Ixhazeti nuk është certifikatë, por amanet – një vështrim kritik mbi qasjen ndaj leximit të Kur’anit.ç

Më të lexuarat

Vitet e fundit është vërejtur një dukuri e re në mesin e disa lexuesve në Maqedoninë e Veriut, pajisja me ixhazet nga institucione ose mësues në Egjipt, shpesh brenda një periudhe relativisht të shkurtër. Në vetvete, marrja e ixhazetit nga dijetarët e Egjiptit nuk është problem. Përkundrazi, Egjipti ka qenë dhe mbetet një nga qendrat më të rëndësishme të shkencave kur’anore. Megjithatë, shqetësimi lind kur titulli i ixhazetit nuk pasqyrohet në cilësinë e leximit praktik.

Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të vërë në dyshim ixhazetin e një personi të caktuar, por të ngrejë një pyetje akademike: A është ruajtur standardi tradicional i dhënies së ixhazetit, apo në disa raste ai është shndërruar në një formalitet?

Nga përvoja ime personale si bartës i ixhazetit, e di se ky nuk është një dokument që fitohet thjesht duke përfunduar leximin e Kur’anit. Ai është rezultat i një trajnimi të gjatë, të vazhdueshëm dhe shumë rigoroz, ku nxënësi nuk lejohet të kalojë përpara pa përvetësuar me saktësi rregullat e texhvidit, usulin e kiraetit dhe mënyrën e performimit sipas rivajetit përkatës. Çdo gabim korrigjohet derisa leximi të arrijë nivelin e kërkuar. Kjo është esenca e ixhazetit.

Mirëpo, në praktikë po dëshmojmë raste ku një hafiz i pajisur me ixhazet udhëheq namazin duke lënë pas dore rregulla elementare të texhvidit. Dëgjohen raste të mungesës së ihfasë aty ku është detyrim, moszbatimit të idgamit, neglizhimit të gunnes, si dhe shkurtimit të zgjatjeve të detyrueshme, siç është meddi muttasil. Ky i fundit, sipas të gjitha kiraeteve të njohura dhe rivajeteve autentike, nuk lexohet me zgjatje të shkurtër si medi tabi’ij. Kjo nuk është çështje preference personale, por pjesë e transmetimit të pandërprerë të kiraeteve.

Nëse një person mban ixhazet, atëherë ai nuk përfaqëson vetëm veten, por edhe zinxhirin e transmetimit (senedin) që arrin deri te i Dërguari s.a.w.s Prandaj, çdo devijim i vazhdueshëm nga mënyra e transmetuar ngre pyetje serioze mbi procesin e trajnimit dhe vlerësimit që ka paraprirë dhënien e atij ixhazeti.

Po aq shqetësues është edhe fenomeni i “ixhazeteve të shpejta”. Nëse ixhazeti mund të merret brenda një kohe shumë të shkurtër, pa një trajnim të thellë praktik dhe pa një kontroll rigoroz të performancës, atëherë ekziston rreziku që ai të humbasë peshën e tij shkencore dhe shpirtërore. Ixhazeti nuk është një certifikatë për dekorim dhe as një mjet marketingu. Ai është amanet.

Nuk është e drejtë që institucionet ose disa mësues ta trajtojnë ixhazetin si një produkt që shpërndahet lehtë. Nëse kjo ndodh, dëmtohet besueshmëria e vetë institucionit të ixhazetit dhe krijohet konfuzion te njerëzit, të cilët me të drejtë presin që një hafiz me ixhazet të lexojë sipas standardeve më të larta të texhvidit dhe kiraetit.

Kritika ndaj këtij fenomeni nuk buron nga rivaliteti apo dëshira për të zhvlerësuar të tjerët. Përkundrazi, ajo buron nga respekti për Kur’anin dhe për amanetin e transmetimit të tij. Sa më i lartë të jetë titulli, aq më e madhe është përgjegjësia.

Prandaj, është koha që standardet e dhënies së ixhazetit të rishikohen me seriozitet dhe që theksi të rikthehet te cilësia e leximit, korrektësia e transmetimit dhe përgjegjësia shkencore. Sepse ixhazeti nuk është “fast food”. Ai është rezultat i viteve të disiplinës, korrigjimit, durimit dhe besnikërisë ndaj mënyrës së transmetuar të leximit të Librit të Allahut.

Ibrahim Sherifi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit