Allahu i Lartësuar thotë:
﴿ *أَمْ حَسِبْتُمْ أَنْ تَدْخُلُوا الْجَنَّةَ وَلَمَّا يَأْتِكُمْ مَثَلُ الَّذِينَ خَلَوْا مِنْ قَبْلِكُمْ ۖ مَسَّتْهُمُ الْبَأْسَاءُ وَالضَّرَّاءُ وَزُلْزِلُوا حَتَّىٰ يَقُولَ الرَّسُولُ وَالَّذِينَ آمَنُوا مَعَهُ مَتَىٰ نَصْرُ اللَّهِ ۗ أَلَا إِنَّ نَصْرَ اللَّهِ قَرِيبٌ ﴾
“A mos menduat se do të hyni në Xhenet pa ju ardhur ajo që u erdhi atyre që ishin para jush? Ata i goditën varfëria dhe vuajtjet, u tronditën aq shumë sa që Pejgamberi dhe besimtarët që ishin me të thoshin: ‘Kur do të vijë ndihma e Allahut?’ Vërtet, ndihma e Allahut është afër.”
(El-Bekare, 214)
Kuptimi i ajetit:
A menduat ju, o besimtarë, se do të arrini në Xhenet pa kaluar sprova dhe vështirësi në rrugën drejt tij? Jo, mos e mendoni këtë. Patjetër që në këtë rrugë do të hasni pengesa, do të përballeni me sprova dhe fatkeqësi, përmes të cilave do të testoheni dhe pastroheni.
Kështu ndodhi edhe me besimtarët e popujve që jetuan para jush. Ata u goditën nga varfëria dhe nevoja e madhe, nga sëmundjet dhe dhimbjet. U frikësuan dhe u kërcënuan nga armiqtë e tyre me lloj-lloj frikërash.
Ata u sprovuan:
* në pasuritë e tyre me varfëri dhe humbje,
* në trupat e tyre me sëmundje dhe vuajtje,
* në zemrat e tyre me frikë dhe ankth.
Sprovat u bënë aq të rënda saqë edhe të Dërguarit e Allahut dhe besimtarët që ishin me ta filluan të pyesnin:
“Kur do të vijë ndihma e Allahut?”
Ata e kërkonin ndihmën e Allahut që t’i nxirrte nga ngushtica, brenga dhe vështirësia në të cilën ndodheshin.
Atëherë Allahu i Madhëruar ua përforcoi zemrat me fjalën e Tij:
﴿ أَلَا إِنَّ نَصْرَ اللَّهِ قَرِيبٌ ﴾
“Vërtet, ndihma e Allahut është afër.”
Pra, sado të mëdha të jenë sprovat dhe sado të zgjasin vështirësitë, ndihma e Allahut është afër dhe lehtësimi i Tij vjen shpejt. Me vështirësinë vjen edhe lehtësimi, dhe pas durimit vjen fitorja.
📚 Përshtatur nga “Mewsuatu et-Tefsir” – الدرر السنية.
