4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Dhimbjet muskulore

Më të lexuarat

Dhimbjet u shfaqen në vende të ndryshme të trupit, kryesisht natën, por që vazhdojnë edhe ditën. Kjo dhimbje muskulo-skeletike kronike, që para viteve ‘90 ngatërrohej me “reumatizmin psikogen”, fibrozitin” ose “myelasthenin”, në sajë të studimeve intensive, të bëra nga Kolegji Amerikan i Reumatologjisë, njihet me emrin Syndromi i Fibromyalgisë (FMS). Prevalenca e kësaj sëmundjeje ndryshon nga një shtet në tjetrin, por merret gjithnjë relative, për shkak të mungesës së një diagnostikimi të saktë.

Sot kemi vetëm një të dhënë për SHBA dhe Francën, që varion nga 2% …….në %. Ajo që mbetet pothuaj konstante është frekuenca 5-6 herë më e shpeshtë te femrat e moshës 50-60-vjeçare. Pasojat e FMS në cilësinë e jetës së individit dhe funksionet jetësore janë të krahasueshme me artritin rheumatoid. Më tepër se 30% e pacientëve me FMS janë të detyruar, me shumë sforco, të qëndrojnë në punë, madje 15% e tyre paguhen për invalidë të pjesshëm.
Pjesë e kulturës qytetare duhet të jetë marrja e informacionit paraprak për FMS, për t’u drejtuar te specialistë përkatës. Ky është dhe qëllimi i këtij shkrimi, i cili ka si objektiv promovimin e masave, mjeteve apo orientimeve për parandalimin ose të paktën zbutjen e impaktit të kësaj sëmundjeje me pasoja sociale.

Kriteret për të klasifikuar sindromin e fibromyalgisë janë:
1 – Historiku i sëmundjes: Një dhembje muskulo-skeletike e përhapur që të shqetëson prej disa muajsh, së paku mbi tre muaj, e favorizuar nga infeksione kronike, një aksident i rëndë ose mbi bazën e një stresi të hershëm shumë të fuqishëm.
2 – Kontraktura muskulore të dhimbshme (të paktën në 11 pika të trupit nga 18 që janë gjithsej. Një shtypje me gisht në këto pika provokon dhimbje të fortë (e matur me algometër është 4 kg). Me gjuhën e specialitetit këto pika quhen tender points (TePs).
Në skemën e mëposhtme mund të orientoheni për lokalizimin e këtyre pikave.
Ndoshta do ta konsideronim gjysmën e së keqes problemin e dhimbjes muskulo-skeletike, siç është ajo që ka të bëjë me pozicionin e keq të qëndrimit; disfunksioni myofascial kronik. Personi që vuan FMS ankohet për prishje gjumi, ngrirje dhe ftohje të qafës dhe gjymtyrëve, dobësi trupore, sistem nervor të acaruar, çka e bën të gatshëm për t’u konfliktuar për shkaqe të pamotivuara, urinim i shpeshtë, që me analiza rezulton steril, kolit neurogen i shoqëruar me konstipacion ose diarre, rënie e dëshirës seksuale etj. Depresioni nervor përshkruhet në 4% të pacientëve me FMS, nga 20% që ndeshet te të sëmurët e shtruar për shkaqe të tjera. Ankthi prek 51% të pacientëve me FMS, kurse ngacmimi i zorrës së trashë ndodh në 70% të tyre.

Për sa i përket faktorit kauzal të kësaj sëmundjeje, kohët e fundit, hipoteza më e pranueshme është predispozicioni gjenetik, (trashëgimia). Këta individë trashëgojnë çrregullimin e funksioneve të neuroendokrinave, neurotransmetuesve dhe neurosensorëve. Pasojë e këtyre tre disfunksioneve janë shenjat klinike që shpjeguam më sipër. Ajo çka është më e rëndësishme për lexuesin ka të bëjë me zgjidhjen ose të paktën trajtimin e këtij problemi.

Sot, shumica e shkencëtarëve mbështesin hipotezën që FMS gjenerohet nga sistemi nervor qendror (truri). Nisur nga fakti që kemi të bëjmë me një proces bio-psiko-social të dëmtuar, është e lehtë të shpjegojmë përse aplikimi i metodave invazive me solucione hipertonike apo stimulacionet neuromuskulare elektrike, jo vetëm që nuk kanë rezultat në qetësimin e dhimbjes, por influencojnë negativisht duke ulur pragun e dhimbjes.
Si në vend të pasthënies, do të theksonim që trajtimi i FMS duhet të përfshijë një qasje multidisiplinore, duke përfshirë kombinimin e trajtimeve me medikamente (tramadol, antidepresivë, triciklikët si amitriptilina, ketamina, antiepileptikët si pregabalina etj.) me ato jofarmakologjike, në bazë të të cilave qëndron trajtimi relaksues, rehabilitues, si fizioterapia dhe trajtimi psikologjik.
Me këtë rast do dëshironim të bënim me dije lexuesin e civilizuar të kësaj gazete, që leximi me vëmendje i këtij materiali shkencor do ta ndihmojë të mos bjerë viktimë e masazhatorëve apo pseudodoktorëve

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit