-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

I deklaruari “i sëmurë mental” zbulohet duke bërë biznes nga burgu

Më të lexuarat

Fahredin Gashi, i dënuar në rastin “Bllaca 1” për vrasjen e Salih Gashit, është zbuluar duke komunikuar me telefon nga burgu me partnerët e tij të biznesit. “Të dhënat e siguruara nëpërmjet përgjimeve mbështesin dyshimin se edhe pse disa prej anëtarëve janë në burg, ata mbesin aktiv për sa i përket organizimit dhe drejtimit të grupit”, thuhet në vendim.

“Sëmundja mendore” nuk e ka penguar, Fahredin Gashin, që të bëjë biznes me prona shtetërore edhe nga burgu.

I dënuar me 15 vjet burg në rastin “Bllaca 1” dhe i akuzuar në rastin “Blllaca 2”, është përgjuar duke komunikuar me anëtarët tjerë të grupit, gjatë kohës kur ai është paraqitur me çrregullime mendore.

“Të dhënat e siguruara nëpërmjet përgjimeve mbështesin dyshimin se edhe pse disa prej anëtarëve janë në burg, ata mbesin aktiv për sa i përket organizimit dhe drejtimit të grupit”, thuhet në vendim.

Gjyqtari thotë se gjatë komunikimit nëpërmjet telefonit të burgut kanë rënë, Fahredin Gashi, Shaban Syla dhe Driton Hajdari.

“Pretendohet se Azem Syla është dhe ka qenë kreu i këtij grupi të organizuar për më shumë vite dhe se ai ka siguruar financimin fillestar për grupin dhe ka mbajtur rolin mbikëqyrës përgjatë tërë operacionit”, shkruan në vendim.

Biznesmeni nga Shtimja është i dënuar për vrasjen e Salih Gashit të kryer në qershor të vitit 1999. Gashi ka qenë duke u gjykuar së bashku me Shpresim Ukën dhe të tjerët, por për shkak të këtyre problemeve në shtator të vitit 2012, lënda e tij ishte veçuar. Të tjerët janë dënuar me 54 vjet burgim për vrasjen e Ibush Kllokoqit dhe vrasjen në tentativë të Adem Salihajt.

Edhe në gjykimin që ishte zhvilluar në Gjykatën e Apelit, Gashi ishte deklaruar i paaftë.

Tahir Rrecaj kishte provuar të komunikonte me klientin e tij në Gjykatën e Apelit.

“Fahredin si je, a je mirë. A po e di ku je?”, e kishte pyetur ai.

“Në shkollë”, ishte përgjigjur Gashi.

“Fahredin, jemi në Gjykatë të Apelit. Unë kam ba një ankesë e cila po shqyrtohet. A po e din pse je këtu?”, kishte insistuar Rrecaj.

“Ni lopë më ka hup. E kam rreh me thupër, s’e di ku ka mbet”, ishte përgjigjur Fahredin Gashi i njohur si Faruku.

Por, nga përgjimet telefonike, Prokuroria e ka zbuluar se ai është duke u shtirë dhe se gjatë kësaj kohe ka komunikuar me anëtarët tjerë.

Prokuroria pretendon se bazuar në rezultatet hetimore të deritashme, deputeti Azem Syla, ka organizuar, i financuar dhe mbikëqyrur një grup kriminal.

Syla, së bashku me Fahredin Gashin, dyshohet se kanë fituar pronësi në mënyrë të paligjshme të dhjetëra hektarëve tokë të shtetit në vlerë mbi 30 milion euro.

Fahredin Gashi, pretendohet se është anëtar i rangut të lartë të grupit i cili punon drejtpërdrejt nën ta.

Grupi pretendohet se ka nisur veprimtarinë që nga viti 2006.

Prokuroria pretendon se ngastrat e tokës të përvetësuara në mënyrë të paligjshme, dekada më parë ishin shpronësuar nga prona private dhe ishin bërë të shtetit. KBI Kosova Export, menaxhonte me to.

Pas luftës, këto prona në mënyrë të paligjshme – me vendime gjyqësore të paligjshme dhe me dokumente fals, janë bartur në emra të pronarëve të vjetër. Mirëpo, ata pronarë nuk kanë ditur fare për këtë. Në këtë mënyrë, pronat janë shitur pronarëve të rinj shqiptarë.

Pronarët e vjetër janë kryesisht serbë, të cilët kanë ikur nga Kosova pas luftës.

Dokumentet të cilat i referohen ngastrave të tokës të cilat fillimisht iu ishin kthyer familjeve serbe, ishin larguar dhe zëvendësuar, apo plotësuar, me dokumente të rajt të falsifikuara, duke listuar ngastrat e KBI Kosova Export të cilat ishin me vlerë më të madhe se sa ngastrat origjinale të listuara në vendim.

Prokuroria thotë se transferimi i ngastrave të tokës ishte autorizuar nga zyra kadastrale pa miratimin e KPA-së. Pretendohet se grupi pastaj ka shitur tokën nëpërmjet njërës prej dy metodave.

“E para, të pandehurit Shaban Syla, Edvard Gashi dhe Hajrullah Beridha kanë shitur tokën drejtpërdrejt tek palët e treta, apo, e dyta. Grupi ka kryer shitje të rrejshme duke bërë transferimin e pronësisë së tokës tek anëtarët e grupit”, thotë Prokuroria.

Ndërkohë, deputeti Syla ndodhet jashtë vendit. Autoritetet kanë thënë se ai është në arrati prej dhjetë ditësh, ndërkohë që në fillim të kësaj jave ai është shfaqur në krah të kryeministrit, Isa Mustafa dhe kryeparlamentarit, Kadri Veseli gjatë përurimit të një shkolle në Komoran.

Syla ka thënë se është i pastër.

“Unë Azem Syla dua t’i garantoj familjarët e mi, miqtë, bashkëluftëtarët dhe të gjithë qytetaret e Republikës së Kosovës, se asnjë nga pretendimet e ngritura ndaj meje, nuk qëndrojnë, janë të pavërteta, tendencioze dhe qëllimkëqija”, ka thënë Syla.

“Unë absolutisht jam i pastër, dhe kjo pastërti do të dëshmohet shumë shpejt nga organet e drejtësisë.– Një jetë të tërë ja kam kushtuar krijimit dhe ndërtimit të shtetit të Republikës së Kosovës, prandaj jam i prirë fuqishëm të besoj në organet e drejtësisë së vendit tim”, ka thënë ai.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit