A është bërë Greqia “Kali i Trojës” i Izraelit në Gjirin Persik?

Më të lexuarat

Thellimi i aleancës Athinë-Tel Aviv po i jep Greqisë një rol të ri në arkitekturën e sigurisë së vendeve të rajonit

Ali Bakir, Middle East Eye

Gjatë viteve të fundit, veçanërisht që nga fundi i vitit 2019, Greqia ka thelluar ndjeshëm marrëdhëniet me vendet e Gjirit Persik. Në pamje të parë, ky afrimitet duket si një partneritet ekonomik dhe energjetik, ku Athina siguron investime dhe qasje në tregje, ndërsa vendet e Gjirit fitojnë një partner evropian.

Por në praktikë, bashkëpunimi mbështetet gjithnjë e më shumë mbi interesat e sigurisë, mbrojtjes dhe gjeopolitikës. Afrimi i Greqisë me vendet e Gjirit ka kaluar në dy faza.

E para, mes viteve 2016-2021, u ndërtua mbi boshtin Greqi-Izrael-Qipro, i cili u zgjerua me Francën, Egjiptin dhe, në një periudhë, edhe me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite.

Edhe pse bashkëpunimi ekonomik dhe energjetik shërbeu si bazë formale, shtylla kryesore ishte koordinimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, në një kohë kur disa vende arabe po afroheshin gradualisht me Izraelin.

Në këtë kuadër, Greqia nënshkroi marrëveshje strategjike me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite, duke përfshirë bashkëpunim ushtarak, stërvitje të përbashkëta dhe vendosjen e një sistemi Patriot grek në territorin saudit.

Kjo arkitekturë u ndërtua mbi interesin e përbashkët për të balancuar ndikimin e Turqisë në Mesdheun Lindor. Ky konfigurim filloi të humbiste peshën kur marrëdhëniet mes Turqisë dhe vendeve të Gjirit u normalizuan pas përfundimit të krizës së Gjirit.

Me afrimin e Ankarasë me Arabinë Saudite, Emiratet dhe Egjiptin, përpjekja për të ndërtuar një front rajonal kundër Turqisë, e humbi një pjesë të bazës së saj politike.

Nga viti 2023 nisi një fazë e re, e cila ruan të njëjtën logjikë strategjike. Greqia synontë zgjerojë ndikimin e saj në vendet e Gjirit përmes projekteve të mbrojtjes, sigurisë, energjisë dhe infrastrukturës, duke forcuar njëkohësisht aleancën me Izraelin dhe duke kufizuar peshën në rritje të Turqisë në rajon.

Veçoria kryesore e kësaj faze është niveli i integrimit të politikës së sigurisë së Greqisë me atë të Izraelit. Programi grek i mbrojtjes ajrore “Achilles Shield” (Thembra Akili), me vlerë rreth 3.5 miliardë dollarë, mbështetet në sisteme izraelite, ndërsa Athina ka investuar edhe qindra miliona dollarë të tjerë në armatime të prodhuara nga industria ushtarake izraelite.

Kompanitë izraelite trajnojnë pilotët grekë, ndërsa bashkëpunimi industrial dhe transferimi i teknologjisë janë zgjeruar ndjeshëm. Marrëdhënia mes dy vendeve i ngjan gjithnjë e më shumë një integrimi strategjik sesa një partneriteti klasik.

Kjo i jep Greqisë një rol të ri në Gjirin Persik. Izraeli, i përballur me izolim diplomatik në një pjesë të madhe të rajonit pas luftës në Gaza, mund të mbetet i pranishëm në arkitekturën e sigurisë së vendeve të Gjirit pa qenë domosdoshmërisht pjesë e saj në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Përmes bashkëpunimit me Athinën, sistemet, teknologjia, doktrina ushtarake dhe rrjetet e inteligjencës izraelite mund të depërtojnë në strukturat rajonale të mbrojtjes. Në të njëjtën kohë, Turqia po forcon pozitat e saj si partner strategjik i vendeve të Gjirit.

Si i vetmi vend me shumicë myslimane në NATO që zotëron një industri të avancuar të mbrojtjes, Ankaraja ka zgjeruar bashkëpunimin me Arabinë Saudite, Emiratet, Katarin dhe vende të tjera arabe.

Përpjekja për të ndërtuar një arkitekturë rajonale sigurie, në bashkëpunim me Arabinë Saudite, Egjiptin dhe Pakistanin, bie ndesh me vizionin strategjik të Athinës dhe Tel Avivit.

Edhe projektet ekonomike po marrin një dimension të qartë gjeopolitik. Korridori Indi-Lindja e Mesme-Evropë (IMEC), i cili lidh Indinë, Izraelin, Emiratet, Arabinë Saudite dhe Greqinë me Evropën, lë jashtë Turqinë dhe Egjiptin, duke krijuar një bosht të ri bashkëpunimi që forcon lidhjet mes vendeve të Gjirit dhe aleancës greko-izraelite.

Lufta mes Izraelit dhe Iranit i dha një dimension të ri kësaj strategjie. Greqia u ofroi vendeve të Gjirit bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, ndërsa objektet ushtarake greke shërbyen si nyje logjistike për operacionet që çuan në përshkallëzimin e konfliktit.

Një shtet që mbështetet gjerësisht në sistemet e mbrojtjes, teknologjinë dhe doktrinën ushtarake të Izraelit, vështirë se mund të paraqitet si një aktor plotësisht i pavarur në planifikimin e sigurisë rajonale.

Kur një vend bëhet klient i madh i industrisë ushtarake të një aleati, integron teknologjinë e tij, trajnon personelin sipas doktrinës së tij dhe koordinon politikat kundër një pale të tretë, politika e jashtme fillon të mbajë gjithnjë e më shumë vulën e atij aleati.

Pikërisht për këtë arsye, vendet e Gjirit duhet të vlerësojnë me kujdes jo vetëm marrëveshjet që nënshkruajnë me Athinën, por edhe interesat strategjike që mund të shoqërojnë këtë bashkëpunim. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit