1.5 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Ballkan: Mijëra persona ende të zhdukur

Më të lexuarat

Që nga viti 1991, në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq janë raportuar 34,700 persona të zhdukur nga territori i ish-Jugosllavisë. Rreth 14,000 mbeten të pagjetur edhe sot në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve. Nga ta, mbi 10,500 lidhen me konfliktin në Bosnjë, 2,400 me konfliktin në Kroaci dhe rreth 1,800 me konfliktin në Kosovë.

Sipas llogaritjeve të Kryqit të Kuq, zhdukja ka prekur jetët e rreth 200,000 personave, të cilët vazhdojnë të kërkojnë familjarët e tyre, shkruan “Evropa e Lirë”.

Zhdukjet dhe rrëmbimet me forcë, sipas ligjit ndërkombëtar, përbëjnë krim, dhe në rrethana të caktuara mund të përbëjnë krim kundër njerëzimit ose krim lufte.

Qeveritë e Kroacisë, Bosnjës, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Kosovës kanë dështuar t’iu përmbahen detyrimeve të tyre nën ligjin ndërkombëtar, për të hetuar dhe ndjekur penalisht zhdukjet dhe rrëmbimet, vlerëson organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International.

“Ka pengesa të vazhdueshme për hetimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe të gjenocidit. Kjo ndodh sidomos kur anëtarët e qeverisë, partive në pushtet dhe të ushtrisë e policsië janë të dyshuar”, vlerëson Amnesty International.

Sipas vlerësimeve të organizatës, edhe pse disa autorë janë sjellë para drejtësisë, shumë të tjerë mbeten të lirë.

“Viktimat e zhdukjes me forcë vijnë nga grupe të ndryshme etnike dhe nga të gjitha sferat e jetës: disa kanë qenë ushtarë, disa civilë. Ato përfshijnë burra, gra dhe fëmijë. Të afërmit e tyre janë vetë viktima të abuzimeve me të drejtat e njeriut”, thotë Amnesty International, duke vënë në pah se trauma e familjarëve për të zhdukurit nuk është shuar.

Për familjet e viktimave, kthimi i trupave të të dashurve të tyre për varrim është hapi i parë drejt arritjes së drejtësisë; nga këndvështrimi i disa familjeve, ky mund të jetë hapi më i rëndësishëm, thekson Amnesty International.

Në pjesën për Kosovën, organizata kujton se Komiteti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar ka listuar 3,600 persona të zhdukur gjatë konfliktit të vitit 1998-99 dhe në një periudhë të shkurtër pas tij.

“Viktimat kanë përfshirë më shumë se 3,000 shqiptarë, të zhdukur me forcë nga ushtria serbe, policia dhe forcat paramilitare. Ato po ashtu kanë përfshirë serbë, romë dhe pjesëtarë të komuniteteve pakicë, të cilët besohet se janë zhdukur nga shqiptarët e Kosovës”, thuhet në dokumentin e organizatës Amnesty International.

Po sipas tij, që nga viti 1999, trupat e rreth 1,800 personave të regjistruar si të zhdukur, janë gjetur, identifikuar dhe u janë kthyer familjeve për varrim, ndërsa 1,797 të tjerë mbeten të zhdukur.

Amnesty International kujton se në prill dhe në maj të vitit 1999, trupa të shqiptarëve të vrarë dhe të varrosur në Kosovë nga forcat serbe, janë zhvarrosur nga Ministria e Brendshme e Serbisë dhe janë transportuar në Serbi, ku janë rivarrosur.

Edhe pse disa nga këta trupa janë gjetur dhe u janë kthyer familjeve, pak nga autorët e zhdukjeve dhe rrëmbimeve janë sjellë para drejtësisë, vlerëson organizata me seli në Londër.

Amnesty International u bën thirrje qeverive në Kroaci, Bosnjë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi dhe Kosovë të demonstrojnë angazhim të qartë për zbatimin e të gjitha masave të nevojshme, që do t’i jepnin fund mosndëshkimit për zhdukje dhe rrëmbime me forcë, të kryejnë hetime të shpejta, të pavarura, efektive dhe të paanshme, sipas ligjit ndërkombëtar si dhe të sigurojnë procedura të shpejta, të pavarura, të paanshme dhe efektive për familjet, që të marrin dëmshpërblim në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Ndërkaq, Bashkimit Evropian i bën thirrje të ofrojë mbështetje për qeveritë e Kroacisë, Bosnjës, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Kosovës për përmirësimin e funksionimit të sistemeve të tyre të drejtësisë, në mënyrë që secili të sjellë autorët e zhdukjeve dhe rrëmbimeve me forcë para drejtësisë./Tg/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit