2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Namazi im i parë pasi e pranova Islamin

Më të lexuarat

Jeffrey Lang, Profesori i matematikës në Universitetin e Kansasit në SHBA, ish ateist, në librin e tij “Ditën kur e pranova Islamin” shkruan:

“Në atë ditë kur e pranova Islamin, imami i xhamisë më dhuroi një doracak ku kishte informata se si falet namazi. Isha i habitur kur sodisja brengën e nxënësve në xhami të cilët vërenin gjendjen time, po ashtu edhe shumë njerëz aty më këshilluan të jem i lirë dhe mos të filloj të falem menjëherë ngase këtë mundja ta bëja më vonë. Të tjerët më thonin që të leja për më vonë gjërat që do të më bënin ngarkesë, duke menduar në namazin, sepse të gjitha do të rregulloheshin me kohë. E unë mendoja në veten time se a thua qenka kaq e vështirë të falesh?

I mbylla veshët ndaj këshillave të njerëzve në xhami dhe vendosa të nisja të falja që atë ditë pesë kohët e namazit. Atë natë qëndrova shumë gjatë në dhomën time të vogël duke mësuar nga libri për namazin. Lexoja suret dhe mundohesha të mësoja përmendësh veprimet dhe duatë që duhej thënë gjatë namazit. Natyrisht kjo më morri shumë në kohë sepse me orë të tëra përpiqesha të mësojë përmendësh lutjet në gjuhën arabe dhe të mësoja përkthimin e tyre në gjuhën angleze. Dhe dikur më vonë u bëra i sigurt, dhe i vendosur të fali namazin tim të parë. Vërejta se ishte bërë vonë, ishte mesnatë dhe bëra nijet të fali namazin e Jacisë.

U drejtova për në banjo për të marrë abdes, gjithnjë duke u konsultuar me librin të cilin e mbaja në një kënd . E shikoja me kujdes librin për të zbatuar rregullat e abdestit ashtu si rekomandoheshin në libër. Pasi mbarova abdesin hyra brenda për në dhomë, pikat e ujit pikonin nga gjymtyrët e mij ngase aty shkruante se mos fshirja e gjymtyrëve ishte më e preferuar. Më pas qëndrova në mes të dhomës duke u menduar se në cilin drejtim ishte Qabja, pastaj morra frymë thellë, por sapo i ngrita duart duke thënë All-llahu Ekber u mendova se mos po ma dëgjon zërin dikush. Menjëherë më shkoi mendja në perden, a thua a e kisha lënë të hapur apo jo? Mu kujtua se e kisha lënë të hapur, dhe mendova se cka do të ishte halli im po që se fqinjët e mi do të shihnin se unë po falem.

U drejtova kah dritarja dhe shikova jashtë, nuk pashë asnjeri dhe u qetësova, pastaj e mbylla edhe perden mirë. U riktheva në vendin e mëparshëm, për tu falur. I ngrita duart për Tekbir duke thënë “All-llahu Ekber”, por tani me një zë më të ultë . Më kujtohet se e lexova me vështirësi suren “Fatiha” dhe pastaj një sure të shkurtër, dhe kjo vinte shumë e vështirë për nefsin tim. Po të më dëgjonte ndonjë arab, me siguri nuk do të kuptonte asgjë nga leximi im. Pastaj sërish me një zë të ultë bëra Tekbir dhe u ula në ruku duke i lëshuar duart mbi gjunjë. Më kujtohet se kurrë nuk e kisha ulë shpinën time në këtë mënyrë. Kjo pozitë më mundoi shumë dhe mendova se jam fatlum që nuk është dikush tjetër në dhomë që të më shihte në këtë pozitë. Vazhdova duke thënë “Subhane Rabijel Adhim” që përsërita disa herë. Pastaj u drejtova duke thënë “Semi All-llahu limen Hamideh – Rabena Lekel Hamd”. Vërejta se më ishin shpeshtuar të rrahurat e zemrës.. Pastaj thashë ” All-llahu Ekber” dhe tani ishte radha e të rënurit në sexhde. Heshtur shikoja në vendin ku do të bija në sexhde duke menduar se a thua unë me të vërtetë do ta bëja këtë? Si do të vendosja unë duart në tokë dhe do të përkulesha siç përkulen robërit para pronarëve të tyre? Qëndroja në vend si i gozhduar dhe pa lëvizur duke notuar në këto mendime.

” Jo nuk mund të bëj unë këtë” mendova njëkohë dhe gati mu ngrinë këmbët. A thua se sa do të qesheshin kolegët e mi po të më shihnin në këtë gjendje. Po imagjinoj se do të thonin se arabët e shkretë kanë ndikuar tek ti… “Jo”…”Jo”… thashë njëkohë dhe fillova të bëj lutje duke kërkuar ndihmë nga All-llahu. Një moment morra frymë thellë, u qetësova dhe u mundova të përballoj nefsin tim… pastaj u ula në tokë, por assesi nuk mundja të vendosja fytyrën në sexhde. Pastaj një kohë largova të gjitha mendimet që i kisha në tru dhe e mundova nefsin time, më në fund bëra sexhden e parë në jetën time duke thënë “Subhane Rabijel Ala”. Pastaj sërish shqiptova “All-llahu Ekber” për tu ngritur nga sexhdeja e parë. Pa menduar fare për gjërat, sërish shkova në sexhde dhe këtë herë ndjeva se hunda ime prekte tokën, dhe thashë “Subhane Rabijel Ala” tri herë. Në ato momente vendosa t’i largohem labilitetit dhe ta fali këtë namaz deri në fund.

Thashë” All-llahu Ekber” dhe u ngrita në këmbë, pastaj këshillova nefsin tim duke i thënë se më kanë mbetur vetëm edhe tre rekate të pakryera, dhe pasi e nisa do ta përfundoj. Vazhdova duke u ballafaquar me nderin dhe mburrjen time. Por kësaj radhe ishte më e lehtë, ndërsa në sexhden e fundit isha i krejtësisht i qetë. Në fund dhashë edhe selam. Isha aq i lodhur sa nuk mund ta përshkruaj, më në fund u ndala të mendoj të gjitha veprimet që i kisha bërë nga fillimi deri në fund të namazit. Gjatë kësaj kohe mua më shoqëroi edhe turpi sepse kisha aq shumë vështirësi të zbatoja namazin, urdhërin e All-llahut. A thua ishte aq e vështirë të falet namazi?
” O All-llah kërkoj falje për kryelartësinë dhe mosrespektin e treguar, Ti e di më së miri se unë vij nga shumë larg, dhe jam në fillim të udhës. Të lutem o All-llah më ndihmo”! Këto fjalë që derdheshin nga buza ime shoqëroheshin edhe nga lotët . Trupi im ishte i stërlodhur. Dhe pikërisht në këto momente më kaploi një gjendje e cila nuk mund të përshkruhet, ku i gjithë trupi filloj të më dridhej dhe fillova të qaja ku lotët rridhin me të madhe nga sytë e mi, sa më shumë që qaja aq më shumë rritej ndjeshmëria ime dhe kështu më kaploi rahmeti i All-llahut. Por çka ishte ajo që më shtyri të qaja me lot?

Sikur u hap një sef për herë të parë në thellësinë e shpirtit tim i cili në brendi kishte një thesar të madh. Mua, njëkohësisht krahas frikës, më kaploi edhe një qetësi e papërshkrueshme dhe në këto momente kur i shënoj këto fjalë ia drejtoj pyetjen vetes time dhe nuk mund t’i përgjigjem asaj. Falja e All-llahut nuk është vetëm shlyerja e mëkateve por njëkohësisht mëshira e All-llahut na i shëron edhe plagët tona. Po ashtu kjo i ofron njeriut një qetësi të pashpjeguar dhe kjo ka qenë një ndjenjë që unë kurrë më parë nuk e kam ndjerë në jetën time.

Për një kohë të gjatë qëndrova duke qarë me kokë të përulur dhe të mbuluar nga duart. Ndërsa kur erdha në vete ndjeva një lodhje aq të madhe në trupin tim sa që nuk më kujtohet të jem lodhur ndonjëherë kështu. Kjo ishte një përvojë e paparë për mua dhe as e imagjinuar mëparë nga unë. Në fillim mendoja të mos i flisja asnjërit për këtë ngjarje që më shoqëroi gjatë namazit tim të parë, derisa e kuptova se më ka ndodhur gjëja më e rëndësishme në jetën time në atë natë”.
“O All-llah, të lutem mos më lejo të jetoj po që se do ti kthehem kufrit dhe të lutem O All-llah më mundëso të dorëzojë shpirtin tim me iman. Tanimë unë besoj se nuk mund të jetoj as një ditë duke mohuar ekzistencën Tënde, dhe për mua është HARAM jeta, nëse nuk jetoj si musliman”.
Ndërsa All-llahu thotë kështu ” Kërkoni ndihmë (në të gjitha çështjet) me durim dhe me namaz, vërtet, ajo është e madhe (vështirë), por jo edhe për ata që kanë frikë (Zotin). Të cilët janë të bindur se do të takojnë Zotin e vet dhe se ata do t’i kthehen Atij” (Bekare 45-46)”.
Kjo do të thotë që kur nuk je besimtar i fortë të falurit e namazit është shumë e vështirë, ndërsa një namaz, i cili teston imanin tonë zgjat vetëm 10 minuta. Dhe brenda 24 orësh njeriu duhet të ndajë dhjetë minuta për të kuptuar se a është besimtarë i plotë apo jo… “.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit