Allahu i Lartësuar thotë:
“Ne nuk të kemi dërguar Ty ndryshe, përveçse si përgëzues dhe paralajmërues për mbarë njerëzimin, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” Es-Sebe’e (34:28)
وَمَآ أَرْسَلْنَـٰكَ إِلَّا كَآفَّةًۭ لِّلنَّاسِ بَشِيرًۭا وَنَذِيرًۭا وَلَـٰكِنَّ أَكْثَرَ ٱلنَّاسِ لَا يَعْلَمُونَ ٢٨
Njerëzit janë robër vetëm të Allahut. Nuk ka pushtet përveç pushtetit të Allahut të Vetëm. Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut.
Kjo ishte rruga e tij (Profetit) dhe kështu e rrënjosi ai këtë akide (besim) në shpirtrat e atyre që e ndoqën (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Kur ky besim u rrënjos në zemrat e tyre, kur e njohën Zotin e tyre, e adhuruan Atë, e veçuan në njëshmëri dhe u çliruan nga çdo gjë tjetër përveç Tij, ata dëgjuan dhe u bindën. Kur e jetuan “La ilahe ilallah” (Nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut) si një realitet në jetën e tyre, Allahu bëri që gjithçka të ishte me ta: shpirtrat e tyre u pastruan, morali i tyre u lartësua dhe ata u bënë shoqëria më e ngritur që ka njohur njerëzimi.
Ata i rezistuan tundimeve teksa qeverisnin tërë botën. Bota nuk ishte qëllimi i tyre dhe as nuk synuan ta bënin atë të përjetshme; ajo ishte thjesht diçka kalimtare që e shfrytëzuan për një qëllim më të lartë: për “La ilahe ilallah”.
Njerëzit e panë atë (Profetin) ditën e betejës së Hunejnit. E panë kur kishte para vetes paranë dhe plaçkën më të madhe e më të mahnitshme të luftës në tërë historinë e arabëve. E panë teksa u afronte zemrat krerëve të Mekës (Kurejshëve), duke u dhënë atyre dhurata të mahnitshme: deve, dhen, flori e argjend. E këta ishin po ata që e luftuan dje, madje që i vranë shokët dhe njerëzit e tij më të dashur! Ndërsa atyre që e ndihmuan dhe i dhanë strehë (Ensarëve), nuk u dha asgjë.
Aq sa dikush prej tyre tha: “Allahu e faltë të Dërguarin e Allahut! Ai u jep Kurejshëve dhe na lë neve, ndërkohë që shpatat tona ende pikojnë nga gjaku i tyre që nga dje.”
Ajo dhënie dhe bujari e madhe bëhej për hir të “La ilahe ilallah”. Enes ibn Malik (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) thotë: “Kishte njerëz që pranonin Islamin vetëm për tëfituar botën (pasurinë), por pa kaluar shumë kohë, Islami bëhej më i dashur për ta sesa kjo botë dhe çdo gjë që gjendet në të.”
Edhe privimi i shokëve të tij bëhej për hir të “La ilahe ilallah”.
Kur pakënaqësia e Ensarëve arriti tek Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ai u prek shumë. Më pas i mblodhi ata dhe i shoqëruar nga Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) hyri tek ata dhe mbajti një fjalim, jo thjesht si orator, por si një Profet që korrigjon konceptet dhe rindreq busullën:
“O paria e Ensarëve! A nuk ju gjeta të humbur e Allahu ju udhëzoi? A nuk ju gjeta të varfër e Allahu ju pasuroi? A nuk ju gjeta armiq e Allahu i bëri bashkë zemrat tuaja?”
Ata u përgjigjën: “Po, ashtu është.”
Ai u tha: “Përse nuk më përgjigjeni, o Ensarë?”
Ata thanë: “E çfarë të themi, o i Dërguari i Allahut, dhe si të të përgjigjemi? Mirënjohja dhe lëvdata i takon Allahut dhe të Dërguarit të Tij!”
Ai tha: “Për Zotin, po të dëshironit, do të thonit të vërtetën dhe do t’ju besohej: ‘Na erdhe i dëbuar e të strehuam, erdhe i varfër e të ndihmuam, erdhe i frikësuar e të siguruam, erdhe i braktisur e të ndihmuam’.”
Atëherë ata thanë: “Mirënjohja i takon Allahut dhe të Dërguarit të Tij.”
Atëherë ai tha: “O Ensarë, a ndjetë shqetësim në shpirtrat tuaj për disa thërrime të kësaj bote, me të cilat desha t’u afroja zemrën disa njerëzve që sapo pranuan Islamin, ndërsa juve ju besova Islamin që Allahu ju ka dhuruar? O Ensarë, a nuk jeni të kënaqur që njerëzit të kthehen në shtëpitë e tyre me dhen e deve, ndërsa ju të ktheheni në shtëpitë tuaja me të Dërguarin e Allahut? Betohem në Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, sikur njerëzit të ndiqnin një rrugë në luginë dhe Ensarët një rrugë tjetër, unë do të ndiqja rrugën e Ensarëve! Sikur të mos ishte hixhreti (shpërngulja), unë do të isha njëri prej Ensarëve.
O Allah, mëshiroji Ensarët, fëmijët e Ensarëve dhe fëmijët e fëmijëve të Ensarëve!”
Atëherë njerëzit shpërthyen në lot dhe thanë: “Jemi të kënaqur me Allahun si Zot dhe me të Dërguarin e Tij si pjesën tonë!”
Si mund të presësh nga këta njerëz që të mbyten në materializëm dhe ta vendosin atë përpara Allahut dhe të Dërguarit të Tij? Ata çvlerësuan çdo gjë që zotëronin në rrugën e “La ilahe ilallah”. E nga ana tjetër, ata e konsideronin tragjike çdo gjë që e cenonte sadopak këtë besim, qoftë edhe diçka që në dukje dukej e vogël.
Ja ku është Ebu Bekr es-Siddik (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), i cili ishte dëshmitar i asaj dhënieje në Hunejn, duke mbledhur ushtritë për të luftuar ata që refuzuan të jepnin qoftë edhe një litar deveje që ia jepnin dikur të Dërguarit të Allahut. Një gjë që pothuajse nuk vlen asgjë! Ai tha: “Për Zotin, sikur të më ndalonin qoftë edhe një litar deveje që ia jepnin të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), unë do t’i luftoja ata për këtë refuzim.”
Ky nuk ishte një asketizëm i shtirur apo një vetëmohim artificial. Kjo ishte pesha e “La ilahe ilallah”.
Një rregull fiks dhe një busull që nuk shmanget kurrë. Me të jetuan dhe me të vdiqën. Ata ishin modeli i vërtetë. Ata e kaluan “La ilahe ilallah” nga teoria në zbatim, nga fjalët në jetë. Dhe rezultati ishte: thjeshtësi, modesti, krenari dhe fuqi.
Ata jetuan në shtëpi prej balte, por para tyre ranë në gjunjë perandoritë më të mëdha të botës.
Ne jemi një umet (popull) që zotëron atë që njerëzimi nuk është në gjendje ta prodhojë dot, por ne e mbajmë atë vetëm në gjokset tona dhe nuk e shndërrojmë në stilin tonë të jetës.
Ne e përsërisim me fjalë, por nuk e jetojmë. E njohim rregullin, por nuk gjykojmë sipas tij. Krenohemi me brezin e parë, por nuk ndjekim rrugën e tyre, prandaj edhe gjendja jonë përfundoi kështu.
Ata nuk lanë pas pallate, monumente apo statuja, por përcollën këtë fe dhe qartësuan rrugën dhe kriterin. Kriterin e dallimit: . لا إله إلا الله
Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut.
Përktheu: Fatjon Isufi
