3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Pengesat e udhëzimit

Më të lexuarat

Pasiqë dhuntia e plotë e All-llahut ndaj robit është me udhëzim dhe mëshirë, kurse e kundërta është lajthitja dhe hidhërimi, All-llahu [subhanehu ve teala] na ka urdhëruar që çdo ditë gjatë ditës dhe natës ta lusim që të na udhëzojë në rrugë të drejtë, në rrugën e atyreve që u ka dhënë dhunti, të cilët janë të udhëzuarit dhe të mëshiruarit dhe të na largojë nga rruga e atyreve mbi të cilët është i hidhëruar, të cilët janë të kundërtit e të mëshiruarve dhe nga rruga e të lajthiturve, të cilët janë të kundërtit e të udhëzuarve.

Andaj kjo lutje është më përmbledhëseja, më e mira dhe e detyrueshmeja.

Nevoja e njeriut është shumë e madhe, madje e domosdoshme që t’i lutet All-llahut që ta udhëzojë në rrugë të drejtë për çdo ditë shtatëmbëdhjet herë, gjatë namazeve farz.

Përgjigja dallon nga njëriu në tjetrin nga shkaku i dobësisë së lutjes, sepse Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“All-llahu nuk pranon lutjen nga zemra e neglizhuar dhe që është e dehur në lozje”.

Neglizhenca gjatë lutjes e dobëson lutjen, ia asgjëson forcën.

Shumë njerëz mund të thonë: pse, edhe pas shumë lutjeve dhe tentimeve, sërish ankohemi nga udhëzimi i dobësuar?! Dëshiroj të udhëzohem, mirëpo nuk kam mundësi, vallë ku qëndron shkaku?!

Kjo është fotografia e problemit, vallë ku qëndron shkaku, cilat janë rezultatet dhe cili është shërimi?!

S’ka dyshim se pengesat e udhëzimit janë të shumta, herher mblidhen të gjithat në një person, e herher shpërndahen nga personi në tjetrin, ose mundet që një njeri ta ndal nga udhëzimi vetëm një pengesë. Ne do ti përmendim disa prej tyre, e ato janë dhjetë pengesa:

1- Dobësia e njohjes.

Plotësia e robit qëndron në dy gjëra:

a) Njohja e të vërtetës nga e kota;

b) Dhënja përparësi të vërtetës nga e kota.

Ka disa njerëz që e njohin të vërtetën, mirëpo nuk i japin përparësi ndaj të kotës aq sa duhet, andaj nëse një injorant e njeh të vërtetën, ai është afër nënshtrimit dhe pasimit. Ai me këtë e ka kryer gjysmën e punës, e i ka mbetur edhe gjysma tjetër, e ajo është vendoshmëria e fuqishme në udhëzim:

“All-llahu im, kërkojë vëndoshmëri në udhëzim”. (Ahmedi, hadithi është sahih).

Kurse All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Si do të durosh për atë që nuk je i njoftuar?”. (El-Kehf: 68).

Ky është shkaku i cili i pengon shumë mosbesimtarë nga pranimi i Islamit, ata nuk dinë asgjë për te, mirëpo sërish e urrejnë ate. Më herët është thënë: “njerëzit janë armiq të asaj që nuk e njohin”.

Fatëkeqësia më e madhe e muslimanëve është mosnjohja e tyre këtë fe.

Disa thonë: nëse pendohem dhe i kthehem Zotit, më pakësohet rizku dhe më vështirësohet jeta, kurse kur t’i ipem mëkatit dhe ia liroi frerin epshit, më vjen rizku dhe ndihma.

Ky njeri po e adhuron All-llahun për shkak të barkut dhe epshit të tij. E nëse është kështu, atëherë All-llahu e sprovon vërtetësinë e robit dhe durimin e tij.

Sa e sa injorantë e adhurues janë prishur nga shkaku i kësaj vetmahnitjeje?!

Sa e sa fetar, të cilët nuk janë largpamës?!

Sa e sa njerëz që shtiren të ditur, mirëpo nuk njohin të vërtetat e fesë?!

A nuk e ke lexuar ajetin:

“Ka nga njerëzit që adhuron All-llahun me mëdyshje (luhatshëm) nëse e godet ndonjë e mirë ai qetësohet më të, po nëse e godet ndonjë e pakëndshme, ai kthehet në fytyrën e vet të vërtetë (të mëparshme), ai e ka humbur këtë dhe jetën tjetër e ky është ai dështimi i qartë”. (El-Haxhxh: 11).

I lartësuar qoftë All-llahu!

Sa njerëz ka larguar kjo sprovë nga realizimi i të vërtetave të kësaj feje, kurse shkaku kryesor është: mosnjohja e fesë, mosnjohja e të vërtetës së dhuntisë të cilën e kërkon dhe për arritjen e së cilës mundohet dhe punon.

Sa i madh është dallimi mes të mirave të kësaj bote dhe të ahiretit?!

Kurse urdhërat dhe ndalesat janë mëshirë dhe mbrojtje, kurse All-llahu njerëzve ua ka bërë të vështirë jetën e kësaj bote që mos të jipen pas sajë dhe të vrapojnë pas të mirave të ahiretit.

2- Mosmeritimi.

Mundet që njohuria të jetë e plotë, mirëpo vendi i pranimit mundet të mos jetë i pastër dhe të mos e pranon këtë dituri.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Sikur të dinte All-llahu për ndonjë të mirë prej tyre, do t’i bënte të dëgjojnë, po edhe sikur t’i bënte të dëgjojnë, ata do të zbrapseshin të shtrembër”. (El-Enfal: 23).

Për shembull, toka shkambore mbi të cilën bjer uji, nuk ka mundësi të mbijë bima, sepse nuk e pranon ujin, po ashtu edhe nëqoftëse zemra është e vrazhdë nuk i pranon këshillat, e zemra aq sa ma larg All-llahut që është, aq ma e vrazhdë është.

Poashtu nëse zemra është e sëmurë, ajo zemër nuk ka forcë e as vullnet.

Ata i kanë këto cilësi që ua përmend All-llahu në Kur’an:

“Kur përmendet vetëm All-llahu, zemrat e atyre që nuk besojnë botën tjetër, neveriten, e kur përmenden, përveç Atij, të tjerët, ata gëzohen”. (Ez-Zumer: 45).

3- Zilia dhe mendjemadhësia.

Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem] ka treguar se çka është mendjemadhësia duke thënë:

“Mendjemadhësia është: refuzimi i të vërtetës dhe nënçmimi i njerëzve”.

E kundërta e kësaj është modestia, që domethënë pranimi i të vërtetës prej secilit dhe sjellja e butë.

Mendjemadhi është fanatik për mendimin dhe veprat e veta. Ky është shkaku që e shtyri Iblisin që mos t’i nënshtrohet urdhërit për sexhde. Kjo është sëmundjeja e të parëve dhe të fundive. Për shkak të kësaj sëmundjeje çifutët nuk i besuan Muhammedit [alejhisselam], edhe pse e njihnin dhe e kishin parë.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Atyre që u kemi dhënë librin, ata e njohin ate (Muhammedin) siç i njohin bijtë e vet, e një grup prej tyre edhe pse e dinë këtë, janë duke e fshehur të vërtetën”. (El-Bekare: 146).

All-llahu në këtë ajet përmendi se ata i njohin cilësitë e Pejgamberit [alejhisselam] ashtu si i njohin fëmijët e tyre, mirëpo ishin popull trillues.

Ky ishte shkaku që Abdull-llah ibn Ubej ibn Seluli ta refuzojë besimin.

Ky ishte shkaku pse Ebu Xhehli nuk besoi. Edhe e tregoi këtë, duke iu përgjigjur pyetjes së një njeriut për shkakun e refuzimit të pranimit të Islamit edhe pse e ka ditur se ajo është e vërtetë:

“Bënim gara me Hashimitët për nderin, sikurse të ishim kalorës të garave, saqë ata thanë: ne kemi Pejgamber, e ne nuk mundet t’i arrijmë ata në këtë gjë? Pasha All-llahun ne nuk do t’i besojmë”.

E tillë ishte situata edhe me idhujtarët tjerë, ata të gjithë nuk dyshonin në vërtetësinë e tij dhe se e vërteta është me te, mirëpo mendjemadhsia dhe zilia i shtyri që të shprehin kufrin dhe inatin.

4- Posti.

Ky njeri edhe pse nuk ka zili dhe mendjemadhësi ndaj të vërtetës, mirëpo nuk mundet të bashkojë mes nënshtrimit ndaj të vërtetës dhe pushtetit dhe pozitës, ashtuqë i jep përparësi pushtetit dhe pozitës, siç është rasti i Heraklit dhe të ngjajshmive me te. Ai në fund të bisedës me ebu Sufjanin tha:

“Poqëse kjo që e thua është e vërtetë, pushteti i tij do të arrijë këtë vend ku e shkeli më këmbët e mia. Po ta dija se mundem të arrijë deri te ai do të nisesha ta takojë, e po të isha te ai do t’ia laja këmbët”.

Ai nuk ka mundësi të arrijë te ai për shkak të frikës së tij për pushtetin dhe jetën e tij nga populli i vet. Askush nuk mundi të shpëtojë nga kjo sëmundje, përveç Nexhashiut.

Kjo është sëmundja e Faraonit dhe popullit të vet:

“Dhe thanë: “Si t’u besojmë dy njerëzve që janë si ne, kur populli i tyre është në shërbim tonë?”. (El-Muminun: 47).

Disa dijetarë të tefisirit kanë thënë: kur vendosi Faraoni t’i besojë Musait dhe ta pasoi u konsultua me Hamanin dhe ministrat e tij, e ai i tha: ti je hyj e adhurohesh prej tjerëve, si ka mundësi të pranosh e të bëhesh rob që adhuron zot tjetër përveç teje. Andaj ky zgjodhi postin dhe e braktisi udhëzimin.

5- Epshi dhe pasuria.

Këto dy gjëra i kanë larguar shumë njerëz prej ithtarëve të librit të besojnë, nga frika se u asgjësohet pasuria e cila u vjen nga populli i tyre.

Mosbesimtarët kurejshit e largonin njeriun nga besimi sipas epshit të tij; atij që e donte imoralitetin, i thonin: islami e ndalon imoralitetin; atij që e dëshiron alkoolin, islami e ndalon alkoolin. Kështu e larguan poetin El-A’sha nga islami duke i treguar se islami e ndalon alkoolin, e u kthye nga rruga për te Pejgamberi [salall-llahu alejhi ve sel-lem], e gjatë rrugës e rëzoi deveja dhe vdiq.

Disa dijetarë kanë thënë: shumë njerëz, ithtarë të Librit i kam thërritur në Islam, e njëri më thoshte: unë nuk e lë alkoolin, e nëse bëhem musliman, ju ma ndaloni e më rrahni nëse e përdori. Kurse një tjetër thoshte: ajo që thua ti është e vërtetë, mirëpo kam farefis të pasur, e nëse bëhem musliman nuk fitojë asgjë nga pasuria e tyre, e unë shpresoj të trashëgojë pasurinë e tyre. Pa dyshim se shumë mosbesimtar i kanë këto ndjenja, e nëse u tubohet forca e thirrjes së epshit dhe pasurisë me dobësinë e besimit, pa dyshim se ai do t’i përgjigjet epshit dhe pasurisë:

“E kush nuk i përgjigjet atij që thërret në rrugën e All-llahut, ai nuk është i pamposhtur në tokë dhe pos Atij, ai nuk ka mbrojtës, të tillët janë në një humbje të hapët!”. (El-Ahkaf: 32).

6- Dashuria ndaj familjes dhe fisit.

Ky njeri mendon se nëse e pason të vërtetën dhe bjer në kundërshtim me ta, ata do ta përzënë dhe largojnë prej tyre. Ky është shkaku që shumica e mosbesimtarëve kanë mbetur në mesin e tyre familjar dhe fisnor, po e njejta vlen edhe për të krishterët dhe çifutët, sepse ata i përzënë dhe i armiqësojnë të gjithë ata që u kundërshtohen. E kjo është shkaku që shumica prej tyre ta lënë të vërtetën dhe tia kthejnë shpindën edhe pse e kanë njohur ate.

Poeti thotë:

Kush e ka gjuhën e sëmurë

Edhe ujin e burimit e konsideron të idhët.

7- Dashuria e shtëpisë dhe vatanit.

Edhe po s’pati në këtë shtëpi dhe vatan familje e farfis, mirëpo mendon se me pasimin e Pejgamberit [salall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe atyreve që i kanë besuar dhe e pasojnë me sinqeritet, do të duhet të del nga shtëpia dhe vatani i tij në gurbet. Ashtuqë i jep përparësi vatanit të vet para Pejgamberit [salall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe para hyrjes në islam edhe pse është bindur në këtë gjë.

Ai që lexon jetëpërshkrimin e Selman Farisiut dhe lodhjen dhe rraskapitjen e tij në rrugën e ardhjes deri te Islami do të vërrenë se sa ka luftuar për këtë të vërtetë. Ai ka lënë familjen, farefisin, vatanin dhe është shpërngulur në Medinë. Këtë njeri për këtë edhe e kanë emërtuar “Kërkues i të vërtetës”.

Kështu ka qenë gjendja e shumicës së sahabeve që i kanë lënë familjet e tyre, fëmijët dhe pasurinë e kanë dalur në Medinë duke kërkuar dhuntitë e All-llahut dhe Kënaqësinë e Tij, për të ndihmuar All-llahun dhe Pejgamberin. Këta janë burrat e vërtetë.

8- Mendimi se hyrja në Islam dhe pasimi i Pejgamberit [salall-llahu alejhi ve sel-lem] domethënë nënçmim dhe akuzim i prindërve dhe gjyshërve.

Kjo është ajo që e pengoi Ebu Talibin dhe të ngjajshmit me te ta pranojnë Islamin. Ata mendonin se me pranimin e Islamit do të përbuznin mendimet e prindërve dhe gjyshërve të tyre. Andaj armiqtë e All-llahut gjatë vdekjes iu tubuan Ebu Talibit e i thanë:

“A dëshiron të largohesh nga feja e Abdul-Mutalibit?!”.

E fjala e fundit që e tha ishte: po vdes në fenë e Abdul-Mutalibit.

Ata e larguan nga e vërteta në këtë mënyrë, ngase e dinin se ai i madhëron prindërit dhe gjyshërit.

Më herët përmendëm se disa pengohen nga udhëzimi me epsh e disave në këtë mënyrë. Andaj Ebu Talibi pat thënë:

“Po mos të ofendoheshte fisi Abdul-Mutalib do të kënaqja ty (Muhammed) me pranimin e Islamit”. Ai këtë e thurri në varg:

“E di se feja e Muhammedit

është feja më e mirë e njerëzimit

po mos të ishte qortimi ose ofendimi

do të më gjeje i butë dhe publikues i sajë.

All-llahu [subhanehu ve teala] në Kur’an thotë:

“E kur ju thuhet atyre: “Ejani te ajo që zbriti All-llahu dhe te (çka thotë) i dërguari, ata thonë: “Na mjafton ajo që i gjetëm prindërit tanë”, (a mjafton) edhe nëse prindërit e tyre ishin që nuk dinin asgjë dhe nuk ishin në rrugë të drejtë”. (El-Maide: 104).

9- Nëse e urrenë një njeri dhe e ka armik, e nga inati i tij nëse ai hynë në Islam, ky nuk hynë.

Ky shkak i ka penguar shumë njerëz nga hyrja në Islam dhe nga pasimi i udhëzimit pasiqë e kanë njohur ate!

Nëse një njeri ka ndonjë armik dhe e urrenë ate, nuk e do as tokën mbi të cilën ecë ai dhe vazhdimisht insisiton që ta kundërshtojë ate, e nëse ai e pranon të vërtetën, ai nga urrejtja që ka ndaj tij e armiqëson të vërtetën dhe bartësit e sajë edhe pse mes tij dhe të vërtetës ose bartësve të saja nuk ka pasur asnjë farë armiqësie.

Kështu ka qenë puna e çifutëve me ensarët. Çifutët ishin armik të ensarëve dhe u kërcënoheshin me daljen e Pejgamberit dhe se ata do ta pasojnë dhe me te do t’i luftojnë. E pasiqë ensarët ua kaluan në pranimin e Pejgamberit [salall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe hyrjen në Islam, armiqësia që kishin ndaj tyre e shprehën edhe ndaj islamit dhe vendosën të mbeten në kufër dhe ebreizëm.

10- Zakoni, edukata dhe adeti.

Ky mundet të jetë shkaku më i dobët, mirëpo më i përhapur ndër njerëz, popuj dhe fise. Ky është arsyetimi i shumicës prej tyre.

Feja e traditës është ajo që i sundon shumicën e njerëzve, e kalimi nga një adet në tjetrin është sikurse kalimi nga një natyrë në tjetrën.

Paqa dhe bekimi qofshin mbi Muhammedin dhe mbi pejgamberët në përgjithësi, për shkak të forcës që patën në ndryshimin e adeteve dhe zakoneve të kota të njerëzve dhe i shndërruan në besimtar, duke krijuar te ata natyre tjetër, me të cilën dolën nga adetet dhe natyra e tyre e prishur:

“Ja pra, Ne nuk kemi dërguar para teje pejgamber në ndonjë vendbanim, që të mos i ketë thënë paria e begatshme e tij: “Ne i gjetëm të parët tanë në këtë fe dhe ne jemi të orientuar gjurmëve të tyre”. (Ez-Zuhruf: 23).

Askush nuk e di vështirësinë e kësaj pune përveç atij që ka punuar në ndërrimin e besimit dhe adeteve të një njeriu dhe kalimin e tij në besim të shëndoshë. All-llahu i shpërbleftë pejgamberët më së miri që shpërblen ndonjërin nga njerëzit.

Kurse shkaqet e udhëzimit janë të shumta, prej tyre është: duaja, Kur’ani, pejgamberët, mendja e kthjellur, ashtu sikurse shërimi nga sëmundjet ka shkaqe ashtu edhe udhëzimi i ka shkaqet e veta.

I sëmuri nëse sëmuret shkon te mjeku dhe vepron shkakun për të arritur shërimin dhe këndjelljen, poashtu edhe te udhëzimi, ajo ekziston, mirëpo duhet pasur para sysh shkaqet.

All-llahu na mundësoftë t’i njohim shkaqet e udhëzimit e të udhëzohemi dhe t’i njohim pengesat e udhëzimit dhe të largohemi prej tyre. Amin.

All-llahun e falënderojmë kurse paqa dhe bekimi qofshin mbi Muhammedn [alejhisselam].

Autor: Abdur-Rahman Jahja

Përshtati: Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit