3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Jankullovska: Dihet profili i autorëve të vrasjes së pesëfishtë

Më të lexuarat

Katër ditë pas vrasje së pesëfishtë në Smillkovc të Shkupit, procesi për zbardhjen e rastit ka shënuar përparim serioz, deklaroi të dielën në një konferencë me gazetarë ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, e cila e shikon përparimin vetëm tek përcaktimi i profilit të autorëve, por jo edhe identifikimi apo numri i tyre. Një tjetër sukses në këtë aksion konsiderohet edhe përcaktimi i disa pistave të vrasjes makabre, për të cilat nuk jepen detaje, për shkak se mund të dëmtojnë hetimin. Një nga skenarët që është hedhur poshtë është ai që të rinjtë e vrarë ishin dëshmitarë të ndonjë krimi. Të rinjtë kanë qenë si çdo kush i zakonshëm, pa ndonjë dosje apo vepër penale.

“Kolegët që punojnë në mënyrë të drejtpërdrejt mbi rastin më informuan se ka përparim serioz, megjithatë, duke pas parasysh se mbeten edhe shumë aspekte për t’u shqyrtuar, nuk do të jepja detaje të tjera pasi vetëm një pjesë e analizave merr mjaft kohë, me qëllim që njohuritë që kemi t’i vërtetojmë edhe me dëshmi materiale… Ka përparim serioz në hetim dhe veçmas mund të them se kemi përcaktuar profilin e autorëve, por jo identitetin e tyre. Kjo parqet një hap serioz dhe kuptohet se me informatat e shumta, që vijnë gjithnjë e më shumë, por dhe përkushtimit tonë që t’i vërtetojmë të gjitha, do të na nevojitet kohë. Nuk i hedhim poshtë skenarët për të cilët nuk kemi të dhëna të mjaftueshme, vazhdojmë të punojmë, megjithatë dua të theksoj se hetimi shkon në drejtim të mirë”, deklaroi Jankullovska.

Në këtë proces hetohen edhe automjetet e ndryshme që mund të kenë lidhje me vrasjen. Në veçanti hetohet automjeti i cili është vërtetuar se ka qenë në vendngjarje dhe që është gjetur 10 kilometra larg vendit, raporton Alsat-M.

“Janë hetuar shumë automjete dhe për njërën ekzistojnë indikacione serioze se ka qenë në vendngjarje, në bazë të gjurmëve që kemi gjetur në atë automjet. Vazhdojmë edhe me hetimin dhe analizën e të dhënave për automjetet e tjera eventuale që kanë qenë në afërsi të liqenit apo në rajonin më të gjerë e që mund të lidhen në çfarëdo mënyre me vrasjen…. Gjurmët po i analizojmë dhe të gjitha opsionet janë në rrjedhë e sipër, pasi një nga makinat që është gjetur vërtetohet se ka qenë në vendngjarje, ndërsa është gjetur 10 kilometra larg vendit. Megjithatë për të pasur trajektoren e saktë, duhet të kemi indikator më serioz që do të paraqiste vërtetim të kësaj të dhëne”, u shpreh ajo.

Ekspertiza mjeko-ligjore ka vërtetuar se të vrarët nuk kanë qenë keqtrajtuar para apo pas vrasjes, por janë konstatuar vetëm lëndime nga armë zjarri, dhe plumbat kanë depërtuar trupat e viktimave. Është hapur zjarr nga afër, dhe nga shumë anë, që vërtetohet nga vrimat e plumbave në kraharor dhe në shpinë. Në këtë ekspertizë janë përfshirë më shumë se 10 persona të ndarë në tre grupe.

“Bëhet fjalë për plagë me armë zjarri, pjesa më e madhe në pjesët e sipërme të trupave. Lëndimet janë bërë nga plumba të kalibrit të rëndë dhe nga afër. Gjithçka që është konstatuar është në lidhje me plagët nga armë zjarri”, deklaroi Biljana Janevska, nga Mjekësia ligjore.

Situata në rajonin përreth vendngjarjes është e qetë, theksoi Jankullovska, ndërsa aktivitetet për zbardhjen e plotë të rastit vazhdojnë. Deri tani janë marrë në pyetje mbi 100 persona, shtoi ajo dhe u bëri thirrje qytetarëve, të cilët kanë informata të mundshme mbi vrasësit, të ndihmojnë në procesin e zbardhjes./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit