Askush nuk të do si prindërit: Mesazhi i ndjerë i Shejh Shurejmit

Më të lexuarat

Shejh Su’ud esh-Shurejmi (Allahu e ruajttë!)

Askush s’do të të dojë ashtu siç të duan prindërit e tu. Ata marrin nga vetja e tyre për të të dhënë ty.

Po, ndoshta s’mund të të japin gjithçka që dëshiron, por pa dyshim të kanë dhënë gjithçka që kanë pasur.

Kjo është zemra e nënës. Allahu i Madhëruar thotë: “Ndërkohë, zemra e nënës së Musait u bë si të ishte e zbrazët.”

Ndërsa ky është syri i babait. Allahu i Lartësuar thotë: “Sytë i ishin zbardhur prej pikëllimit dhe ishte plot zemërim.”

Sa i lumtur është ai, prindërit e të cilit kanë ndërruar jetë, ose ai vetë ka vdekur para tyre, ndërsa ata kanë qenë të kënaqur me të.

Sa e bukur është ajo që është transmetuar nga Ijas bin Muavije: kur i vdiq nëna, ai qau me dënesë. Kur e pyetën pse qante kaq shumë, ai tha: “Kisha dy dyer të hapura drejt Xhenetit dhe njëra prej tyre u mbyll.”

E sa i mjerë është ai, prindërit e të cilit kanë vdekur, ose ai ka vdekur para tyre, ndërsa ata kanë qenë të zemëruar me të.

Larg nga mëshira e Allahut dhe i shkatërruar qoftë! Sepse Allahu e ka bashkuar mirësinë ndaj prindërve me adhurimin ndaj Tij, duke thënë: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë, dhe silluni mirë me prindërit.”

Gjithashtu, Ai e ka bashkuar falënderimin ndaj tyre me falënderimin ndaj Vetes, duke thënë: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë.”

Është transmetuar se Umeri (radijAllahu anhu) i tha Uvejs el-Karanit: “Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: ‘Do t’ju vijë Uvejs bin Amir…’ dhe në fund të hadithit tha: ‘Ai ka një nënë ndaj së cilës sillet me mirësi. Sikur të betohej në Allahun për diçka, Allahu do t’ia pranonte betimin. Ai ka një nënë, ndaj së cilës është bamirës (e respekton shumë). Sikur të betohej në Allahun (për diçka), Ai do t’ia plotësonte atë (betim). Nëse mundesh që ai të kërkojë falje për ty, atëherë bëje.’ Atëherë Umeri i tha: ‘Kërko falje për mua.’ Dhe Uvejsi kërkoi falje për të. Këtë e transmeton Muslimi.

Mirësia ndaj prindërve është një virtyt i fortë që largon cilësitë e këqija. Njerëzit s’kanë parë kurrë një njeri të devotshëm ndaj prindërve që të ketë karakter të lig.

Sa bukur ka thënë halifi i drejtë Umer bin Abdulazizi kur i tha Ibën Mehranit: “Mos u shoqëro me një njeri që është mosmirënjohës ndaj prindërve të tij, sepse ai s’do të jetë besnik ndaj teje, kur nuk u tregua besnik as prindërve të vet.”

Kjo nuk është aspak për t’u habitur, o robër të Allahut.

Vërtet, Allahu i Lartësuar e ka bërë mjerimin dhe arrogancën të kundërta me mirësinë ndaj prindërve.

Për Jahjanë (alejhi selam) Ai thotë: “ai ishte i sjellshëm ndaj prindërve të vet, nuk ishte i ashpër dhe i padëgjueshëm.”

Ndërsa për Isain (alejhi selam) Ai thotë: “që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm.”

Prandaj, mirësia ndaj prindërve duhet të mbetet gjithmonë e re, të mos ‘plaket’ edhe kur plaken prindërit dhe vetë fëmijët.

Ajo s’duhet të bëhet një barrë e rëndë që fëmijët e ndajnë mes tyre si një detyrë formale, vetëm për t’iu shmangur përgjegjësisë dhe obligimit.

Përktheu: Unejs Sheme

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit