Nir Hefetz thotë se Donald Trump mezi pret rrëzimin e Bibit në zgjedhjet e vjeshtës
Marrëdhënia mes kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentit amerikan Donald Trump është dobësuar ndjeshëm muajt e fundit, duke sinjalizuar një erozion të besimit mes dy aleatëve të vjetër politikë, sipas një ish-këshilltari të Netanyahut.
Nir Hefetz, ish-zëdhënës i kryeministrit izraelit, deklaroi për radion 103 FM në Izrael se Netanyahu “e ka humbur pozicionin e tij në sytë e njeriut të fortë në Uashington”, duke iu referuar Trumpit.
Sipas tij, raportet mes dy liderëve nuk janë prishur plotësisht, por po kalojnë një proces të ngadaltë ftohjeje.
Hefetz shtoi se Trump “nuk do të derdhte asnjë pikë loti” nëse ish-shefi i ushtrisë izraelite Gadi Eisenkot do të bëhej kryeministër në zgjedhjet e ardhshme, duke nënvizuar se ndryshimet politike në Izrael mund të ndikojnë edhe në qëndrimin e SHBA-së.
Mandati aktual i Knesetit përfundon në tetor, ndërsa zgjedhjet e reja pritet të zhvillohen pak javë më vonët. Ndërkohë, partia Likud e Netanyahut ka konfirmuar se ai do të jetë kandidat në garën elektorale, pavarësisht spekulimeve të ngritura nga deklaratat e fundit të Trump në një intervistë për ABC News, ku ai vuri në dyshim planet politike të kryeministrit izraelit.
Sipas Hefetz, shenjat e para të ftohjes u vunë re më 11 tetor 2025, gjatë një takimi në Tel Aviv ku morën pjesë i dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, dhëndri i Trump.
Ai tha se reagimi i publikut ndaj përmendjes së Netanyahut dhe sjellja e delegacionit amerikan ishin tregues të një ndryshimi të klimës politike.
“Ky ishte një sinjal se rrethi i Trumpit ishte lodhur nga manovrat e Netanyahut”- thotë Hefetz, duke shtuar se marrëdhënia mes tyre, edhe pse historikisht e afërt, po shfaq shenja konsumimi.
Ai theksoi gjithashtu se marrëdhëniet SHBA-Izrael nuk varen vetëm nga institucionet shtetërore, por edhe nga lidhjet personale mes liderëve, të cilat në këtë rast po duken gjithnjë e më të brishta.
Deklaratat vijnë në një moment tensioni të shtuar në rajon, pas raportimeve për përplasje mbi strategjinë në Liban dhe Iran.
Sipas medias izraelite Maariv, Trump dyshohet se e ka kritikuar ashpër Netanyahun gjatë një telefonate, duke e quajtur atë “mosmirënjohës” dhe duke e akuzuar për dëmtim të negociatave rajonale.
Rajoni mbetet i tensionuar pas përshkallëzimeve ushtarake të muajve të fundit mes Izraelit, Iranit dhe aleatëve të tyre, pavarësisht një armëpushimi të brishtë të arritur më 8 prill, i cili më pas u shoqërua me ngecje në negociata dhe incidente të reja në terren.
Analistët vlerësojnë se çdo ndryshim në raportet personale mes Trump dhe Netanyahut mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në balancat politike dhe të sigurisë në Lindjen e Mesme. \tesheshi.com\
