0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Zemërimi dhe depresioni nga aspekti islam

Më të lexuarat

Kur Allahu i Madhërishëm krijoi njeriun, Ai krijoi brenda tij shumë emocione dhe dëshira, që ne i quajmë instinkte njerëzore.

Këto përfshijnë kualitete pozitive siç është njohja dhe shprehja e të vërtetës, dashuria, dhembshuria dhe dëshirat e plota fiziologjike sikurse etja, uria dhe nevojat seksuale.
Ekzistojnë edhe kualitete negative sikurse urrejtja dhe tërbimi që prodhojnë dhunë dhe depresion. Melekët që ishin dëshmitarë të krijimit të Ademit a.s. ishin të vetëdijshëm për këto kualitete negative dhe hulumtuan krijimin e kësaj qenie të re e cila sipas fjalëve të tyre: “A do ta vësh në te atë që bën çrregullime dhe që derdh gjaqet…” (El Bekare, 30)

Mirëpo Krijuesi i Gjithëdijshëm, ka mbjell disa mekanizma mbrojtës në luftë kundër këtyre pasioneve negative.
“Njeriu është krijuar i dobët” thotë Kurani. Gjatë momenteve të dobësisë ne i nënshtrohemi qëllimeve të armikut tonë, shejtanit, i cili na “ sulmon nga para, prapa dhe anëve” me qëllim që të na disorientoj nga vetëdija e pandërprerë mbi prezencën e Allahut. Kështu që, tërbimi në vete nuk është i natyrshëm. Kjo është shprehje e gabuar për zemërimin i cili sjellë deri te problemi.
Zemërimi (tërbimi) destabilizon mendimet. Ai çrregullon gjykimin normal, udhëheq në depresion, çmenduri dhe veprim të gabuar. Gjatë zemërimit njeriu mund të lëndoj fizikisht dhe verbalisht personin e dashur, lëndon personin tjetër sikurse kafsha, ose gjatë fazës së depresionit mund të lëndoj vetën ose të bëjë vetëvrasje.
Kur zemërimi orientohet ndaj grupit të njerëzve, ai mund të shprehet me terrorizëm, qoftë kur drejtohet kundër një grupi njerëzish, feve dhe popujve tjerë.
Plotësimi natyral i dëshirave normale, qoftë në kuptim të ushqimit ose marrëdhënies seksuale, është parakusht për prevenimin e zemërimit. Ekzistojnë shumë kemikate dhe hormone që ndikojnë në disponimin dhe sjelljen tonë.
Është e njohur që hipoglicemia (niveli i ulët i sheqerit në gjak) ose tajitja tejmase e hormoneve të gjëndrës mbrojtëse ndikon në disponimin tonë dhe shkakton zemërimin. Hormonet duhet mbajtur në baraspeshë e cila lehtëson harmoninë tonë shpirtërore.
Pejgamberi ynë, Muhammedi, s.a.v.s. u dërgua për mbarë njerëzimin për të na mësuar sjelljen e bukur morale dhe vazhdimisht ka folur për kontrollimin e zemërimit. Një sahab e pyeti Pejgamberin s.a.v.s.: “Më jep një këshillë të shkurtër për moralin në bazë të cilit mund të shpresoj mirësi në këtë dhe në botën tjetër?” Pejgamberi, s.a.v.s. iu përgjigj: “Mos u zemëro.”
Pejgamberi,s.a.v.s. njëherë i pyeti shokët e tij: “Kënd e mendoni njeri të fortë?” Ndërsa ata u përgjigjën: “Ai i cili mund ta mposhtë dikë në luftë.” Pejgamberi s.a.v.s. u përgjigj: “ Nuk është kështu. I fortë është ai i cili mund të kontrollohet në momentin e hidhërimit.”
Duhet bërë dallimin në mes zemërimit si përgjigje natyrale në padrejtësi dhe tradhti dhe zemërimin joproduktiv si hakmarrje personale.
Me një rast halifi Aliu r.a. duke luftuar u ballafaqua me kryeparin e idhujtarëve, e mposhti dhe deshi ta vras, kur ai në at moment e pështyri në fytyrë. Aliu r.a. menjëherë u ngritë dhe u largua duke mos e vrarë atë. Njeriu vrapoi pas tij duke e pyetur: “Pate rastin të më vrasësh, përse nuk e bëre?” Aliu, r.a. tërësisht i qetë u përgjigj: “Nuk kam urrejtje personale ndaj teje, kundër jush luftoj për shkak të mosbesimit tuaj ndaj Allahut. Sikur të të mbysja pasi më pështyve në fytyrë, atëherë lufta do t’ishte hakmarrja ime personale, e unë në këtë nuk dëshiroj të marrë pjesë. Pas kësaj kryepari idhujtar menjëherë pranoi islamin.

Çfarë ndodhë fiziologjikisht kur zemërohemi?

Rritet frekuenca e zemrës dhe tensioni i gjakut si pasojë e veprimit direkt të adrenalinës në gjak. Rritet fuqia ynë fizike, ndërsa zvogëlohet fuqia shpirtërore. Mendja jonë dhe fuqia e gjykimit mënjanohen, dhe gjërat të cilat në gjendjen normale mund t’i arsyetonim bëhen të papranueshme. Organet e trupit tonë, të cilat zakonisht janë nën kontrollin tonë dalin jashtë kontrollit.
Pra, gjuha jonë, duart, këmbët dalin prej kontrollit. Personi i cili nuk kontrollon dhe orienton zemërimin mund të ndërtoj hidhërimin brenda vetës, i cili mund të lëndoj fizikisht. Përveç depresionit dhe ndjenjës së shpirtngushtësisë gjatë fazës së jo paraqitjes së zemërimit, ritmi i shpejtuar i zemrës dhe tensioni i lartë i gjakut mund të dëmtojnë zemrën, bile duke shkaktuar në fund edhe sulm në zemër. Përveç dhunës gjatë fazës së zemërimit (sepse mendja nuk punon drejtë) njeriu mund të bie vendim të gabuar në punën e tij ose në marrëdhëniet personale dhe kështu mund të ndikoj në ardhmërinë e tij.

Ilaçi i zemërimit

Ilaçi i parë preventiv është nga ndjeshmëria në provokime. Kjo duhet të jetë e domosdoshme që njerëzit të preokupohen me diç tjetër me qëllim të orientimit personal. Përveç përkujtimit ndaj Allahut ose ibadetit, ekzistojnë edhe mënyra tjera që mund të ndihmojnë. Pejgamberi, s.a.v.s. e ka këshilluar një njeri që të pinë ujë kur hidhërohet me bashkëshorten dhe ta mbajë në gojë pa e përbi. Pas disa muajsh të kësaj këshille bashkëshorti vie te Pejgamberi,s.a.v.s. duke e lajmëruar se këshilla e tij ka pasur sukses.
Meqë besojmë se zemërimi është shprehje e kontrollimit të shejtanit, nuk duhet lejuar që ai të merr kontrollin. Allahu i Madhërishëm në Kuranin fisnik urdhëron e thotë:
“ E nëse ty të ngacmon ndonjë ngacmim prej djallit, ti kërko mbrojtje prej Allahut se vërtet Ai është dëgjuesi i dijshmi.” (Fussilet,36)
Pejgamberi s.a.v.s. ka këshilluar që kur jemi të zemëruar të ulemi ose të shtrihemi, sepse nuk është lehtë me e goditë dikë kur jemi në këtë pozitë. Por, ilaçi më i mirë është me menduar për hidhërimin dhe dënimin e Allahut. A thua hidhërimi i Allahut është më i vogël se i yni? Dhe çfarë ndodhë kur Ai shprehë hidhërimin e tij? Ne, njerëzit që kërkojmë falje nga Allahu së pari duhet falur njerëzit. Kur falim dikë, vendoset paqja dhe qetësia në zemrat tona.
Atributi i parë i Allahut me të cilin ne myslimanët përkujtohemi, është që Ai është Mëshiruesi, Mëshirëbërësi. Allahu i Madhërishëm thotë: “Mëshira Ime është më e madhe se hidhërimi Im”, ndërsa Pejgamberit,s.a.v.s. në hadithi kudsi ka thënë: O bijtë e Ademit, kur hidhërohemi, më përkujtoni Mua. Pra, përkujtimi tek Allahu është ibadet i cili na ndihmon të kthehemi në rrugë të drejt. Një prej emrave të Zotit është edhe Ja Halim, në kuptimin I Butë. Gjithashtu duhet të lutemi Allahut me pas nën kontroll situatën që ka shkaktuar hidhërimin. Duhet kuptuar gjithashtu që kjo jetë, edhe pse është e dashur, është kalimtare, dhe nuk duhet harruar vdekjen dhe nuk duhet lejuar ta shkatërrojmë botën e përhershme për shkak të kësaj bote të përkohshme.
Larja me ujë të ftohtë ose dushi i ftohtë gjithashtu është i dobishëm dhe i efektshëm.
Me rëndësi është me i orientuar energjitë në bashkëveprim me diç tjetër. Por, sjellje kulmore dhe shembull i edukatës islame është të veprohet kundër asaj që pretë provokuesi. Nëse provokuesi pretë që ta kritikoni ose t’ia ktheni me nënçmim verbal, atëherë duhet përgjigjur se e doni atë, duke ia përmendur cilësitë e tija të mira. Nëse pret që ta sulmoni fizikisht, atëherë duhet përqafuar dhe me e falë.

Shpirtngushtësia (depresioni)

Shpirtngushtësia është gjendje e mendimeve pikëlluese dhe ndjenjës së jo mirëqenës. Kjo mund të jetë shkas i hidhërimit ndaj vetvetes ose tjetrit, mos paraqitjes së zemërimit, mos suksesit ose frustracionit. Shpirtngushtësia është sëmundje vdekjeprurëse e cila mund të shkaktoj dëm akut trupit ose dëm në bazë kronike si dhe mund të shkatërroj pa kthim të marrëdhëniet ndërnjerëzore. Gjatë gjendjes së shirtëngushtësisë, njerëzit mund të kenë edhe mendime vetëvrasëse. Shpirtngushtësia ndërtohet ngadalë, ndërsa zemërimi është manifestim akut, e cila nga brenda brenë shpirtin dhe trupin njerëzor.
Nga ndonjëherë shpirtngushtësia ose depresioni është pasojë e çrregullimit të baraspeshës kimike, sikurse te tërbimi, qoftë kur bëhet fjalë për gjendjen psikotrope me zvogëlimin e amineve të trurit, epinefrinës, norepinefrinës dhe dopaminës ose disbalansi hormonal sikur hipertireoza dhe sëmundja e Adisonit. Prandaj të gjitha rasteve të depresionit duhet gjetur shkaku organik.
Mënyra e luftës kundër depresionit është fenomeni i kontrollit mendor. Duhet kuptuar se ne nuk jemi në gjendje ta kontrollojmë fatin tonë. Lëshimet e caktuara dhe sprovat na dhurojnë mundësin për të mësuar leksione të caktuara.
Ilaçi për depresion është shpresa. Allahu i Madhërishëm shpresën e përkrah duke thënë:
“O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime vetën tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut…” (Ez Zumer,53)
Krahas me këtë, pa marrë parasysh shkallën e pashpresës, depresionin ose frustracionin, nuk duhet humbur shpresën sepse gjithmonë drita është në fund të tunelit. Shpresa më e madhe është mëshira e Allahut.
Ne,myslimanët, besojmë që vuajtjet tona dhe fatkeqësitë janë sprova nga Allahu i cili ka thënë:
“Po ju menduat se do të hyni në xhennet, pa u provuar edhe ju me shembullin e atyre që ishin para jush…” (El Bekare,214)
“Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frutet, po ti jepju myzhde durimtarëve.” (El Bekare,155)

Prof. dr. Shahid Azar
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit