Kur faraonëve u tronditet pushteti dhe u humbet legjitimiteti moral, ata, nga njëra anë, i kujtojnë popullit “mirësitë” që pushteti i tyre ia paska dhënë, ndërsa, nga ana tjetër, i kujtojnë se fuqia e shtetit është vetëm në duart e tyre.
Këtë bëri edhe Faraoni i Egjiptit, i cili, për të legjitimuar veten para syve të popullit dhe për të zhvlerësuar sfidën e Musait, u mburr me madhështinë e pushtetit të tij dhe me begatinë e sistemit të lumenjve, që i siguronte popullit jetesën dhe bujqësinë. Për rrjedhojë, ai pretendonte edhe epërsinë ndaj Musait, me të cilin u tall:
“Ndërkohë, Faraoni thirri popullin e vet e u tha: ‘O populli im! A nuk janë nën pushtetin tim Egjipti dhe këta lumenj që rrjedhin poshtë meje?! A nuk po shikoni? Atëherë, cili është më i mirë: a nuk jam unë, apo është ai qyqar që mezi flet?!’” (43:51-52)
Në të njëjtën mënyrë arrogante, Edi Rama tallet me protestuesit, duke i sulmuar edhe individualisht ata. Më pas mburret se pushteti i takon atij, se largohet kur të dojë vetë dhe se është pikërisht ai që po ia ndryshon fytyrën Shqipërisë dhe do ta fusë atë në Bashkimin Evropian!
Njerëzit e etur për lavdi, që pushtetin e kanë qëllim në vetvete për të përjetësuar emrin e tyre personal, dhe jo si mision përgjegjësie, nuk e kanë kurrë lartësinë e fisnikërisë për t’u larguar me modesti e përulësi para një populli që nuk i do më. Përkundrazi, ata kapen edhe më fort pas pushtetit, duke u bërë kështu edhe më të urryer në sytë e njerëzve.
Por i njëjti fat i përndjek të gjithë faraonët.
Hoxhë Dr. JUSTINIAN TOPULLI
