-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Kosova me rendimente rekorde të grurit në rajon

Më të lexuarat

Rendimentet e grurit në fushatën e sivjetme të korrje-shirjeve, ashtu sikurse në vitin e kaluar, Kosovën përsëri po e rendisin në njërin nga vendet e para në rajon për rendimente të larta në prodhim.
Sivjet fushata e korrje-shirjeve, si rezultat i kushteve të favorshme klimatike ka filluar më herët se vitin e kaluar dhe deri më tash, sipas të dhënave të komisioneve komunale, janë korrur rreth 30 për qind e sipërfaqeve të mbjella me grurë.

Me mbarëvajtjen e procesit të korrje-shirjeve të grurit, të kënaqur u shprehen edhe kryeministri Thaçi dhe ministri Stavileci, të cilët sot e vizituan fermerin Valon Vehapi, në parcelën e tij në fshatin Suhadoll të Lipjanit.

“Edhe sivjet kemi një rekord në rendimentet e grurit dhe i uroj të gjithë qytetarët dhe bujqit kosovarë për këtë sukses. Kosova po shndërrohet me të vërtetë në një hambarë të fuqishëm, prandaj jam këtu që t’i inkurajoj edhe më tutje bujqit kosovarë, por edhe të zotohem se Qeveria e Kosovës do t’i rrisë përgjegjësitë edhe më tepër, që të jetë sa më afër bujqve, në mënyrë që të kemi suksese të reja”, tha kryeministri Thaçi.

Ndërsa, ministri Stavileci tha se gjithnjë e më shumë po vërehen përparimet dhe se edhe në këtë vit fermerë tanë po i korrin frytet e punës së tyre të vyeshme, e cila ka nisur që nga vjeshta e vitit të kaluar.

“Sivjet janë rritur sipërfaqet e mbjella me grurë me rreth 6 mijë hektarë të rinj. Kemi rreth 9 mijë fermerë që e mbjellin këtë kulturë, që kanë përfituar pagesa direkte prej 100 eurosh për hektarë dhe tash jemi duke i subvencionuar edhe në derivate të naftës”, deklaroi Stavileci.
Ai tha se kjo po ndikon që të shtohet edhe prodhimtaria vendore dhe se po i detyron dhe obligon që viteve të ardhshme të kujdesen edhe më tepër. “Besojmë se me këtë rezultat, me këtë angazhim të përbashkët të të gjithë neve, viteve të ardhshme do të kemi edhe më shumë projekte dhe programe për t’i mbështetur fermerët e vendit tonë”, përfundoi Stavileci.

Në anën tjetër, edhe fermeri Valon Vehapi ishte i kënaqur me rendimentet që po i arrin. Ai tregoi se ka të mbjellë 70 hektarë me grurë dhe se rendimentet mesatare sillen prej 5500-6000 kilogram për hektarë. “Mund të them se ky vit s’do të harrohet për një kohë të gjatë tek fermerët. Ishte një vit i mirë, bimët janë të shëndosha, kushtet atmosferike kanë qenë shumë të mira për rritjen e grurit dhe falënderoj edhe Qeverinë për mbështetjen që u ka dhënë fermerëve”, tha Vehapi, i cili tregoi se ka përfituar 7 mijë euro subvencione për sipërfaqet që ka mbjellë me grurë.
Rendimentet mesatare në nivel vendi, sipas përllogaritjeve fillestare, po sillen në rreth 4 mijë kg për hektarë. Ndërsa, sipas raporteve të drejtorive komunale, sipërfaqe të mbjella me grurë në këtë vit janë gjithsej 83.875 hektarë.
Mbjelljet vjeshtore të grurit janë përkrahur me mbi 3.6 milionë euro nga Ministria e Bujqësisë, kurse fushata e korrje-shirjeve është duke u mbështetur me 500 mijë euro.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit