Sipas të dhënave të OKB-së, të cituara nga Amnesty International, të paktën 117 komunitete, kryesisht beduine dhe baritore, janë përballur me zhvendosje të plotë ose të pjesshme midis janarit 2023 dhe prillit 2026.
Amnesty International akuzoi Izraelin të mërkurën për përshpejtimin e një fushate të udhëhequr nga shteti për “spastrimin etnik” dhe zhvendosjen me forcë të palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar, në një raport të ri prej 150 faqesh që fokusohet te komunitetet beduine dhe baritore në Zonën C të territorit.
“Gjatë tre vjetëve e gjysmë të fundit, autoritetet izraelite kanë përshpejtuar një fushatë të sponsorizuar nga shteti për spastrimin etnik në Bregun Perëndimor, duke zhvendosur, shpronësuar dhe transferuar me forcë komunitetet palestineze”, tha në një deklaratë Agnes Callamard, sekretare e përgjithshme e organizatës.
“Kjo nuk është vepër e aktorëve të pakontrolluar apo e asaj që komuniteti ndërkombëtar e ka quajtur vazhdimisht kolonë ekstremistë, organizata apo një ose dy ministra. Ajo që po shohim është aneksim i qëllimshëm, i udhëhequr nga shteti, në shkelje të plotë të së drejtës ndërkombëtare, që po zhvillohet para syve të gjithë botës”, thuhet në raport.
“Komuniteti ndërkombëtar ose ka qenë bashkëfajtor, ose tepër pasiv përballë shkeljeve të përsëritura dhe të rënda të së drejtës ndërkombëtare nga Izraeli dhe shpërfilljes së rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Duhet të dërgojë qartë mesazhin se epoka e tolerimit të heshtur ndaj spastrimit etnik dhe aneksimit nga Izraeli ka përfunduar”, shtohet më tej.
Sipas të dhënave të OKB-së, të cituara nga Amnesty International, të paktën 117 komunitete, kryesisht beduine dhe baritore, janë përballur me zhvendosje të plotë ose të pjesshme midis janarit 2023 dhe prillit 2026.
Organizata theksoi se politikat izraelite kanë lehtësuar gjithnjë e më shumë zgjerimin e vendbanimeve kolone, konfiskimin e tokave dhe dhunën e kolonëve, duke krijuar kushte që detyrojnë palestinezët të largohen nga shtëpitë e tyre. Deri në prill 2026, të paktën 5.910 persona ishin zhvendosur me forcë.
Amnesty gjithashtu vuri në dukje rritjen e ndjeshme të posteve të kolonëve dhe shembjeve të ndërtesave, duke cituar 363 poste kolonësh të ngritura në Bregun Perëndimor, shumë prej tyre që nga viti 2023, si dhe shembjen e 3.407 shtëpive dhe strukturave palestineze midis viteve 2023 dhe 2026.
Raporti pretendon se ka prova të një politike të koordinuar shtetërore që synon “aneksimin formal” të Zonës C, pjesa e territorit që sipas Marrëveshjeve të Oslos mbetet nën kontroll të plotë civil dhe të sigurisë nga Izraeli dhe që përbën më shumë se 60 për qind të Bregut Perëndimor, së bashku me mbështetje financiare dhe politike për vendbanimet dhe transferim në rritje të kompetencave nga kontrolli ushtarak te ai civil.
Izraeli nuk iu përgjigj menjëherë akuzave kryesore të raportit, megjithëse një përgjigje e Ministrisë së Mbrojtjes, e cituar në raport, thotë se forcat veprojnë kundër dhunës së kolonëve dhe hetojnë rastet kur nuk ndërhyhet.
Amnesty tha se ka shqyrtuar 27 komunitete, ka intervistuar dhjetëra palestinezë dhe ka analizuar qindra fotografi dhe video.
Raporti gjithashtu kritikon Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa dega britanike e Amnesty i bëri thirrje qeverisë të ndalojë tregtinë e lidhur me vendbanimet dhe të vendosë sanksione më të gjera.
Kerry Moscogiuri, shefi ekzekutiv i Amnesty Internation për Britaninë, tha se “qëndrimi aktual i qeverisë britanike, që dënon vendbanimet kolone izraelite ndërsa vazhdon të lejojë tregtinë me to, jo vetëm që është i paqëndrueshëm, por po inkurajon autoritetet izraelite të përshpejtojnë fushatën e tyre brutale të spastrimit etnik në Bregun Perëndimor”.
