0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Ndërsa po rritet varësia nga rrjetet sociale, ja 10 arsye pse duhet ta braktisni facebook?

Më të lexuarat

Ndërsa varësia nga rrjetet sociale po bëhet gjithnjë e më e madhe, një prej tyre, Facebook-u po ndikon gjithnjë e më shumë te stili i jetesës dhe virtualizimi i jetës reale. Ja cilat janë disavantazhet e kësaj media sociale dhe arsyet përse duhet të hiqni dorë, të paktën përkohësisht prej tij.

Ndjeni se bilanci midis jetës virtuale dhe asaj reale po fillon të humbasë? Kjo është një shenjë se duhet të hiqni dorë nga orët shtesë në median sociale dhe të përqendroheni më shumë në aktivitete nga të cilat përfitoni. Një nga rrjetet më të përdorura është Facebook-u. Pa mendoni se sa kohë humbisni duke kontrolluar rregullisht lajmërimet që vijnë në profilin tuaj, ato që bëjnë miqtë tuaj. Ja cilat janë disavantazhet e Facebook-ut dhe arsyet përse duhet të hiqni dorë, të paktën përkohësisht prej tij.

1. Ju dëmton gjumin

Përdorimi i tepërt i medias sociale ndikon te regjimi i gjumit, siç kanë zbuluar disa studime. Për më tepër, drita blu që karakterizon këtë website mendohet se ndikon në tru, duke shtuar ndjesinë e pagjumësisë. Nga ana tjetër, mungesa e gjumit mund t’ju shtyjë të vazhdoni të kontrolloni gjithnjë e më tepër Facebook-un.
Bëni një periudhë pushimi dhe do të shihni se cilësia e gjumit tuaj do të përmirësohet dhe ju vetë do të ndiheni më të freskët.

2. Mund t’ju shtojë depresionin

Kalimi i një kohe të madhe në Facebook mund t’ju shkaktojë një ‘koktej’ të çuditshëm ndjesish, sipas një studimi të publikuar në vitin 2015. Përjetimi i zilisë është një nga më dominueset dhe një nga ndjesitë që mund të na stresojë më së shumti.
“Ne zbuluam se, nëse përdoruesit e Facebook-ut përjetonin zili ndaj aktiviteteve dhe stilit të jetesës së miqve të tyre në këtë media sociale, ata kishin më shumë gjasa të ndiheshin në depresion”, thotë bashkautorja e studimit nga Universiteti i Mizurit, Margaret Duffy.
Megjithatë, pavarësisht dijenisë se njerëzit po reklamojnë më të mirën e tyre në Facebook, kjo nuk do të thotë se domosdoshmërisht, te ju nuk do të provokohet asnjë ndjesi. Megjithatë, ju mund të mbani disi nën kontroll zilinë.

3. Shkatërron baterinë e celularit

Aplikacionet e Facebook-ut në Android dhe iPhone janë konsumues shumë të mëdhenj të baterive. Facebook-u ka thënë se po përpiqet ta zgjidhë problemin, por deri atëherë kini parasysh se fshirja e aplikacionit nga celulari juaj mund t’ju kursejë deri në 20 për qind bateri.

4. Ju heq përqendrimin

Kohëzgjatja mesatare e të qenët të vëmendshëm po bie, sipas kërkimeve. Shpërqendrimet e vazhdueshme, të krijuara nga stili dixhital i jetesës mund të jenë duke ndryshuar kiminë e trurit tonë dhe duke regjur pak e nga pak aftësinë për t’u përqendruar.

5. Mund t’ju shkatërrojë marrëdhënien

Rrjetet sociale ndonjëherë bëjnë bashkë njerëz, por ato gjithashtu mund të jenë një problem i madh për çiftet e martuara, sipas psikologëve. Kontrolli i vazhdueshëm i Facebook-ut mund të shkatërrojë momentet tuaja intime dhe aftësia për t’u lidhur me personat tuaj dikur të dashur në këtë platformë sociale mund të nisë edhe një lidhje jashtëmartesore. Tregohuni të kujdesshëm.

6. Mund të ndikojë te shoqëria juaj

Varësia jonë nga media sociale mund të jetë duke e bërë më të vështirë për ne lidhjen e afërt me njerëzit e tjerë. “Mendoj se është vdekja e bisedës së qytetëruar siç e njohim tani”, ka thënë Justine Harman, redaktore e revistës së njohur Elle.com.
Për më tepër, shumica e miqve tuaj në Facebook nuk janë shumë të interesuar rreth jush.

7. Mund të jetë humbje e kotë kohe

Sipas një kërkimi mbi shkencën dhe sjelljet, sa më shumë kohë të kaloni në Facebook, aq më keq ndiheni. Kjo për shkak se shumë njerëzve, Facebook u duket një humbje kohe.
“Duket se, krahasuar me lundrimin në internet, Facebook-u gjykohet si një shpenzim më joefektiv i kohës dhe më tepër si humbje e kotë e saj. Kjo gjë çon në rënie të humorit”, shpjegon Christina Sagioglou, shkencëtare e sjelljeve nga Universiteti Insbrukut në Austri.
Facebook-u nuk ju bën gjithnjë të ndiheni keq, por nëse jua shkakton këtë ndjesi, është koha të bëni diçka tjetër.

8. Mund të krijojë një efekt jehonë

Kritikët e medias sociale prej kohësh kanë sugjeruar se algoritmi i Facebook-ut, që përcakton se cilat postime do të shihni bazuar në ato që keni klikuar e rrjedhimisht pëlqyer, mund të krijojë një efekt jehonë. Nëse ekspozoheni vetëm ndaj materialit që tashmë e kuptoni ose me të cilin bini dakord, kjo mund të pengojë pikëpamjet tuaja të ndryshme.
Por Facebook nuk është dakord, pasi thotë se vitin e shkuar nuk ishte përgjegjës për krijimin e këtij efekti jehonë. Megjithatë, Facebook-u luan ende një rol në mënyrën sesi njerëzit e konsumojnë informacionin.

9. Gjurmon dhe formëson sjelljen tuaj

Facebook-u përdor algoritme të çuditshme për të vendosur se çfarë do të shihni nga përmbajtja brenda platformës. Për shembull, nëse ai sheh se ju pëlqeni postime që lidhen me futbollin, mund t’ju shfaqë më shumë postime të kësaj kategorie në faqe. Kjo e bën atë një mjet të mirë reklamimi për marketingun e shënjestruar, gjë që vë në pikëpyetje nëse shkelet apo jo vullneti ynë i lirë.

10. Facebook e di se kur flini

Mesa duket, Facebook ka mjaftueshëm informacion për kohën kur ju flini dhe zgjoheni. Programuesi danez i softuerëve, Soren Louv-Jansen krijoi një mjet dhe përdori të dhënat nga Facebook-u për t’u ofruar përdoruesve mundësinë që të kuptonin modelet e gjumit të miqve të tyre në Facebook. Megjithëse kompania i kërkoi ta anulonte këtë projekt, ai arriti të nxjerrë në pah se si mund të zbulohet privatësia jonë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit