-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

MARY WATSON – MËSUESE E TEOLOGJISË PRANON FENË ISLAME

Më të lexuarat

MARY WATSON – MËSUESE E TEOLOGJISË PRANON FENË ISLAME

Kam studiuar teologji tetë vjet, rrugën për në Islam e gjeta për një javë.

Distanca të mëdha e ndajnë dyshimin nga e sigurta, të mirën nga e keqja, por Mary Watson arriti të gjente vetveten pas shumë vjetësh kërkimi. Nga një mësuese universiteti në Filipine, në një besimtare muslimane. Mary përjetoi një rrugë të gjatë për të mbërritur te ndryshimi i emrit nga Mary në Hatixhe.

Në Qendrën e Komunitetit Buraida, Arabia Saudite, Mary tregon për vetveten dhe kthimin e saj në Islam.

Ju lutemi, a mund të na jepni një ide rreth jetës suaj, para dhe pas kthimit tuaj në Islam?

Falënderimi i takon Allahut për hyrjen time në Islam. Më parë emri im ishte Mary. Me bashkëshortin tim filipinas kam shtatë fëmijë. Kam lindur në Ohajo, SHBA, dhe shumicën e rinisë sime e kam kaluar në Los Angjelos dhe në Filipine. Sapo pranova Islamin ndërrova edhe emrin në Hatixhe. Zgjodha këtë emër, sepse e admiroj jetën e Hatixhes, Zoti qoftë i kënaqur prej saj. Ajo ishte e ve dhe kishte fëmijë. U martua me Pejgamberin a.s. në moshën 40 vjeçare, moshë në të cilën unë pranova Islamin. E dua shumë Hatixhen, sepse ajo e përkrahu dhe e mbështeti Pejgamberin a.s. pa asnjë hezitim.

Na tregoni pak për udhëtimin tuaj në Islam?

Kam një titull nga një kolegj në SHBA dhe një diplomë në teologji nga një fakultet në Filipine. Kam dhënë teologji në dy kolegje dhe kam punuar si predikuese e krishterë në një stacion radioje. Jam ftuar edhe në disa emisione televizive. Kam shkruar artikuj kundër Islamit, për të cilat lus Allahun të më falë. Kam qenë fanatike për fenë time (Krishterimin).

Si keni ndryshuar nga një misionare e krishterë në një aktiviste muslimane?

Një ditë, iu bashkova një fushate të misionarëve amerikanë për predikimin e teologjisë në Filipine. Gjatë rrugës për në Filipine, takova një profesor filipinas musliman që punonte përkohësisht në një vend arab.
Me të vërtetë ai ishte ndryshe. Sjelljet e tij tërhoqën vëmendjen time. Fillova t’i parashtroj disa pyetje, nga ku kuptova se ai e kishte përqafuar Islamin atje. Shumë pyetje më mundonin. Pse e kishte ndërruar fenë? Duhet të kishte diçka në Islam që e kishte tërhequr. M’u kujtua një shoqe e imja filipinase, e cila ndërsa punonte në Arabinë Saudite, kishte pranuar Islamin. Shkova tek ajo dhe i bëra shumë pyetje rreth Islamit.
Pyetja e parë ishte: Cili është qëndrimi i Fesë Islame ndaj femrës? Unë kisha një ide false, se femra muslimane është e keqtrajtuar dhe se nuk ka asnjë të drejtë. Po ashtu, mendoja se Islami e mbyll femrën në shtëpi dhe e shtyn burrin që ta rrahë gruan.
Ajo më shpjegoi se të gjitha mendimet e mia ishin të gabuara. Unë i besova dhe pastaj i parashtrova shumë pyetje rreth Allahut dhe Muhammedit a.s.. Ajo më propozoi të shkoja në Qendrën Islame, ku do të merrja përgjigje për të gjitha pyetjet, për të cilat isha e interesuar.
Fillimisht hezitova, por ajo më dha zemër të shkoja. Iu luta Allahut që të më udhëzonte në rrugën e drejtë. Në Qendrën Islame të pranishmit u habitën kur më dëgjuan duke folur rrjedhshëm për Krishterimin, por u zhgënjyen kur panë se kisha informacione të rreme rreth Islamit. Më sqaruan gjithçka dhe në fund më dhanë disa libra.
Fillova t’i lexoj dhe i vura detyrë vetes që të bisedoja me ta për Islamin tri orë në ditë.
Në mbarim të javës së parë lexova 12 libra të shkruar nga autorë muslimanë. Përfundimi ishte se zbulova se ç’libra të falsifikuar ishin shkruar nga të krishterët për Islamin dhe muslimanët.
Pas leximit të atyre librave dhe pas bisedave në Qendrën Islame, në mbarim të javës u binda se Islami është fe e vërtetë, se Allahu është Një dhe se Ai është i Vetmi që m’i fal mëkatet dhe më shpëton nga ndëshkimi Ditën e Kijametit.
Megjithatë, ende kisha disa pasiguri dhe dyshime, sepse djalli ndizte frikë e shqetësime në zemrën time.
Qendra Islame më dha leksione intensive në Islam, e unë gjithmonë i lutesha Allahut që të gjeja të vërtetën.
Dy muaj pas kontaktit me qendrën, më ndodhi diçka.
Isha duke fjetur. Papritmas diçka më preku në zemër. U ngrita nga shtrati dhe fillova të shqiptoj pandërprerë shehadetin (dëshminë e fesë) dhe kështu arrita ta largoj këtë ngushtim të papritur dhe u thellova në ndjenjën e rehatisë e të qetësisë.
Ajo ditë u bë ditëlindja ime e vërtetë.

Si është jeta juaj tani?

Pasi pranova Islamin, e lashë punën si mësuese e teologjisë. Disa muaj më vonë, Qendra Islame më ftoi të organizoja kurse fetare për Islamin për femra. E vazhdova këtë punë për afro dy vjet e gjysmë. Më pas u zhvendosa në Arabinë Saudite, si thirrëse speciale për komunitetin filipinas.

Po fëmijët tuaj?

Gjatë punës sime në Qendër, në Filipine, gjithnjë sillja në shtëpi libra dhe revista islame. Qëllimisht i sillja dhe i lija mbi tavolinë, me shpresë që biri im Kristoferi do t’i lexonte dhe do të gjente të vërtetën. Në fakt, ai dhe shoku i tij nisën t’i lexonin. Ndërsa unë nuk gjendesha në shtëpi, ai dëgjonte shpesh alarmin me ezan. Pak kohë më vonë, më tha se kishte dëshirë të pranonte Islamin. U lumturova pa masë kur e dëgjova këtë. Disa pjesëtarë të Qendrës Islame erdhën në shtëpinë tonë dhe e diskutuan Islamin me Kristoferin. Përfundimisht ai pranoi Islamin. Ishte fëmija im i vetëm që pranoi Islamin dhe zgjodhi emrin Umer. E lus Allahun të m’i udhëzojë edhe fëmijët e tjerë në Islam.

Çka ka kaq të veçantë Islami që ju u konvertuat?

Janë fjalët e Kur’anit: “Po për secilin (veprues) ka shkallë (që do t’i arrijë) sipas asaj që vepruan.” (En’amë, 132)

Ç’libra keni lexuar?

E dua shumë leximin. Kam lexuar Sahihul Buhari, Sahihu Muslim dhe biografinë e Pejgamberit a.s.. Kam lexuar edhe për disa shokë të Pejgamberit a.s., disa libra mbi interpretimin e Kur’anit dhe disa libra të tjerë.

Mjedisi i ri sjell edhe telashe. A hasët vështirësi pas pranimit të Islamit?

Unë vazhdimisht kam udhëtuar mes SHBA-ve dhe Filipineve. Vajzat e mia janë martuar në SHBA. Pasi pranova Islamin, tri nga vajzat e mia u hidhëruan me mua. Fëmijët e tjerë këtë rast e konsideruan si çështje personale. Por, po më monitoronin shtëpinë dhe telefonatat. Prandaj, zgjodha të vendosem në Filipine. Familja e bashkëshortit tim nuk më pranoi, edhe pse marrëdhëniet e mia me ta ishin shumë të ngrohta, pasi mua më kishin vdekur prindërit. Tri ditë rresht nuk m’u ndalën lotët. Fëmijët në rrugë më thërrisnin “tenda”, për shkak të stilit të rrobave që kisha vendosur të mbaja, Të gjithë miqtë më braktisën.

Pas konvertimit tuaj në Islam, a keni marrë pjesë në ndonjë konferencë ose simpozium?

Nuk kam marrë pjesë në asnjë konferencë ose simpozium. Kam dhënë shumë leksione në Universitetin e Filipineve. Kam marrë shumë ftesa nga zyrtarë të lartë e të shquar që të mbaj debate me të krishterët, por kam refuzuar, pasi debatet e tilla bëhen me biseda të zjarrta. Unë nuk e preferoj këtë mënyrë thirrje në Islam, më mirë më duket thirrja në mënyrë individuale.

Ç’mund të na thoni për përhapjen e muslimanëve?

Pas leximeve të mia për Islamin dhe pasi u bëra muslimane, e kuptova pse Islami ndryshon nga besimet e tjera. Sipas vlerësimit tim, Islami është feja që po përhapet shpejt në botë, se muslimanët janë të qëndrueshëm, sepse nuk e ndryshojnë fenë e tyre të vërtetë. Asnjë fe tjetër nuk mund t’u japë atë që Islami u jep.

Ç’dëshironi për veten dhe Islamin?

Për veten, dëshiroj të udhëtoj në Afrikë që të predikoj dhe t’u mësoj të tjerëve Islamin. Dëshiroj të vizitoj Egjiptin, të shoh faraonët dhe gjurmët e tyre të përmendura në Kur’an si vërejtje për mbarë njerëzimin.
Sa i përket Islamit, duhet të tregojmë bukurinë dhe fortësinë e tij në vendet ku është shtrembëruar dhe ku luftohet mizorisht nga mediet. Kemi nevojë për muslimanë të fortë që t’ia mësojnë botës Islamin

marrë nga Forum-Islamik.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit