, lëmosha e zbut zemërimin e Allahut ndaj nesh dhe i heq sëmbimet (dhembjet) që i shkakton vdekja!”.
[Transmeton Tirmidhiu]
3. Abdullah ibën Mes’udi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Ka tri lloje njerëzish të cilët i do Allahu i Lartësuar: një që zgjohet natën për ta lexuar Librin e Allahut, një që jep lëmoshë me dorën e djathtë e e fsheh nga e majta dhe një që gjendet në fushëbetejë e i del armikut përpara, megjithëse bashkëluftëtarët tjerë të tij janë të shpartalluar!”.
[Transmeton Tirmidhiu]
4. Mersad ibën Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “Disa nga shokët e Pejgamberit, alejhi selam, më kanë informuar se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Me të vërtetë streha e besimtarit në Ditën e Gjykimit do të jetë lëmosha e tij!”.
[Transmeton Ahmedi]
5. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, është pyetur: “O i Dërguari i Allahut, cila lëmoshë është më e larta në shpërblim?”, kurse ai ia ktheu: “Lëmosha më e lartë është ajo kur e jep gjersa je në gjendje të mirë, kur je lakmitar, kur i frikohesh varfërisë dhe kur shpreson të pasurohesh. Mos u dorëzoni derisa ai (shpirti (sh.p.)) të arrijë në fyt!”.
[Transmeton Buhariu]
6. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Zemërgjeri është afër Allahut, afër Xhennetit, afër njerëzve dhe larg Xhehennemit; analfabeti mirëbërës është më i dashur te Allahu sesa besimtari koprrac!”.
[Transmeton Tirmidhiu]
7. Xhabiri dhe Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Çdo punë e mirë është lëmoshë!”.
[Transmeton Buhariu dhe Muslimi]
8. Është transmetuar se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Nuk ka ditë në të cilën zgjohet robi e që mos të zbresin dy engjuj në tokë. Njëri prej tyre thotë: “O Allah, jepi sukses bamirësit!”, ndërsa tjetri thotë: “O Allah, shkatërroje koprracin!”.
[Transmeton Buhariu dhe Muslimi]

Përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI

Pra, mirënjohës është personi që e çmon butësinë që tregohet ndaj tij apo një që i çmon përfitimet e dhuratat që i pranon nga tjetri. Ai shpreh falënderime për shërbimin ose për ndonjë të mirë tjetër që është bërë ndaj tij. Zoti i Lartësuar, për më tepër, është shumë i mëshirshëm. Ai është Bamirësi më i Madh, i Cili u ka dhuruar njerëzve shumë dhunti, shumë të mira dhe shumë begati. Së këndejmi, mirënjohjet dhe falënderimet më të mëdha të njerëzve i takojnë Allahut të Madhërishëm. Më tej, mirënjohja është atribut edhe i Allahut të Lartësuar, i Cili është Mirënjohës absolut. Ai ka premtuar shpërblime të mëdha për ata që shprehin falënderime për begatitë që Ai ua ka dhënë dhe që janë mirënjohës.
Mirënjohja ndaj Allahut të Lartësuar mund të shprehet duke e kujtuar Atë, duke e madhëruar, duke e adhuruar vetëm Atë, duke besuar në Njëshmërinë e Tij, duke mos i përshkruar asnjë shok Atij në adhurimin tonë, duke iu bindur asaj që Ai e urdhëron dhe duke u shmangur nga ajo që Ai e ndalon, duke pasur frikë-respekt ndaj Tij, duke kërkuar ndihmë vetëm nga Ai etj., etj. Më tej, mirënjohja mund të shprehet me zemër, me mendje si dhe me organet tjera trupore. Mirënjohja e treguar me anë të zemrës është një formë e përkujtimit të Madhërisë së Tij; mirënjohja me anë të gjuhës është në formë të bërjes tesbih; mirënjohja me anë të veshëve është të dëgjosh atë që Ai e ka urdhëruar të bëjmë; mirënjohja me anë të syve është ta ulësh shikimin në gjëra që Ai nuk është i kënaqur; mirënjohja me anë të duarve është të bësh punë të mira dhe me anë të këmbëve është të ecësh për në luftë në rrugë të Tij, madhëruar qoftë përherë!
Pas mirënjohjes ndaj Zotit vjen mirënjohja ndaj prindërve, pastaj ndaj mësuesve dhe, pastaj, ndaj të gjithë atyre që ofrojnë ndihmë. Njeriu, për më tepër, nuk duhet që vetëm të thojë “faleminderit”, por duhet që edhe të përpiqet që të mirën ta kthejë me të mirë.

Argumente nga Kur`ani

1) “…Allahu është shumë bamirës për njerëzit, por shumica e njerëzve nuk janë mirënjohës!” (Kur’an, 2: 243).
2) “…E kushdo që kthehet prapa, ai nuk i bën dëm Allahut aspak, kurse Allahu do t’i shpërblejë mirënjohësit!” (Kur’an, 3: 144).
3) “Dhe (përkujtoni) kur Zoti juaj njoftoi bindshëm: “Nëse falënderoni, do t’jua shtoj të mirat, e nëse përbuzni, s’ka dyshim, dënimi Im është i vështirë!”!” (Kur’an, 14: 7).
4) “E ju (besimtarë), hani pra nga të mirat që jua dha Allahu, të lejuara e të pastra, jini mirënjohës për dhuntitë e Allahut, nëse jeni të sinqertë në adhurim vetëm ndaj Tij!” (Kur’an, 16: 144).
5) “E ai i cili kishte dituri nga libri tha: “Unë ta sjell atë ty sa çel e mbyll sytë (këtij i tha sille)!”. E kur e pa atë (fron) të vendosur pranë tij, (Sulejmani) tha: “Kjo është dhuntia e Zotit tim që të më sprovojë mua se a do ta falënderoj apo mos do ta përbuz. E kush falënderon, ai falënderon për të mirën e vet, e kush përbuz, Zoti im (s’ka nevojë), është i pa nevojë e Bujar!”!” (Kur’an, 27: 40).
6) “Ne njeriun e kemi urdhëruar për (sjellje të mira ndaj) prindit të vet, sepse nëna e vet atë e barti me mund pas mundi dhe pas dy viteve ia ndau gjirin. (E porositëm) Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve tu, sepse vetëm tek Unë është kthimi juaj!” (Kur’an, 31: 14).

Argumente nga Sunneti

1. Usame ibën Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Gjithsecili që i thotë vëllait të vet i cili i ka bërë ndonjë të mirë “Allahu ta kompenzoftë!” apo “Allahu të shpërbleftë për këtë të mirë që ma ke bërë!”, ai, me të vërtetë, në tërësi ka shfaqur mirënjohje!”.
[Transmeton Tirmidhiu]
2. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Ai që nuk i falënderon njerëzit, nuk e ka falënderuar as Allahun!”.
[Transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu]
3. Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) tregonte se kur Pejgamberit, alejhi selam, i vinte ndonjë lajm i mirë, ai i binte në sexhde Allahut në shenjë mirënjohjeje.
[Transmeton ebu Davudi dhe Tirmidhiu]
4. Ibën Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Gjithsecilit që i janë dhënë katër gjëra, në fakt, i janë dhënë të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër, edhe atë: një zemër falënderuese, një gjuhë që përkujton, një trup që bën durim ndaj fatkeqësive dhe një grua që është e devotshme!”.
[Transmeton Bejhakiu]
5. Ebu Xhaferi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) tregon: “Pejgamberi, alejhi selam, pa një njeri shkurtabiq dhe ra në sexhde!”.
[Transmeton Darkutni (hadith i mangët)]
6. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Ngrënësi mirënjohës është i njëjtë (në shpërblim) me agjëruesin e durueshëm!”.
[Transmeton Buhariu]

Përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI, 16.09.2008

Shkëputur nga libri: Kodi Social dhe Moral në Islam
Autor: Muhammed el-Kudri

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit