Ka njerëz që e mbulojnë thesarin e tyre me një perde, dhe ka të tjerë që e shesin me zë të lartë në rrugë. Sot, shumë prej nesh hapin dritaret e shpirtit aq gjerë, sa çdo kalimtar sheh çfarë hanë, si qeshin, si zihen, si e thurin ditën e si e kalojnë natën. Fotografojnë gjithçka – ushqimin, të qeshurat, fjalët, lotët… çdo copëz të vogël që dikur do të mund të ishte kujtim i ëmbël vetëm për ata që jetuan brenda atij rrethi.
Dhe ironia më e madhe është se shpesh shfaqen të bukur e të dashur në aparencë, të gdhendur në poza të rreme në rrjetet sociale — por të vrazhdë, të thatë, madje të huaj mes njëri-tjetrit kur mbyllet kamera. Sa herë e shesim ëmbëlsinë jashtë, ndërkohë që brenda mureve harrojmë si të falim një buzëqeshje të vërtetë!
O Zot…
A nuk u mungon privatësia?
A nuk u mungon ky rreth i ngrohtë, i mbyllur, që i mbron nga sytë e botës?
A nuk u mungon velloja e hollë që e fsheh intimen nga turmat kureshtare dhe sytë grabitqarë?
A nuk kanë mall për një tryezë ku nuk ka sy që vrojtojnë, por vetëm shpirtra që e shijojnë ushqimin e dashurisë? Për çaste natyrale, të vërteta, të çliruara nga filtrat dhe nga përpjekja për të dalë të përsosur në rrjetet sociale?
Si pranojnë gratë të rrinë si një dritare e hapur përballë gjithë botës, ku secili kalimtar mund të hedhë një sy brenda, të marrë nga fytyrat e tyre, nga ndjenjat e tyre, nga jeta e tyre?
Për çfarë?
Për disa shikime më shumë, për disa klikime të zbrazëta?
Ah, sikur ta dinin sa e bukur është mbyllja e dyerve, ulja e perdes, e jetesa në një strehë që e mbron të shenjtën.
Privatësia është si një kopsht i vogël i mbjellë brenda mureve të zemrës – sa më shumë e zbulojmë përpara të tjerëve, aq më shumë vyshken lulet e tij. Sa më shumë e ruajmë, aq më fortë lulëzon jeta, aromat, gëzimet që mbeten vetëm për ata që kanë çelësin e portës…
Çfarë kuptimi kanë kujtimet nëse nuk ka më sekrete që t’i shijosh vetëm me njerëzit që do? Sa e ëmbël është një buzëqeshje kur nuk ka nevojë të pozojë për botën… Sa e vërtetë është jeta kur nuk e nxjerrim për shitje në ankandin e rrjeteve sociale…
Mbyllni dritaret… ulni perdet… ruajeni kopshtin tuaj të fshehtë – aty lulëzon qetësia, aty rritet dashuria, aty është parajsa e vogël që nuk mund ta blejë asnjë sy kureshtar…
Unejs Sheme
