2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Hjekat e mërgimtarit

Më të lexuarat

Jakup Jonuzi u nis nga Gjermania me një veturë e një kamion, duke besuar se do t’i dilte pak më lirë. Por, ai nuk do të besonte kurrë se do t’i shkonin 500 euro, duke paguar qejfet e doganierëve nëpër shtetet e Ballkanit.

Që nga kufiri slloveno-kroat e deri në atë shqiptaro-shqiptar në Morinë, Jakupit nga Likoci i Skenderajt iu desh të mbante dorën në paratë e xhepit. Arsyet e doganierëve që i kërkonin ryshfet ishin të ndryshme. Disa i kishin thënë se nuk ka të drejtë të kalojë me ato targa e të tjerë se duhej të paguante sigurime të ndryshme.

Para kësaj, atij i ishte kërkuar në kufirin malazez të paguajë gjithsej 170 euro. Doganieret malazezë i thanë se nuk mund të kalonte me kamionin, i cili kishte të ngarkuar mjete për bujqësi.

“Pas përpjekjeve tona për t’i bindur se e drejta është në anën tonë, se kemi të drejtë kalimi, na u afrua një doganier dhe na tha se mund të kaloni nëse i paguani 150 euro dhe këtë u detyruam jo me dëshirën tonë. Plus për policinë, për kontrollin e pasaportave 20 euro gjoja për të liruar udhëtimin. Do të thotë ne u detyruam të paguanim 170 euro për hyrje në Malin e Zi”, shpjegon Jakupi.

Por, me kësi probleme thotë se u ballafaqua edhe në dalje të kufirit tek pika “Hani i Hotit”. Atje ai u kishte treguar doganiereve dokumentin formal në të cilin ishin të evidentuara gjësendet e ndodhura në kamion. Por, as kjo nuk kreu punë.

“Doganieri malazez në këtë pikë kufitare na tha se nuk mund të kaloni me këtë kamion, por duhet të ktheheni mbrapa, e pas një kohe të shkurtër u lajmërua polici për kontrollin e pasaportave, i cili haptas kërkoi 50 euro, të cilat miku i futi në pasaportë dhe u lejuam ta kalojmë kufirin malazias”, tregon Jakupi.

E kur Jakupi së bashku me dhëndrin i ishin afruar kufirit shqiptar, nuk iu kishte shkuar në mendje se me gjithë mundimet nga doganierët malazezë, në kufirin shqiptar do t’ia ndalnin krejt kamionin.

“Me të arritur në pikëkalim, në vend se të na dhuronin mirëseardhje, me të njoftuar se çka kishim në kamion, doganieri shqiptar me një ton të lartë na u drejtua se nuk mund të kalonim kurrsesi dhe unë iu drejtova se çfarë duhet të bëjmë për të kaluar. Ai na tha se duhet të bëjmë shpeditimin e mallit”, thotë Jakupi.

Sipas tij, shpeditimi nuk u bë me arsyetimin se nuk ka vend ku të vendoset bllomba në kamion.

“Duke shpresuar se do ta bënim një zgjidhje, edhe pse disa policë tentonin që të na ndihmonin, megjithatë nuk arritëm për t’i bindur ata dy doganierët kokëfortë. Dhe pas qëndrimit pesë orësh, ne u detyruam që kamionin ta vendosim në terminal kufitar i cili qëndron edhe sot e kësaj dite atje”, shton ai.

Hiç më mirë nuk e patën as me doganierët kosovarë. Rrafsh tri orë ata e kishin lënë të priste në kufi me arsyetime të ndryshme.

Për më tepër, Jakupi thotë se pagoi sigurim prej 30 eurove edhe pse doganierët kosovarë i kishin thënë se veturën duhej ta linte në terminal dhe se nuk mund të kalonte me ato tabela, që njihen si të përkohshme.

Por, në fund e liruan sepse Jakupi kishte të drejtë të qëndrojë në Kosovë me atë veturë për tre muaj. Këtë gjë e vërtetoi edhe nga zyrtarët doganorë pasi mbërriti në Kosovë. Ai dyshon se arsyeja e krejt këtij marifeti ishte ryshfeti.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit