Prokuroria e Tiranës kërkon dënimin për disa prej personave, të përfshirë në skemën mashtruese të ilaçeve, e njohur ndryshe si “Farmacia 1”. Këta persona, përfshirë zyrtarë të Fondi të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor dhe farmacistë, kanë qenë të përfshirë në një skemë mashtruese financiare me rimbursimin e medikamenteve, nga e cila i është shkaktuar shtetit dëm rreth 56 milionë lekë.
Në përfundim të procesit gjyqësor për një pjesë të personave të përfshirë në këtë skemë, Prokuroria e Tiranës kërkoi deklarimin fajtor të të pandehurit Hysni Roçi për veprën penale të “mashtrimit” të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 6 vjet burgim.
Hysni Roçi, pronar i disa farmacive, akuzohet se iu ka marrë licencat drejtuesve teknikë të farmacive “Lundër”, “Bërzhitë”, “Adelina” dhe “Nutrimed”, me qëllim përfaqësimin e tyre në raportet me Fondin Rajonal të Kujdesit Shëndetësor për përfitimin e rimbursimit të ilaçeve.
Nga hetimi ka rezultuar se këto farmaci, gjatë periudhës shtator 2014 – mars 2015, kanë përfituar shuma të konsiderueshme në mënyrë të padrejtë, nga rimbursimi i ilaçeve që kanë deklaruar se kanë shitur, por që në të vërtetë rezulton se nuk kanë shitur ato sasi. Madje, sipas prokurorië, rezulton se kanë deklaruar si të shitura ilaçe, të cilat nuk i kanë pasur asnjëherë në dispozicion. Drejtuesit teknikë të farmacive kanë deklaruar gjatë hetimit, se nuk kanë kryer veprime me Fondin.
Kërkesat e prokurorisë
1 – Deklarimin fajtor të të pandehurit Hysni Roçi për veprën penale të “mashtrimit” të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 6 vjet burgim.
2 – Deklarimin fajtor të të pandehurit Pjerin Xhuvani për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248,25 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 4 vjet e 6 muaj burgim. Në bazë të nenit 35 të Kodit Penal t’i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej tre vitesh.
3 – Deklarimin fajtor të së pandehurës Edlira Mara për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248,25 i Kodit Penal dhe dënimin e saj me 3 vjet burg. Deklarimin fajtor të së pandehurës Edlira Mara për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga neni 186/3,25 të Kodit Penal dhe dënimin e saj me 2 vjet burg. Në bashkim të dënimeve, në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, dënimin e së pandehurës Edlira Mara përfundimisht me 5 vjet burgim. Në bazë të nenit 35 të Kodit Penal t’i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej tre vjetësh.
4 – Deklarimin fajtor të së pandehurës Frida Lamçe për kryerjen e veprës penale të “falsifikimit të dokumentit”, parashikuar nga neni 186/3,25 të Kodit Penal dhe dënimin e saj me 1 vit e 9 muaj burgim. Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për pjesën e mbetur, duke e vënë të pandehurën në provë për një periudhë kohe prej 18 muajsh. Në bazë të nenit 35 të Kodit Penal t’i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 1 viti.
5 – Deklarimin fajtor të të pandehurit Fatbardh Budo për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga neni 186/3, 25 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 vjet burgim.
6 – Deklarimin fajtor të të pandehurës Mimoza Tufi për veprën penale të “mashtrimit” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal dhe dënimin e saj me tre vjet burgim. Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim, duke e vënë të pandehurën në provë për një periudhë kohe prej 18 muajsh. Në zbatim të nenit 39 të Kodit Penal t’i hiqet e drejta për të ushtruar profesionin e drejtuesit teknik për një periudhë kohe prej 1 viti.
7 – Deklarimin fajtor të të pandehurit Arens Spahiu për veprën penale të “mashtrimit” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me tre vjet burgim. Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim, duke e vënë të pandehurin në provë për një periudhë kohe prej 18 muajsh. Në zbatim të nenit 39 të Kodit Penal t’i hiqet e drejta për të ushtruar profesionin e drejtuesit teknik për një periudhë kohe prej 1 viti.