Zërat e Srebrenicës: të rikthehesh në vendin e tragjedisë, vetëm për të dëgjuar…

Më të lexuarat

Një rrugëtim mes kujtesës private të një familjeje të arratisur dhe dëshmisë tronditëse të një të mbijetuari nga gjenocidi

“Askush nuk do t’ju prekë me dorë!”, është fjalia që u është përsëritur më së shpeshti civilëve gjatë gjenocidit në Srebrenicë – të njëjtëve që më pas u ekzekutuan. Dino Hodic, fëmija që ia doli të arratisej me familjen pak para luftës, e ka zgjedhur këtë frazë si titull të dokumentarit të tij.

Në dokumentarin tënd ti ndërthur historinë e familjes, që shpëtoi nga lufta e viteve 1992-1996 në Bosnje, me atë të Hasanit, një i mbijetuar…

Ne u larguam pak para se të niste lufta në Bosnje. Isha i vogël, por mbaj mend që në Kroaci kishte filluar lufta. Në dokumentar rrëfej udhëtimin e familjes sime përmes zonave që kontrolloheshin nga forcat serbe për të mbërritur në Zvicër.

Kur po kalonim urën mbi lumin Sava, ushtarët lejonin të kalonin vetëm familjet me fëmijë. Nëna dhe babai im arritën të kalonin kufirin vetëm falë pranisë sime. Një nga shtysat e këtij dokumentari lindi pikërisht nga pyetja: “Sikur të mos e kishim bërë atë zgjedhje, çfarë do të kishte ndodhur me ne?”.

Ku jetonit saktësisht? A u larguan edhe të tjerë nga familja?

Jetonim në Zvornik, 50 kilometra në veriperëndim të Srebrenicës, në kufi me Serbinë. Im atë punonte si punëtor sezonal në Zvicër. Kishim ëndërr të ndërtonim shtëpinë tonë në Zvornik, por plasi lufta.

Në fillim u larguam vetëm ne të tre. Gjyshërit qëndruan në Zvornik, ndërsa dajat u zhvendosën në Tuzla. Megjithatë, muajt pasues, im atë udhëtoi disa herë vajtje-ardhje – duke rrezikuar kokën – vetëm për të shpëtuar sa më shumë të afërm.

Rrugët e arratisjes ishin të ndërlikuara. Gjyshërit e mi kaluan kufirin me Serbinë pa asnjë qindarkë dhe me tmerrin se mos i zbritnin nga autobusi për t’i zhdukur. Më pas hynë në Hungari, e që andej në Kroaci, ku shkoi im atë për t’i marrë.

Çfarë të kujtohet nga ai udhëtim, pjesë të të cilit i ke përfshirë në film përmes videove të xhiruara nga babai yt?

Më kanë mbetur vetëm disa sekuenca si impulse: dritat e rrugës, aroma e makinës sonë Lada Samara. Kur u vendosëm në Bellinzona, mbaj mend mirë bisedat e ankthshme nga një kabinë telefonike publike.

Ishte e vetmja mënyrë për të marrë vesh nëse të afërmit ishin gjallë, sepse linjat priteshin qëllimisht për të bllokuar informacionet. Si dhe televizori që rrinte ndezur 24 orë në shtëpi për të ndjekur lajmet e luftës.

Kur u kthyet për herë të parë në Bosnje dhe çfarë ndjeve?

Në vitin 1997, një vit pas përfundimit zyrtar të luftës. Në hyrje të vendit na duhej të kalonim mes thasëve me rërë që rrethonin mitralozët e forcave ndërkombëtare. Isha dhjetë vjeç dhe po njihja një vend që e kisha lënë foshnje.

Befas u përballa me gërmadhat dhe pallatet e shpuara nga plumbat. Besoj se pikërisht atëherë lindi shtysa ime për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur në Ballkan dhe për të gërmuar në origjinën time.

A arritët të ktheheshit në Zvornik?

Në Zvornik u rikthyem shumë më vonë. Ishte e pamundur të ktheheshe menjëherë në një qytet që ishte spastruar tërësisht nga ana etnike. Shtëpia jonë trekatëshe ishte zaptuar në mënyrë të paligjshme.

Pas një beteje të gjatë ligjore, gjyshërit ia dolën ta rimerrnin, por na u dorëzua e shkatërruar. Sot, njërin kat ua kemi lëshuar me qira një familjeje serbo-boshnjake. Pavarësisht gjithçkaje, bashkëjetesa vazhdon si para luftës. Besoj se kjo është gjëja e duhur.

Sa zgjati realizimi i dokumentarit?

Ideja më mori rreth katër vite në total. Vetëm skenari kërkoi tre vite punë. Pastaj njoha Hasanin, me të cilin morëm pjesë në “Marš Mira” (Marshi i Paqes). Ne marshuam në drejtim të kundërt përgjatë asaj rruge nëpër pyje që ai kishte përshkuar për t’i shpëtuar gjenocidit në korrik të vitit 1995 – por në kushte krejt ndryshe nga tmerri, minat, etja dhe uria që përjetoi ai teksa mbante në shpinë trupin e vëllait të tij të plagosur rëndë.

Bashkëshortja ime, Sanda Copelj, punoi si producente arkivi për të gjetur materialet e nevojshme nga Gjykata e Hagës dhe Radiotelevizioni Zviceran.

Pse vendose të ndërthurësh historinë tënde me atë të Hasanit?

Në fillim mendoja se filmi do të fliste vetëm për të. Por kuptova se linja narrative e familjes sime ishte e domosdoshme, sepse unë isha ai që po kërkoja përgjigje. Kisha frikë se mos dukej mungesë respekti krahasimi i historisë sime “me fat” me tragjedinë e Hasanit, i cili humbi 71 burra dhe një grua nga familja e tij brenda gjashtë ditëve. Përmes montazhit, arritëm t’i bënim të dyja historitë të komunikonin, duke e çuar shikuesin drejt mesazhit kryesor: rëndësia jetike për t’u ulur dhe për t’i dëgjuar ata që mbijetuan.

A gjete përgjigje për pyetjet e tua?

Jo, nuk gjeta përgjigje. Ndoshta ishte më e rëndësishme të kaloja përmes këtyre pyetjeve. Ky film funksionoi si një mjet për të përpunuar traumën personale.

Thënë këtë, ky dokumentar është fatkeqësisht shumë aktual nëse kthejmë kokën nga konfliktet e sotme: dehumanizimin e tjetrit, propaganda e shfrenuar nacionaliste dhe një OKB që nuk ndërhyn.

Shihet edhe te ai cinizmi që përdoret sot në diskursin publik ndaj komuniteteve të tëra, të cilat pak kohë më vonë privohen nga të drejtat e në fund asgjësohen. Është si një stekë dhune që ngrihet dalëngadalë, derisa vjen një moment kur është tepër vonë për t’u kthyer prapa. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit