0.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Sulltan Murati I “përçan” qytetin kosovar

Më të lexuarat

Një debat ka shpërthyer në qytetin kosovar që mban emrin e kalorësit serb të shekullit 14, Millosh Obiliq, i cili mendohet se vrau pushtuesin Sulltan Murati I, mbi faktin nëse një qendër kulturore aty duhet të marrë apo jo emrin e pushtuesit osman.

Në Obiliq, një qytet i zymtë industrial në Kosovën qendrore, ndodhen disa termocentrale me qymyr që prodhojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike të vendit, dhe si rezultat i kësaj, Obiliqi është komuna me nivelet më të larta të ndotjes së ajrit në vend.

Ai ka gjithashtu një normë papunësie prej 45 për qind dhe jeta sociale dhe kulturore është e limituar në vetëm disa bare në qendër të komunës, ku klientela e përbërë vetëm nga meshkuj e këtyre bareve pi çaj të stilit turk dhe shumë duhan.

Këshilli komunal në Obiliq së fundmi është përfshirë në një debat mbi zhvillimin kulturor – një debat i cili ka ngritur dilema më të thella historike në qytetin që ka marrë emrin e kalorësit serb të shekullit të 14 Millosh Obiliq.

Mosmarrëveshja përqendrohet në krijimin e një qendre kulturore komunale në Obiliq – një projekt i cili është vonuar pas refuzimit të një donacioni nga Turqia.

Kryetari i komunës thotë se Ambasada Turke në Prishtinë u ofrua të financonte qendrën me kusht që ajo të merrte emrin e Muratit I, sulltani që e shtriu sundimin osman në Ballkan para se të vdiste ndërsa luftonte me forcat serbe në Betejën e Kosovës në vitin 1389 – sipas disa të dhënave, i vrarë nga Obiliqi.

“Ata kanë shprehur dëshirën për t’i vënë qendrës emrin e Sulltan Muratit dhe prandaj u desh ta refuzonim propozimin,” tha kryetari i komunës, Xhaferr Gashi, në asamblenë e qytetit.

Shumë shqiptarë janë krenarë për rezistencën e tyre kundër Perandorisë Osmane, si edhe për faktin se ushtria që luftoi Muratin I në Betejën e Kosovës ishte me etni të përzierë.

Qëndrimi i kryetarit të komunës u mbështet nga Teuta Gashi, një këshilltare e qytetit nga partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Nuk duam një sulltan në komunën tonë, sepse populli ynë tashmë ka pasur shumë pushtues,” tha Teuta Gashi.

Por shifrat e anëtarëve të asamblesë nga partia Lidhja Demokratike e Kosovës tregonin se ata e mbështesnin ofertën e Turqisë, duke argumentuar se nuk ka aspak kuptim të bllokohej zhvillimi shumë i nevojshëm kulturor i qytetit për shkak të emrit që kjo qendër do të mbajë.

Mehmet Krasniqi, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës në komunë, tha se kryetari i komunës po aplikonte standarde të dyfishta.

“Ka shumë rrugë të cilave kryetari i komunës Xhafer Gashi u ka vënë emra serbësh, përfshirë edhe disa me një të kaluar të errët ndaj shqiptarëve,” tha Krasniqi në asamblenë vendase.

Ai tha se nuk shikonte asnjë problem në përdorimin e emrit të një figure historike “i cili ka vepruar në një periudhë kur identitetet kombëtare ishin të paqarta”.

Baresh Gorica, një këshilltar në Ambasadën Turke në Prishtinë, tha për BIRN se ambasada kishte funksionuar thjesht si një ndërmjetëse në diskutimet mbi financimin e qendrës së propozuar kulturore.

Gorica tha se ambasada kishte kaluar informacione midis komunës së Obiliqit dhe asaj të Osman Gazit, në rajonin e Bursës në Turqi, e cila po ofronte edhe mbështetjen e këtij projekti.

“Komuna Osman Gazi donte të ndërtonte një qendër kulturore, por sipas informacioneve që ata kanë, kjo nuk është arritur për shkak të një mosmarrëveshjeje midis anëtarëve të këshillit në komunën e Obiliqit,” tha Gorica.

Ai shtoi se me aq sa dinte ai, problemi me emrin e qendrës nuk ishte përmendur në asnjë nga komunikimet midis komunës së Kosovës dhe asaj turke.

Krasniqi këmbënguli se projekti duhet të vazhdonte për të mirën e Obiliqit dhe vetë Kosovës.

“Mund të ndërtojmë qendrën kulturore, të ushqejmë miqësinë me Bursën dhe të kontribuojmë në miqësinë e vendit tonë me Turqinë,” u shpreh ai.

Por kryetari i komunës ka këmbëngulur se ai është i vendosur të bllokojë homazhin ndaj sulltanit dhe zyra e tij tha për BIRN se Ministria e Kulturës e Kosovës pritet tashmë të marrë përsipër zbatimin e projektit.

Në fshatin Magzit në komunën e Obliqit ndodhet një vend i shenjtë në nder të Muratit I, e ndërtuar pas vdekjes së tij në shekullin e 14. Ai është një monument i mbrojtur dhe konsiderohet të jetë një prej veprave më të lashta të arkitekturës osmane në Ballkan.

Rron Gjinovci, BIRN

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit