Nje filxhan me çokollate te ngrohte nuk i bën keq askujt, sidomos ne këto dite të ftohta dimri. Nuk keni nevoje të blini ato bustinat e gatshme që thjesht treten në qumësht; mund të realizoni vet një çokollate të shijshme në pak minuta.
Përbërësit për 1 filxhan çokollatë të ngrohtë:
1 lugë plot kakao të hidhur pluhur (e cilësisë më të mirë)
2 luge plot sheqer kallamsheqeri (ngjyre kafe)
1 luge të vogël miell 00
250ml qumësht
pak kanellë
gjysmë luge të vogël gjalp (sipas dëshirës)
Vendosim në një tenxhere të vogël kakaon pluhur, sheqerin, miellin dhe pak kanelle duke i përzierë të gjithë përbërësit bashkë derisa të homogjenizohen. Shtojmë pak nga pak qumështin e ftohte dhe gjithmonë duke e përzierë duhet të përftojmë një krem të trashë ngjyrë kafe dhe pa kokrriza.
Në këtë moment hedhim edhe qumështin e mbetur dhe e vendosim masën në zjarr të avashëm duke patur kujdes që çokollatën ta përziejmë gjatë gjithë kohës për shkak se mund të formohen kokrriza dhe të ngjisë në anët e enës. E lëmë në këtë mënyrë rreth 10 minuta apo derisa të arrijë trashësinë e dëshiruar. E heqim nga zjarri, e hedhim në një filxhan dhe e shijojmë sipas dëshirës me pak pana sipër.
*Këshillë: Për ta bere akoma më të shijshme cokollatën tonë, shtojmë gjysme luge gjalpë në momentin që po merr valë.