Sukseset e pretenduara të një anti-komunisti të rënë në batakun komunist
I vetëkonsideruar ai anti-Enverist e anti-komunist me nam, Edi Rama ka rënë, me apo pa vetëdije, në të njëjtin batak propagandistik si ish-udhëheqësi komunist. Së fundi, ai ka renditur ato që i quan arritje të qeverisë së tij, ndërkohë që në emër të arritjeve, nëse përdorim të njëjtin standart, edhe komunizmi duhej të kishte vijuar të qeveriste Shqipërinë.
Duke ironizuar me protestën, ai shkruan:
“Dorëhiqu për transformimet e zonave urbane dhe rurale. (por bosh, pa jetë, shko jeto vetë aty…)
Dorëhiqu për aeroportet! (njeri i dështuar)
Dorëhiqu për turizmin që shënon shifra rekord! (është trend botëror, jo meritë e jotja)
Dorëhiqu për negociatat që u hapen! (nuk ja ndjen kujt, edhe ti e di këtë)
Dorëhiqu për konferencën e tetë ndërqeveritare. (pra, s’ja ndjen kujt)
Dorëhiqu për kthimin në shina të ekonomisë! (si?!)
Dorëhiqu që sot keni rritur pagat në thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë. (edhe me Berishën kishte rritje pagash, edhe me Nanon madje).
Dorëhiqu sepse sot protestohet paqësisht dhe në dritaren tënde nuk ka snajper! (faleminderit që nuk vret me plumba, por të grin me fjalë)
Dorëhiqu për transformimet në arsimin, shëndetësi, infrastrukturë dhe jo vetëm. (ndryshe i sheh ti, ndryshe i përjeton populli, sidomos dy të parat. Për të fundit, po, ke merita. Por dhe Berisha shtroi goxha rrugë.
Realiteti është bezdisës për ata që jetojnë me nostalgjinë e krizës së përhershme. (sofizëm pa yndyrë)
Dorëhiqu, sepse e ktheve Shqipërinë në një vend që sot respektohet ndërkombëtarisht”. (këto janë fantazi të tuat)
Mirëpo paska harruar bujqësinë e blektorinë në ditën me të zezë, fshatin në zhbërje, qytetet po ashtu, arsimin në degradim, shoqërinë në depresion dhe ikjet frenetike.
Ndërkohë, komunizimi pretendonte dhe “njeriun e ri”, ndërsa Rama nuk ka asnjë fjalë për atë që duhej të ishte kredo e tij qeverisëse, një reformë morale e shoqërisë.
Nuk përmend gjithashtu dhe handikapin më të madh të Shqipërisë për sa është shtet: “armiqësinë” shtet-shtetas. E thelloi më keq këtë handikap në vend që ta shëronte. Sot, më shumë se kurrë, këtu dy domene jo vetëm që nuk janë në pajtim e partneritet, por janë në një hendek dhe më të madh. Dhe në fund korrupsioni, nepotizmi e militantizimi në emërime. Këtu, të keqen e Enverit! /tsheshi.com/
