Ehud Olmert thotë se Izraeli “duhet të tërhiqet plotësisht nga jugu i Libanit”.
Një marrëveshje e mundshme midis SHBA-së dhe Iranit mund të shihet si një “tradhti” në Izrael, tha ish-kryeministri izraelit, Ehud Olmert, për transmetuesin publik irlandez RTE, transmeton Anadolu.
“Mendoj se ndoshta nga këndvështrimi i pozicionit fillestar të Netanyahut, kjo mund të interpretohet si tradhti”, tha Olmert, duke iu referuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Ai tha se Netanyahu nuk ka gjasa ta thotë këtë publikisht sepse ai është “plotësisht, tërësisht i varur nga marrëdhëniet dhe mbështetja” e presidentit amerikan Donald Trump.
Megjithëse, detajet e marrëveshjes ende nuk dihen plotësisht, Olmert argumentoi se duket se ekziston “një diferencë e madhe” midis pritshmërive fillestare të SHBA-së dhe Izraelit kur nisën operacionet ushtarake dhe mirëkuptimit aktual midis Washingtonit dhe Teheranit.
Olmert tha se beson se “dera është e hapur” për një marrëveshje midis Izraelit dhe Libanit, duke shtuar se Izraeli duhet të tërhiqet nga jugu i Libanit si pjesë e negociatave me qeverinë libaneze.
“Nuk kemi nevojë për asnjë territor në jug të Libanit. Duhet të tërhiqemi plotësisht nga jugu i Libanit dhe të bëjmë të gjitha përshtatjet e nevojshme për një marrëveshje territoriale dhe duhet të përpiqemi të bëjmë paqe”, shtoi ai.
Ai tha se pritshmëritë se regjimi iranian do të shembej ishin jorealiste, duke argumentuar se Teherani ka përballuar sfida të mëdha gjatë dekadave dhe se supozime të tilla “nuk janë serioze”.
“Të dyja, SHBA-ja dhe Irani, duket se po kërkojnë një mënyrë të arsyeshme për ta rikthyer situatën në atë që ishte para se të fillonte lufta”, shtoi ai.
“Dhe iranianët patën shumë sukses”, tha ish-kryeministri izraelit, Olmert.
