2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Durrës, vetëdorëzohet vrasësi

Më të lexuarat

Është vetëdorëzuar pas 5 orësh nga kryerja e krimit shtetasi Ardian Tragaj, i dyshuar si autor i ngjarjes së rëndë tek Mali i Robit, ku dy persona humbën jetën dhe tre të tjerë u plagosen.

Ngjarja ndodhi pas një konflikti 5-vjeçar në lidhje me një sipërfaqe prej 1.5 hektarë tokë dhe pjesë plazhi në këtë zonë.

Dy familje që kishin investuar për biznes në këtë zonë janë përplasur edhe ligjërisht në gjykatë. Por të mërkurën në mesditë konflikti degjeneroi në dhunë.

Shtetasi Sulejman Shehu, ish-polic i forcave speciale, u konfliktua me shtetasin Ardian Tragaj dhe sipas policisë, në këtë konflikt u përdorën armët.

Për pasojë mbeti i vrarë në vend me armë zjarri shtetasi Sulejman Shehu, ndërkohë që u plagos në gjendje shumë të rëndë shtetasi Erjon Shehu, djali i viktimës, si dhe bashkëshortja e tij.

I vdekur në vend nga plumat mbeti edhe shtetasi Durim Pashallari, punonjës policie private në kompleksin e shtetasit Ardian Tragaj.

Policia dyshon se në këtë konflikt janë përfshirë më shumë persona. Ndërkohë që pak minuta pas ngjarjes është arrestuar pasi iu gjet nje armë në automjetin e tij djali tjetër i viktimës Sulejman Shehu.

Ngjarja terrorizoi pushuesit e shumtë nga Kosova dhe Maqedonia që ndodheshin në këtë plazh, disa prej tyre janë marrë në pyetje nga policia për të treguar ngjarjen.

Ndërkohë që pas disa orë negociatash u bë i mundur vetëdorëzimi i autorit të dyshuar të vrasjeve, i cili rezultoi të ishte plagosur në këmbë me armë zjarri./tch

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit