Kush do t’i mbrojë muslimanët?

Më të lexuarat

Antisemitizmi dënohet me shpejtësi, por jo islamofobia

Ömer Kayacı, Daily Sabah

Në një intervistë të fundit për televizionin amerikan ABC, kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, përsëriti bindjen e tij se nuk mund të mbështesë “asnjë shtet që privilegjon një fe mbi një tjetër”.

Ai e bëri këtë deklaratë pasi u pyet nëse do ta mbështeste “Izraelin si një shtet hebre”. Nuk ishte hera e parë që Mamdani përballej me këtë pyetje. Ajo i është drejtuar vazhdimisht, veçanërisht gjatë debatit paraprak të Partisë Demokratike, ku ai ishte kandidati i vetëm që refuzoi të deklaronte se Izraeli do të ishte destinacioni i tij i parë zyrtar jashtë vendit nëse zgjidhej.

Qëndrimi i Mamdanit në favor të barazisë së të gjithë qytetarëve i ka sjellë shumë kundërshtarë. Disa prej tyre e kanë akuzuar vazhdimisht për përdorimin e “gjuhës së hapur antisemite”.

Një ndër ta ishte edhe ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon, i cili pak javë më parë e sulmoi publikisht Mamdanin për kritikat ndaj Komitetit Amerikan-Izraelit për Çështjet Publike (AIPAC).

Ndërhyrje të tilla nuk janë të rralla. Ministrat e qeverisë izraelite, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, shpesh pretendojnë se po mbrojnë sigurinë e hebrenjve duke sulmuar figura publike në vende të ndryshme të botës, të cilat sipas tyre rrezikojnë komunitetet hebraike me deklaratat e tyre.

Këto akuza përdoren si mjet presioni politik dhe shpesh rezultojnë efektive, pasi shumë qeveri ndihen të detyruara t’u përgjigjen. Por kjo ngre një pyetje të pashmangshme: kush i mbron muslimanët?

Çfarë ndodh me shqetësimet e miliona myslimanëve që jetojnë në vende ku klima politike dhe shoqërore po bëhet gjithnjë e më armiqësore ndaj tyre?

Po figurat publike që promovojnë hapur islamofobinë? A nuk duhet edhe ato të përballen me të njëjtin reagim që shohim sa herë ngrihen akuza për antisemitizëm?

Një anëtar i Kongresit amerikan ka krahasuar myslimanët me qentë, pa u përballur me reagime të forta ndërkombëtare. Në një rast tjetër, njeriu më i pasur në botë promovoi një film ku protagonisti vret familjen e një emigranti mysliman.

Edhe në këtë rast, nuk pati dënime të forta nga figura me ndikim në botën myslimane. Shqetësimet reale të muslimanëve shpesh anashkalohen.

Sot, vetë prania e muslimanëve paraqitet gjithnjë e më shpesh si një kërcënim. Ky perceptim ushqen diskriminimin dhe rrezikon sigurinë e tyre, si në Perëndim ashtu edhe në Lindje.

Në të njëjtën kohë, vetë termi “islamofobi” vihet shpesh në dyshim ose përqeshet nga ata që minimizojnë urrejtjen ndaj muslimanëve.

Muslimanët e dinë se rritja e antisemitizmit në Perëndim nuk buron nga prania e tyre, por nga pasojat e konflikteve në Lindjen e Mesme.

Megjithatë, ata vazhdojnë të mos kenë një mekanizëm ndërkombëtar me të njëjtën peshë që të mbrojë interesat dhe sigurinë e tyre.

A mund ta luajë këtë rol shoqëria civile? Unë mbetem skeptik, sepse edhe organizatat civile ndikohen shpesh nga interesa politike, ndërsa ata që kontribuojnë në izolimin e muslimanëve kanë edhe ndikimin më të madh në formësimin e debatit publik.

Një alternativë tjetër do të ishin institucionet dhe qeveritë e vendeve me shumicë muslimane. Disa prej tyre kanë peshën diplomatike për të kundërshtuar narrativat islamofobe, për të denoncuar padrejtësitë dhe për të mbrojtur dinjitetin e komuniteteve myslimane në arenën ndërkombëtare.

Problemi nuk është mungesa e institucioneve, por mungesa e reagimit. Ndërsa akuzat për antisemitizëm marrin përgjigje të menjëhershme nga zyrtarë dhe diplomatë të lartë, islamofobia trajtohet rrallëherë me të njëjtën urgjencë.

Mbrojtja e muslimanëve nuk duhet të jetë një çështje politike apo fetare, por një detyrim universal në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe barazisë. \tesheshi.com\

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit