Ehud Olmbert: SHBA-BE të ndalin urgjentisht terrorizmin hebre në Bregun Perëndimor

Më të lexuarat

Apeli i fortë i ish-kryeministri izraelit në një koment në gazetën Haartez

Lufta kundër terrorizmit hebre në Bregun Perëndimor duhet të hyjë në një fazë të re dhe të zhvillohet me vendosmëri më të madhe. Terrorizmi i përditshëm që menaxhohet, drejtohet, inkurajohet dhe mbështetet nga qeveria izraelite nuk mund të tolerohet më.

Ajo që po ndodh sot në të gjithë Bregun Perëndimor nuk është vepër e “70 të rinjve nga familje të shkatërruara”, siç u përpoq dikur të pretendonte kryeministri Benjamin Netanyahu. As nuk janë krimet e një pakice të vogël e të pazakontë mes banorëve të vendbanimeve hebraike, siç pretendojnë shpesh disa drejtues të lëvizjes së kolonëve.

Sot duhet thënë se Shteti i Izraelit po zhvillon një fushatë të organizuar, sistematike dhe të financuar nga shteti të spastrimit etnik dhe krimeve kundër njerëzimit. Jo në Rripin e Gazës, Libanin jugor apo Siri, por në zonat e Bregut Perëndimor që ndodhen nën kontrollin ekskluziv të sigurisë së shtetit dhe të aparatit të tij të sigurisë dhe zbatimit të ligjit.

Në krye të kësaj fushate qëndrojnë kryeministri, ministri i Mbrojtjes Israel Katz dhe pjesa tjetër e kabinetit qeveritar. Fryma që i shtyn këto veprime pasqyrohet në deklaratat dhe veprimet e ministrave të lartë që kërkojnë aneksimin e plotë të Bregut Perëndimor pa praninë e banorëve palestinezë.

Këtu i referohem veçanërisht Itamar Ben-Gvirit, Bezalel Smotrichit dhe ministrave të tjerë që mbështesin, me fjalë dhe veprime, politika që në thelb nënkuptojnë dëbimin e palestinezëve. Këto janë fjalë të rënda.

Asnjëherë më parë akuza kaq serioze nuk janë drejtuar ndaj një qeverie izraelite dhe të gjithë establishmentit të sigurisë, aq më tepër nga dikush që dikur mbante përgjegjësinë më të lartë për sigurinë e Izraelit.

Asgjë nuk mund të justifikojë mbylljen e syve përballë asaj që ndodh çdo ditë në fshatrat palestineze të Bregut Perëndimor: pogrome, plagosje të fëmijëve dhe të rriturve brenda dhe jashtë shtëpive të tyre, djegie të tokave dhe pronave, si dhe grabitje në shkallë të gjerë, veçanërisht të bagëtive, që për shumë banorë përbëjnë burimin kryesor të jetesës.

Përballë kësaj, është e pamundur të qëndrosh i qetë, falës ose i pavullnetshëm për t’u përballur me autorët, mbështetësit dhe drejtuesit e tyre.

Mijëra kolonët që marrin pjesë në këto krime nuk do të mund të vepronin pa ndihmën, mbrojtjen, mbështetjen dhe financimin e institucioneve shtetërore. Krime të kësaj shkalle nuk do të ishin të mundura pa mbështetje në çdo fazë.

Kanë dalë shumë raste ku ushtarë të ushtrisë izraelite, si të rregullt ashtu edhe rezervistë, janë përfshirë në sulme kundër palestinezëve. Zëdhënësi i ushtrisë deklaron rregullisht se këto incidente nuk përfaqësojnë vlerat apo politikën e saj, por kjo është kthyer në një ritual bosh.

Realiteti është se ushtarë në zona të ndryshme vazhdojnë të marrin pjesë në sulme të dhunshme, ndonjëherë edhe vdekjeprurëse. Po ashtu nuk mund të injorohen dështimet e Shin Bet-it në parandalimin dhe zbulimin e terrorizmit hebre.

Kjo agjenci ka aftësitë dhe mjetet e nevojshme për të luftuar terrorizmin dhe s’ka asnjë shpjegim bindës pse nuk po i përdor ato për t’u përballur me terrorizmin hebre që po përhapet në Bregun Perëndimor.

Autoritetet izraelite të zbatimit të ligjit kanë detyrimin të ndalin atë që po bëjnë hebrenjtë ekstremistë në Bregun Perëndimor. Por duke qenë se qeveria nuk duket e gatshme të veprojë, ekziston mundësia reale që bashkësia ndërkombëtare të ndërhyjë më fuqishëm kundër individëve, organizatave dhe institucioneve përgjegjëse.

Administrata amerikane dhe qeveritë evropiane mund të përfundojnë duke bërë atë që autoritetet izraelite nuk kanë bërë deri tani: të veprojnë kundër terrorizmit që Izraeli vazhdon të tolerojë në territoret nën kontrollin e tij.

Gjithashtu Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë duhet të ndërmarrë masa më të drejtpërdrejta kundër drejtuesve dhe autorëve të këtyre krimeve. Reagimi i zakonshëm i terroristëve hebrenj dhe mbështetësve të tyre, si dhe ndonjëherë i shumë izraelitëve të zakonshëm, është ta quajnë çdo kritikë “antisemitizëm”.

Antisemitizmi ekziston dhe është shtuar vitet e fundit, por nuk duhet ngatërruar me dënimin e politikave të qeverisë izraelite ose me kundërshtimin e veprimeve të kryera në emër të Izraelit.

A mund të besohet seriozisht se dhuna e ushtruar nga izraelitët ndaj palestinezëve mund të injorohet dhe se njerëzit në mbarë botën do të mbyllin sytë përballë shkatërrimit, urrejtjes, persekutimit, zjarrvënieve dhe brutalitetit?

Ka ardhur koha të hiqet dorë nga vetëkënaqësia, hipokrizia dhe shtirja, dhe të përballemi me armiqtë që gjenden brenda nesh. \tesheshi.com\

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit