Paqja qoftë mbi ty, o miku im!

Më të lexuarat

Më thua: Po kalon jeta dhe nuk kam ndonjë arritje që ia vlen të përmendet.

Unë të them: Kush të tha se arritjet duhet të jenë patjetër të jashtëzakonshme?!

Arritjet, o miku im, nuk janë vetëm ato që shkruhen në librat e historisë e për të cilat flasin njerëzit.

Kush tha se të gjithë duhet të jemi shpikës, dijetarë të fesë, shkrimtarë, politikanë, të pasur apo të famshëm që të konsiderohemi njerëz me arritje?

Mjafton që njeriu të jetë njeri; edhe kjo, në vetvete, është një arritje e madhe!

Ne jemi heronj, o miku im,

edhe nëse nuk udhëheqim ushtri e nuk arrijmë fitore,

nuk shpikim një ilaç,

nuk zbulojmë një ligj të fizikës,

nuk gjejmë një përbërje të re në kimi,

nuk vendosim një rregull të ri në matematikë,

nuk krijojmë një stil të ri në poezi,

dhe nuk fitojmë Çmimin Nobel!

Ne jemi heronj kur luftojmë me vetveten çdo ditë që të mos e kundërshtojmë Allahun e Lartësuar.

Dhe jemi heronj edhe kur e kundërshtojmë Atë, por kthehemi tek Ai me zemër të thyer, duke kërkuar falje.

Ne jemi heronj kur ua lehtësojmë zemrën njerëzve,

dhe kur i zgjedhim me kujdes fjalët tona, që të mos lëndojmë askënd.

Ne jemi heronj kur kalojmë pranë një shitësi të varfër ambulant, blejmë prej tij, nuk ngulim këmbë për një ulje të vogël çmimi dhe e llogarisim atë si një sadaka të fshehtë.

Ne jemi heronj kur arrijmë në fund të muajit me pagat tona të vogla dhe e mbulojmë varfërinë tonë para njerëzve.

Ne jemi heronj kur i edukojmë fëmijët tanë që ta kenë frikë Allahun,

dhe kujdesemi që ta mësojnë Xhuzin Amma, ashtu siç kujdesemi që ta mësojnë tabelën e shumëzimit.

Ne jemi heronj, o miku im, kur i respektojmë dhe i nderojmë prindërit tanë,

kur sillemi mirë me fqinjët,

kur i ndihmojmë bashkëshortet tona,

dhe kur i mbajmë lidhjet farefisnore.

Ne jemi heronj kur përpiqemi në bankat e shkollës,

dhe kur e nxjerrim kafshatën e bukës për fëmijët tanë me mund e sakrificë.

Shënoje në listën e arritjeve të tua faljen e namazit të sabahut!

Shënoje gjithashtu edhe faktin që vazhdon t’ua mbash dorën njerëzve të dashur, pavarësisht gjithçkaje.

Sepse ai që ta ka dhënë zemrën e vet, ta ka besuar atë si amanet,

dhe Allahu e do që amanetet t’u kthehen atyre që u takojnë.

Shënoje në listën e arritjeve të tua atë çast kur je gëzuar për suksesin e dikujt tjetër,

sepse kjo do të thotë se ke një zemër të mirë.

Shënoje gjithashtu lutjen tënde që Allahu ta bekojë çdo njeri që ka një mirësi,

sepse kjo tregon se je edukuar mirë dhe je i kënaqur me atë që Allahu ta ka caktuar.

Shënoje në listën e arritjeve të tua çdo lot që ia ke fshirë një të pikëlluari,

çdo fjalë të mirë që ia ke thënë një të lënduari,

dhe çdo prekje ngushëlluese që ia ke dhënë dikujt me zemër të thyer.

Paqja qoftë mbi zemrën tënde!

Ed-hem Sherkavij

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit