0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Dështimi politik në transformimin e FSK-së në FAK

Më të lexuarat

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) në bazë të ekspertizës dhe punës hulumtuese, QKSS konstaton se implikimet nga mos-transformimi i FSK-së në FAK janë shumë- dimensionale dhe si rrjedhojë kërkohet përgjegjësi e hapa konkret në këtë drejtim.
Në aspektin politiko-strategjik, mungesa e miratimit të pakos së ligjeve për FAK vazhdon të ketë për pasojë mos-kompletimin e sektorit të sigurisë, sektor ky që ngërthen atribute shtetërore.

Në këtë drejtim, implikimet vërehen në vonesat që do të ketë në arritjen e kapaciteteve ushtarake të pjesshme e më vonë të plota.

“Kjo situatë do të jetë vetëm në funksion të status quos sidomos në kontekst të vazhdimit të pranisë ushtarake ndërkombëtare, duke pozicionuar edhe më tutje Kosovën në ranglistën e shteteve të papërfunduara. Qëndrimet e qytetarëve të cilat u maten me Barometrin Kosovar të Sigurisë nuk e favorizojnë një prani të pakufizuar të misioneve ndërkombëtare. Madje vazhdimi i mandatit të këtyre misioneve pa pasur kalim final të përgjegjësive tek vendorët, është zgjidhje e paqëndrueshme dhe në dëm të shtetit ndërtimit”, thuhet në raport.

Tutje, ky ngërç ka për pasojë shtyrjen e përpjekjeve për integrim në NATO i cili vazhdon të sfidohet, përveç tjerash, edhe për mungesën e elementit të mbrojtjes.

Sipas QKSS-së, në aspektin bilateral, ky ngërç dekurajon shtetet mike aleate të cilat planifikojnë nisjen e bashkëpunimeve bilaterale ushtarake në funksion të paqes e sigurisë rajonale dhe botërore.

Në aspektin operativ, implikimet vërehen në rritjen e demotivimit të pjesëtarëve të FSK-së të cilët kanë konsumuar mandatin ekzistues të mbrojtjes civile.

Duke pasur parasysh qëndrimin e qytetarëve si dhe nevojën për kompletimin e këtij sektori, QKSS i bën thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës që urgjentisht të procedojë me miratimin e ndryshimeve Kushtetuese për transformimin e FSK-së në FAK.

Sipas Barometrit Kosovar të Sigurisë, mbi 87% e qytetarëve të Kosovës janë në favor të transformimit të FSK-së në FAK, duke bërë këtë politikë publike me mbështetjen më popullore në Kosovë.

“Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë politike si rrjedhojë e qëndrimit të partive politike serbe në Kosovë megjithatë ne konsiderojmë që, në konstalacionin e tanishëm, themelimi i FAK nuk duhet parë si i izoluar mirëpo si pjesë e një procesi konsultativ me minoritetet për një varg çështjesh”, thuhet në njoftim.

Sipas QKSS-së, nëse Qeveria vendos të procedojë me dekretimin e Asociacionit të Komunave Serbe (AKS) – i cili në secilën variant duhet të jetë në përputhje me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese – parakusht për këtë të jetë pëlqimi i partive politike serbe për ndryshimet kushtetuese në funksion të themelimit të FAK.

“Në të kundërtën, dështimi i gjetjes së konsensusit për themelimin e FAK dhe dekretimi i pakushtëzuar i AKS do të jetë kundër vullnetit publik, do të reflektojë triumfalizëm për një komunitet kurse dëme për tjetrin dhe, mbi të gjitha, mund të parashihen pasoja të mëdha për rendin dhe sigurinë publike”, thuhet në raportin e QKSS-së. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit