-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Maket

Më të lexuarat

ERVIN HATIBI

23 vjet pasi kishin marrë në dorë krejt pushtetin tokësor, më 1967, “komunistët” shqiptarë vendosën ta shtrijnë këtë pushtet formalisht edhe gjetkë, duke filluar kështu aksionin e madh për zhdukjen e fesë, përmes mbylljes e prishjes së tempujve e institucioneve fetare, kriminalizimit e ndalimit të shfaqjeve të besimit. 23 vjet më pas kësaj, erdhi viti ’90 dhe pushteti i diktaturës mori fund – pushteti tokësor të paktën, ai i kohshmi. Ka shumë mundësi, ndërkaq, që në një përmasë të pamatshme, pushteti i mëtuar simbolikisht më 1967, ai nga përbrenda, të mos ketë marrë fund ende.

Simetria kabalistike e dy njëzetetreshave që puqen me kulmin e 1967-s, na e figuron diagramën e ngjarjes së diktaturës si një trekëndësh që mbyllet mbi hartën e Shqipërisë. Ky vit është në fakt ditëlindja e plotë e diktaturës, e thelbit nga buron pushteti përnjëmend totalitar.
Me dy brinjët kalendarike dhe bazën gjeografike, trekëndëshi që formuam fiton potenciale interesante: nga kulmi i tij kuptimplotë rrezet radioaktive zbresin me abstragimet tona edhe në rrafshe të tjera veç kohëhapësirës (nga mentalet tek materialet) dhe shëmbëllimi që përftojmë nis e duket si piramidë.
Përqasja strukturore e diktaturave me piramidat është banalizuar deri në bajatje, por në rastin tonë, tundimi për ta ribërë maketin e njohur të këtij krahasimi nuk ka në vizore kultin e individit, hierarkitë burokratiko-klerikale mbi shpinat e popullit etj.&etj. si këto. Piramida na shërben këtë herë si një emblemë u-kronie, një skemë a formulë lojcake për prerjen midis kohës dhe pushtetit radikal revolucionar. Përtej skemës numerologjike, piramida duket gjithsesi e gatshme ta marrë këtë rol – personifikimin e diktaturës – e investuar siç është me përkorje parake pa lajle, si vetë estetika enveriste, me asfiksinë e saj të fortifikuar pa dalje, me misterin e prodhuar sforcueshëm, thjesht prej murosjes shqisore.
Nuk është nevoja të ndjesh detyrimisht si besimtar për të kuptuar se 1967, data e asgjësimit publik të fesë, është kulmi i diktaturës shqiptare. Pas kësaj nuk ndodhi më asgjë e re për t’u shënuar në 23 vitet e fundit. Fashitja apo ndalimi i fjalës së lirë kishte ndodhur që në fillimet e diktaturës, por 1967 ishte përfundimtare, sa kohë që ndalesa rrekej të prekte të paprekshmen, fjalën e Zotit. Ndalimi i pronës private po ashtu kishte ngjarë më parë, por me vënien dorë mbi shtëpitë e Zotit, shpronësimi doli prej cakut tokësor. Njerëzisë i merrej kështu edhe fjala e fundit e pashtetëzuar nga goja, edhe ajo pëllëmbë e fundit dheu nën këmbë dhe gjithë territori e ligjërimi njëtrajtësohej pastaj në një miting të vetëm. Rrafshimi i tempujve dhe shkrumbimi i liturgjive nuk ishte vetëm prishje e fetares, por edhe e sekulares, për sa kohë nuk kishte më ndarje midis të dyjave. Gjithë hapësira shenjtërohej paskëtaj nën një kult të vetëm fitimtar dhe kthehej ashtu në një tempull të madh, mbyllur në faqe të një piramide që hapej nga lart prej një cepi final, ku shfaqej në Një lideri, partia, fundi i përshpejtuar i historisë dhe mendimit.
Hapësira e shenjtëruar e diktaturës përfundonte në kufinjtë politiko-administrativë të shtetit, përtej të cilit shtrihej si rrethim jo vetëm profania, por literalisht ferri. Kufiri bëhej eskatologjik dhe tentativa për të dalë përtej tij sillte vetiu vdekje, edhe pa plumbat e kufitarit, edhe pa cerberin e kufirit kremtuar si totem zyrtar e shumëfishuar me lehje si sistem alarmi në letërsi e arte që nga abetaret e deri në muralet. “Piramida kufiri” quheshin zyrtarisht monumentet vendshënuese që skërmiteshin përqark perimetrit të Shqipërisë si dhëmbë të bardhë (“në gojë të ujkut hedhim valle” thoshte hiti i kohës) dhe në fakt gjithë këto piramidat midis amshimit e vdekjes ishin projeksione të asaj më të madhes (e anasjelltas), pra ishin pemët që fshihnin pyllin, duke dhënë e marrë kuptime e funksione mesveti. Në kontekstin e vet më të njohur buzë Nilit, piramidat konsideroheshin trupëzim i diellores, prandaj besohet se edhe syprina e tyre shpesh punohej prej gurësh të lëmuar, të tillë që të mund të reflektonin dritë deri larg.
Me këtë detaj piramida plotëson akoma edhe një tjetër kusht të fshehtë për të qenë shënjuese e diktaturës enveriste (“enver”- përthyerje e fjalës “nur”, “dritë” nga arabishtja): “fanari ndriçues në brigjet e Adriatikut” ishte një metaforë popullore po aq e trumpetuar për Shqipërinë sa edhe ajo e “kështjellës së pamposhtur” në po ato ato brigje. Piramida shqiptare ishte drita, prandaj shënonte vetëm kufirin e vetes: dritë prometeane mes oqeanit obskurantist, Fanar i ortodoksisë ideologjike mes herezisë globale. Ndriçimi, ma do mendja, vinte falas prej flakadanëve të ’67-tës.
(Marre nga gazeta Koha e Re)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit