3.4 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

QËNDRIMI I ISLAMIT NDAJ FEMRËS

Më të lexuarat

Dr Mustafa Mahmud

QËNDRIMI I ISLAMIT
NDAJ FEMRËS

Tha miku:
A nuk pajtohesh me mua se qëndrimi i Islamit ndaj femrës është reaksionar? Miku filloi të numërojë: Poligamia, mbyllja e femrës në shtëpi, mbulesa, e drejta e mashkullit në shkurorëzim, e drejta e mashkullit në ushtrimin e metodave sikur që janë fuqia fizike, refuzimi i fjetjes me gruan, e drejta e mashkullit me “femrat me të cilat disponon”, pozita më e lartë e burrave në krahasim me gratë dhe pjesa dy herë më e madhe në trashëgim.

I thashë atij: Akuzat këtë herë janë të shumënumërta, prandaj edhe biseda do të zgjasë diç më shumë. Të nisemi prej fillimit.
Në periudhën paraislamike, fëmija femër me lindjen e saj ishte e dënuar me varrosjen e saj të gjallë. Mashkulli kishte të drejtë në dhjetë, njëzet, me fjalë të tjera në numër të pakufizuar grashë. Robëreshat e veta i detyronte që me anë të kurvërisë t’i sjellin dobi materiale. Duke e lejuar martesën me më së shumti katër gra, Islami, në të vërtetë, e vendosi kufizimin e poligamisë dhe tendencën për suprimimin e saj. Ky hap i Islamit ka qenë shpëtimtar për femrën, sepse e ka shpëtuar prej turpit, përçmimit, skllavërimit dhe vdekjes më brutale, të dhunshme. Që këtë mos ta arsyetojmë në mënyrë të veçantë, të pyetemi, a thua femra bashkëkohore në kushtet formale të martesës monogamike është e lumtur, e kënaqur dhe në nivelin e duhur të dinjitetit njerëzor, kur dimë se është fundosur në jetën ku sundon korrupsioni dhe amoraliteti i të gjitha llojeve. Ç’është më dinjitoze për femrën: të jetë gruaja e dytë në martesë ligjore me të gjitha të drejtat apo të bëhet dashnore që në fshehtësi kërkon kënaqësi fizike.
Përveç kësaj, Islami poligaminë e kushtëzoi ashtu që gati ajo është e pamundur. Me fjalë të tjera, martesa me dy, tri dhe më së shumti katër gra i është lejuar njeriut i cili mund të jetë i barabartë dhe i drejtë ndaj të gjithave:
“… Por, në qoftë se frikësoheni se nuk do të jeni të drejtë, atëherë (kënaquni) vetëm me një!…” (En-Nisâ, 3) dhe “Ju nuk mund të jeni plotësisht të drejtë ndaj grave tuaja, sikur ju këtë edhe ta dëshironit…” (En-Nisâ, 129).

Sa i përket lidhshmërisë së femrës me shtëpinë, kjo si urdhër ka të bëjë vetëm me bashkëshortet e Të dërguarit të Zotit, sepse ato merren si shembuj ideal për femrat: “Në shtëpitë tuaja qëndroni…” (El-Ahzâb, 33).
Nga kjo shihet rekomandimi islam për femrën si nënë dhe amvise, femrën e cila tërësisht i përkushtohet familjes dhe shtëpisë së vet. Mirëpo, Islami nuk ia ndaloi femrës daljen prej shtëpisë dhe marrjen me punë të ndryshme, nëse këtë nevojat e kërkojnë. Tekefundit në historinë e popujve islamë gjejmë një numër të madh femrash të cilat u dëshmuan si juriste dhe poete të shkathëta. Muslimanet kanë marrë pjesë në luftëra njëlloj sikur që kanë marrë pjesë edhe në të gjitha sferat e jetës kulturore.
Ajeti i theksuar paraprak paraqet vizionin e gjendje s ideale sa i përket pozitës së femrës,ndërsa ndërmjet gjendjes ideale, të mundshme dhe të vërtetë ekzistojnë, natyrisht, dallime të mëdha. Edhe gratë e Pejgamberit të Zotit kanë shkuar në luftë bashkë me të.

Kaherë është zbuluar se në fiset primitive në të cilat femrat janë të zbuluara, gatise nuk ka ndjenjë dashurie. Meshkujt dhe femrat takohen vetëm një herë një muaj, e nëse ajo mbetet me barrë, marrëdhëniet seksuale ndërpriten dy vjet.
Edhe në përvojën tonë kemi shembuj të shumtë të cilët e dëshmojnë këtë të vërtetë. Trupat lakuriq të femrave të cilat na rrethojnë verës nëpër plazhe nuk janë joshës, tërheqës dhe nxitës sikur kur janë të mbuluar. Është e pakontestueshme se femrës më së shumti i ka mbetur të jetë e dashur dhe se si femër, së pari dhe më së shumti e përul ajo që ia heq nxitjen dhe tërheqshmërinë.

Sa i përket kundërshtimit për të drejtën e mashkullit në shkurorëzim, do të jemi krejtësisht të shkurtër. Sikur që mashkulli mund ta shkëpusë martesën, këtë mund ta bëjë, me anë të gjyqit, edhe femra po qe se ka shkaqe të arsyeshme. Në anën tjetër, femra me rastin e lidhjes së kurorës, themelimin e saj mund ta kushtëzojë me të drejtën e saj për shkurorëzim. Përveç kësaj, ekziston një dallim qenësor në pozitën bashkëshortore të muslimanes dhe femrës evropiane. Me rastin e lidhjes së martesës, muslimani pranon mehrin, ndërsa femra në Perëndim sjell miraz (prikën). Muslimanja, më tej, krejtësisht e pavarur disponon me pasurinë e saj, derisa me pasurinë e evropianes disponon burri i saj.

E drejta e mashkullit në aplikimin e mjeteve fizike dhe largimin prej shtratit bashkëshortor, ka të bëjë vetëm ndaj atyre femrave të cilat shprehin disa lajthitje të caktuara seksuale dhe bashkëshortore. Kryesisht kjo ka të bëjë me dy ekstravaganca më të përhapura dhe psikologjikisht të shpjeguara: mazohizmin dhe sadizmin. Në rastin e parë femra dëshiron të jetë fizikisht e munduar, kurse në rastin tjetër, që ajo ta mundojë bashkëshortin.
Kjo, në të shumtën e rasteve mund të kuptohet si mu’xhize kur’anore, sepse shumë para çfarëdo zbulimeve psikologjike, i ka vënë këto veti dhe marrëdhëniet ndaj tyre duke i lejuar mashkullit që femrën mazohiste ta shërojë me ilaçin që e dëshiron ajo, kurse ato janë të rrahurat fizike, ndërsa femrën sadiste ta shërojë me braktisjen e shtratit bashkëshortor:
“… E pastaj në shtrat ndanu nga ato, e madje edhe rrahni…” (En-Nisâ, 34).
Këto dy fjalë përmbajnë vëllime të tëra të hulumtimeve psikologjike për ekstravagancat seksuale të femrës dhe shërimit të saj.

Sa i përket kundërshtimit për të drejtën e mashkullit në “femrat me të cilat disponon”, të kuptuarit e tij ashtu siç duhet, parashtron diskutimin e raportit të Islamit ndaj robërisë. Është e njohur orvatja e disa orientalistëve që ta akuzojnë Islamin, duke pohuar se anon nga robëria, ndonëse Islami, sikur që këtë do ta shpjegojmë, është feja e vetme e cila kërkon suprimimin e robërisë. Nëse do ta lexonim Inxhilin (Ungjëllin) dhe po t’i shqyrtonim posaçërisht fjalët e apostullit Pal nga shkresat e tij të drejtuara popullatës së Efsusit, do të gjenim thirrjen më të hapët për robëri, në të vërtetë, kërkesën më të drejtpërdrejtë të përuljes së tillë të robërve ndaj zotërinjve, e cila është e njëjtë me përuljen ndaj Zotit:
“Ejjuhe-l-abid.. Ettîû sâdetikum bi hawfin we ra’detin fi besâtati kulubikûm kemerr-rabbi.” (Inxhili).
“O ju robër!! Nënshtrojuni zotërinjve tuaj me frikë dhe brengë në përuljen e zemrave tuaja sikur Zotit!”

Inxhili nuk ka kërkuar suprimimin e robërisë sikur sistem. Qëllimi i tij i fundit ka qenë vendosja e dashurisë dhe marrëdhënieve të mira midis robërve dhe zotërinjve të tyre.
Sipas Teuratit ekzistues, fati i të lirëve është më i keq se sa fati i robërve. Prej porosive të tij është që: banorët e vendit të cilët dorëzohen pa luftë merren si robër, derisa banorët e vendit të cilët kundërvihen me armë e pastaj dorëzohen, u ekspozohen armëve dhe vriten. Tmerrit nuk mund t’i shmangen as gratë, as fëmijët, as pleqtë.
Pra robëria, para paraqitjes së Islamit ka qenë dukuri e rëndomtë dhe e përhapur, ndërsa fetë para Islamit porositnin nënshtrim ndaj zotëriut.

Kur’ani është libri i parë i shpallur i cili flet për lirimin e robërve. Ai nuk e ndaloi kategorikisht robërinë as që kategorikisht kërkoi lirimin e robërve, sepse realizimi praktik i qëndrimit të tillë në kuptimin e tij të vërtetë do të thotë shkatërrim i strukturës së tërësishme të shoqërisë së atëhershme. Kjo në të vërtetë, do të thoshte dalje e qindra mijëra lypsave nëpër rrugë duke kërkuar lëmoshë ose të vjedhin, plaçkisin, të merren me kurvëri për shpëtimin e lëkurës. Është e panevojshme të theksohet se një gjendje e tillë do të ishte më e keqe se sa robëria. Andaj Kur’ani ka konstatuar realisht rrugën më të pranueshme, rrugën e eliminimit gradual të robërisë. Ai fillon ashtu që së pari e mbyll robërinë e gjetur dhe pastaj i shkatërron të gjitha burimet e saj. Në atë kohë robërimi në luftë ishte burimi kryesor i robërisë dhe Kur’ani urdhëroi lirimin e robërve, me apo pa kompensim dhe ndaloi që robërit e zënë në luftë të shndërrohen në robër:
“…E mandej, ose me zemërgjerësi nga robëria lironii, ose dëmshpërblim kërkoni…” (Muhammed, 4).

Pasi që i likuidoi burimet e robërimit të ri, do të thotë e pamundësoi zgjerimin e tij të mëtejshëm, Kur’ani me mjete jashtëzakonisht efikase praktike e hapi rrugën për suprimimin e plotë të robërisë. Muslimanit i cili bën ndonjë mëkat, Kur’ani si formë të kompensimit i ofroi lirimin e robit, me atë që pesha e mëkatit është harmonizuar me numrin e robërve të cilët duhet liruar.
Në aspektin e robërisë së femrave, për çka flet miku ynë, gjendja është në shenjë të të lartshënuarës. Mirëpo, është e nevojshme të theksohet që deri në suprimimin përfundimtar të robërisë, mashkulli ka të drejtë të sillet me robëreshën sikur me gruan e tij të ligjshme, por jo edhe ndryshe. Nëse i kemi përmendur marrëdhëniet ndaj robëreshës sikur ndaj gruas së ligjshme, për atë kjo do të thotë nder e kurrsesi përulje.

Në të njëjtën kohë duhet të jemi të vetëdijshëm se Islami me proklamatën e tij për vëllazërimin e njerëzve, robin e barazoi me zotëriun e tij:
“Vërtet, besimdrejtët janë vëllezër.” (El-Huxhurât, 10).
“Ai është i cili ju krijoi vetëm prej një vete (njeriu)…” (El- A’râf, 189).
“… Dhe njëri-tjetrin, në vend të All-llahut, mos t’i konsiderojmë si zotër!” (Âli Imrân, 64).

Muhammedi (a.s.) me një shembull të vetin ka treguar se si do të eliminohet robëria. Ai robin Zejd ibni Harithin së pari e birësoi, pastaj e liroi dhe e bëri si bir të vetin. Shkoi edhe më larg dhe ia kurorëzoi vajzën e një familjeje të njohur fisnike, Zejneben, të bijën e Xhahshit. Muhammedi (a.s.) këtë e bëri për shkak që njëherë e përgjithmonë t’i shkatërrojë të gjitha aspektet e mendje madhësisë dhe anshmërive. Lirimin e robërve e bëri praktikë të cilën muslimanët, ithtarët e tij, duhet ndjekur. Ai, më tej, me vepër dhe shembull vetjak, tregoi se misioni i tij është lirimi i plotë i njeriut nga të gjitha aspektet e robërisë (përveç Një, të Vetmit Zot).

Në kundërshtimin e mikut që ka të bëjë me ajetin në të cilin Kur’ani e shënon aftësinë më të madhe të meshkujve nëse krahasohen me femrat dhe ate në kryerjen më efikase të (disa) punëve, përgjigjemi ashtu që mikut i përkujtojmë që pak më mirë ta shohim realitetin jetësor, gjendjen faktike si në botën muslimane ashtu edhe në botën jomuslimane. Gati në të gjitha vendet e botës, meshkujt janë ata të cilët e kanë sundimin në duart e tyre. Ata miratojnë ligjet dhe dispozitat. Edhe të gjithë pejgamberët e Zotit kanë qenë të gjinisë mashkullore. Gati e njëjta gjë është edhe me filozofët, e deri diku edhe me kompozitorët, edhe pse vetë komponimi më tepër mbështetet në fuqi të imagjinatës se sa në fuqi të muskujve. Akkadi (mendimtari dhe islamologu i njohur egjiptian, N. I.) me ironi thotë se madje edhe gatimi, qepja dhe modelimi ja në punë të cilat përndryshe mendohen specialitete të femrave, terren jo i rrallë ku meshkujt ua tejkalojnë femrave.

Të gjitha këto janë fakte në të cilat sheriati islam nuk ka kurrfarë kontributi, sepse këto janë dukuri të përgjithshme në të gjitha pjesët e botës, dhe atje ku sheriati islam nuk sundon as që gjykohet sipas Kur’anit. Të gjitha këto janë të vërteta faktike. Mashkulli është më i qëndrueshëm se femra sipas ligjit të natyrës, duke iu falënderuar ndërtimit të tij të trupit, me të cilin Krijuesi e ka dhuruar. Nëse diku në botë edhe ndodh që femra të zgjedhet për ministre, udhëheqëse ose sunduese, kjo gjë është e rrallë dhe përjashtim i cili vetëm e konfirmon parimin. Përveç kësaj, këtu është e nevojshme të theksohet se Islami vetëm e ka regjistruar parimin tashmë ekzistues.

Pas gjithë kësaj që u tha, bëhet plotësisht i qartë qëndrimi i Islamit për çështjen e trashëgimit, kur e ka paraparë që mashkulli të trashëgojë pjesën dy herë më të madhe në krahasim me femrën. Kur’ani këtë përparësi ia dha mashkullit thjesht sepse mashkulli është ai i cili shpenzon në mbajtjen e tërë familjes nga ajo që personalisht e fiton me punën dhe djersën e tij. Ai nuk mund të marrë pjesë në pasurinë e gruas së tij (pa lejen e saj).
Nga e ekspozuara mund të përfundojmë se qëndrimi i Islamit ndaj femrës është plotësisht me vend dhe i drejtë. Sjellja e Muhammedit (a.s.) ndaj bashkëshorteve të tij ka qenë mishërim i dashurisë. Ndaj tyre ka treguar simpati dhe respekt të plotë. A nuk tha:
“Nga bota juaj të dashur më janë gratë dhe aroma, kurse gëzimi im më i madh është në namaz”.
Siç shihet nga fjalët e tij, gratë janë përmendur së bashku me aromën dhe namazin. Edhe fjalimin e tij të fundit lamtumirës të drejtuar as’habëve kur ndahej nga kjo botë, e përfundoi me porosinë që të jenë të sjellshëm ndaj bashkëshorteve të tyre.

Dhe në fund, All-llahu i Gjithëmundshëm xhel-le shanuhu, mashkullit ia besoi ndërtimin, ngritjen dhe rregullimin e jetës, por femrës ia dhuroi rolin më të madh, më të rëndësishëm, më të rëndë dhe më të ndershëm: ia besoi edukimin e vetë njeriut.
Ky besim, pa mëdyshje paraqet nderin më të madh për femrën. Prandaj, a mund të konfirmohet pas tërë kësaj të ekspozuarës, se Islami ndaj femrës ka qenë i padrejtë dhe se i ka bërë dhunë?!!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit