-1.1 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Shqiptari, emigrimi dhe identiteti i tij

Më të lexuarat

Shkruar nga: Mirsim Maliqi

Çfarë na ofrohet?

Duke shfletuar faqet e historisë sonë kombëtare, do të vëresh pa dyshim se populli ynë është përpjekur gjithnjë që të ruajë të pacenuar identitetin kombëtar dhe të mbrojë integritetin e trojeve të veta, ato të Shqipërisë Etnike. Sakaq, shfletim i historisë kombëtare nuk përkon aspak me ndjekjen e një filmi ‘historik’ me brumim të natyrës komuniste-sovjetike rreth Shqipërisë së para gjashtë shekujve, në të cilën Gjergj Kastrioti[1] Skënderbeu[2] pas luftës në Krujë, kyr hyn në skenë si prijës i popullit të tij[3], të pranishmëve u thotë: “o shqiptarë”, në një kohë kur fjala ‘shqiptar’ s’ekzistonte fare[4], gjë që tregon realitetin e paqëndrueshëm historiografik të shkruesit të asaj shëmbëlltyre të historisë.

Për të mësuar historinë e popullit tonë, sot lexuesi shfrytëzon literaturë të huaj, gjegjësisht serbe apo greke, çka është vërtet brengosëse. Nevoja për flakjen e teksteve filo-serbe nga bankat e shqiptarëve, s’ka dyshim që është diçka e domosdoshme dhe e pashmangshme. Sot, në kohën e lirisë së fjalës, pas shkëputjes nga sistemi sllavo-komunist – sistem i instaluar nga serbet[5] në Shqipërinë tonë – shqiptarët s’kanë kurrfarë arsye të mendojnë akoma si Enveri, shërbëtori besnik i marksizëm-leninizmit, i cili u nguliti shqiptarëve përmes dhunës dhe mekanizmit të shpërlarjes së trurit idenë se këta shpëtuan e dolën fitimtarë në kohën kur u shkëputën nga Perandoria Osmane, e cila punoi për disa shekuj duke u mbështetur në parimet e Sheriatit (Sistemin e Zotit). Enveri mendonte kështu dhe impononte të njëjtin mendim, sepse ish ngarkuar me këtë mision nga serbet, të cilët vetëm atëherë (1912), kur shqiptarët u ndanë nga Perandoria Osmane, pushtuan tokat e shqiptarëve, çka nuk patën mundësi që ta bënin më herët, në kohën kur aleati i shqiptarëve ishte Perandoria Osmane, pjesë përbërëse e të cilit qe edhe Shqipëria. Madje, nuk mbeti me kaq, ai (përhapësi i ideve komuniste) vazhdoi me të njëjtën egërsi kundër shqiptarëve, e sidomos ndaj atyre myslimanë, njëlloj siç kishin vepruar punëdhënësit e tij[6] dekada më parë. Prandaj, lipset thënë që në fillim se antishqiptarizmi i krijuar nga një kryetradhëtar s’mund të merret parasysh, dhe e njëjta gjë vlen edhe përsa i përket historiografisë në lidhje me historinë e popullit tonë, krenaria e të cilit u ngrit në kohën kur ishte mik e akraba me perandorinë më të fortë të kohës.

Rreth shtypjes…

Gjatë gjithë kohës, – po flasim për dy shekujt e shkuar, – ndaj shqiptarëve u ushtrua një dhunë sistematike. Dihej se, ajo çka i pengonte shtypësit ishte identiteti i shqiptarëve. U bënë kongrese padrejtësish, mashtrimesh e çregullimesh, ndër to Kongresi i Berlinit (1878)[7], më vonë Konferenca e Londrës, e të tjerë, porse asnjëra s’ishte në favor të së vërtetës rreth popullit shqiptar.

Ortodoksët serbë, pas largimit të osmanëve, filluan gjenocidin kundër shqiptarëve, e sidomos ndaj shqiptarëve të Kosovës, me pretekstin se gjoja: “Kosova paska qenë në mesjetë qendër e shtetit serb dhe trevë e banuar nga serbët deri në fund të shek. XVII – fillimi i shek. XVIII, kur pas luftës austro-osmane të viteve 1683-1699 një pjesë e popullsisë serbe që mori anën e Austrisë, qenka tërhequr për në veri dhe vendin e saj e paskan zënë shqiptarët e ardhur nga viset e brendshme malore të Shqipërisë së Veriut”[8], çka janë thjesht propagandë, pa kurrfarë themeli historiografik. Kryqtarët ortodoksë serbë, të cilët nxitën masakrimin e mijërave shqiptarëve, si në fillim të shekullit të njëzet, po ashtu edhe në fund të tij, – dhe, pavarësisht se fundamentalistë fetarë kishtarë, akoma zënë vend të rëndësishëm në Serbi, – mbeten sinonim i së keqes dhe krimit[9] në Evropë, siç mbeten të tillë pararendësit e tyre kishtarë famëkeq me kryqëzatat e tyre në tokat e myslimanëve, gjegjësisht aty ku dolën dijetarët dhe shkencëtarët më të ditur e njohur, në Kordobën e famshme, që “ishte qyteti më i pasur në Botë”.[10]

Shtypja e shqiptarëve ende vazhdonte, më vonë, “Pas rënies së Janinës, ushtria greke hyri në Çamëri. Pushtimi u shoqërua me mizoritë e shumta të bandave greke kundër popullsisë civile shqiptare. Çështja çame dhe përgjithësisht çështja e minoritetit shqiptar në Greqi, lindi me vendimin e Konferencës së Londrës më 1913, Çamëria ra nën sundimin grek.”[11]

Mbi popullatën çame (60.000 myslimanë e 20.000 të krishterë) ushtrohej një dhunë e madhe. Mit’hat Frashëri, shkruante pandërprerë se ç’po ndodhte me myslimanët e Çamërisë. Ai, kur i shkruan (23 qershor 1923) Ministrit të Punëve të Jashtme në Tiranë, ndër tjera i thotë: “Këtu të bashkuar ke edhe kopjen e një note verbale që dhashë sot për vështirësitë që po gjejnë shqiptarët myslimanë në udhëtimet e tyre, në kufijtë grek”[12] dhe në shumë letra të dërguara kërkon ndihmën dhe ndërhyrjen e shtetit shqiptar për t’i ndihmuar çamët, gjegjësisht ata myslimanë, ndaj të cilëve ushtrohej me presion këmbimi me grekë, përkatësisht dërgimin e çamëve myslimanë në Turqi dhe sjelljen e grekëve në tokat çame. Kur panë vendosshmërinë e çamëve për të qëndruar në tokat e tyre, atëherë filluan të ushtrojnë edhe dhunë, deri sa shumë prej tyre i larguan nga trojet e tyre, në të cilat lanë familjarët e tyre të masakruar, në tokën e Çamërisë, në të cilën bëhej spastrim etnik[13].

E gjithë kjo dhunë ndodhi ndaj shqiptarëve, vetëm atëherë kur më shqiptarët s’ishin afër osmanëve, akrabatë më besnikë, të cilët kurrë nuk ushtruan dhunë ndaj tyre. Siç tregon edhe Joseph Rothchild për shqiptarët se: “Ata ishin të fundit që vendosen të shkëputeshin nga Perandoria Osmane, struktura e elitës të së cilës kishte qenë gjithmonë e hapët ndaj bijve të tyre të talentuar dhe ambiciozë, e cila përgjithësisht nuk i kishte shtypur ata dhe ndaj Kalifit-Sulltan të së cilës shumica e tyre ndiente një nderim të mirëfilltë fetar”.[14]

Shqiptari…

Ecëm sa ecëm, deri sa arritëm tek tema jonë… Shqiptari! Kush është Shqiptari? Për kë jemi duke folur?

Ai është muhadithi i shquar Muhamed Nasirudin, i biri i Nuh Nexhatit, të birit të Ademit. U mbiqujt El-Albanij (Shqiptari), sipas vendlindjes së tij, Shqipërisë. Ai lindi në vitin 1332h / 1914g, në qytetin e Shkodrës, një nga qytetet kryesore të Shqipërisë[15]. Ndoshta shqiptarët s’dinë shumë për të, pavarësisht se ka njerëz që thonë për të, si Shejh Bin Bazi: “S’di të ketë nën qiell dijetar më të madh në hadith për këtë kohë sesa Shejh Nasiri (Albani)”.

Emigrimi…

Kur Shqiptari (Më tej: Shejh Albani) ishte vetëm nëntë vjeç, familja e tij u shpërngul nga Shqipëria, i cili shtet ia kish hapur dyert shekullarizmit, çka i parapriu komunizmit famëkeq, për të cilin folëm më parë. I ati i Shejh Albanit e pa të arsyeshme (për të ruajtur identitetin fetar) të shkojë me familjen e tij në Sham, vend i diturisë dhe i tregtisë, për të cilën populli ynë thoshte: “Deri n’Sham me dasht me hy, s’kemi ymer me ja mrri”[16]

Identiteti i tij…

Nëse lexojmë literaturë islame në cilën gjuhë të botës qoftë, të shkruar nga dijetarët e kohës sonë, do të vërejmë se, përsa i përket autenticitetit, vlerësimit apo verifikimit të transmetimit të haditheve, ata i referohen Shejh Albanit, aq sa për punën e tij, dijetari i shquar, Shejh Muhamed elUthejmin, tha: “Përsa i përket analizave dhe verifikimeve shkencore, s’ka si ai”.[17]

Shejh Albani thoshte: Unë jam shqiptarë. Madje, këtë fjalë ia thoshte edhe gjithë botës në arabisht “Ene albanijj”. Ai jetoi në tokat arabe afër tetëdhjetë vjet, por kurrë s’e harroi gjuhën shqipe, ruajti identitetin e tij kombëtar dhe u kujdes për studentët shqiptarë, sa që në ligjëratat e tij (të inçizuara në gjuhën shqipe), shpesh ai i pyet studentët e tij për çështjen shqiptare në Kosovë dhe u jepte gjithashtu këshilla. Po pse populli ynë s’e njeh? Vallë, s’kemi kohë të mirremi me shqiptarët, bijtë e shqiptarëve, të cilët për 7-8 dekada ishin larg vendlindjes së tyre, por që kurrë s’e harruan vendin e tyre, madje, emrin e atdheut e vendosën në mbiemrin e tyre?! Apo, më përparësi ka ajo që thoshte: “Ami Bharater Bharat Amar”- Unë jam indiane, India është e imja[18]? Apo, vallë, i kemi dhënë përparësi atij që futi popullin e vet në luftë për interesat e Krishterizmit, ndërsa sot e quajmë hero kombëtar, në të njëjtën kohë kur Vatikani e quan “Kalorësi i Krishterimit” apo edhe “Mbrojtës i Krishterimit”[19]?! Pse s’e njohim Albanin?

Rreth shtypjes…

Tani do të kthehemi prej udhëtimit tonë, aty ku u nisëm… Te shtypja ndaj shqiptarëve.

Kohët e fundit jemi dëshmitarë të misionarizmave antishqitare-antimyslimane, të cilët duan të deformojnë përkatësinë e shqiptarëve. Islamofobia është e dukshme… Në çdo pikë mundohen të largojnë Islamin, fenë e shumicës së shqiptarëve. Kjo shtypje ndaj kulturës islame të shqiptarëve s’do mend që është çnjerëzore. Figurat me të shquara të shqiptarëve myslimanë s’i përmend asnjë historian, pavarësisht se pa to është krejt e pamundur të përftohet në ploti fytyra e kombit dhe kultura e shqiptarëve.

Në shkrimin e tij “Identiteti Islam i shqiptarëve, Mit apo Realitet?” Ermal Bega shprehet bukur: “Nuk arrij të kuptoj se përse po bëhet kjo politikë kaq e poshtër anti-islame në Shqipëri. Islami është një besim i cili kurrë nuk ka krijuar probleme te ata të cilët e praktikojnë, dhe askush tjetër nuk ka parë ndonjë gjë të keqe nga ai besim dhe këta besimtarë.” E që, pyetjes se tij po i përgjigjemi me fjalët e Dr. Hysen Çobanit: “Ata duan të na bëjnë të krishterë, se ashtu i hiqen halat peshkut dhe gëlltitet më lehtë. Por, kjo nuk do të ndodhë kurrë”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit