Nga Festim Rizanaj, PhD
Në epokën e mediave sociale dhe komunikimit të menjëhershëm, informacioni përhapet me një shpejtësi që dikur ishte e paimagjinueshme. Megjithatë, bashkë me shpejtësinë e informacionit është rritur edhe rreziku i keqinformimit. Kjo bëhet veçanërisht problematike kur informacionet lidhen me fenë, një fushë që prek identitetin, besimin dhe ndjenjat e thella të njerëzve. Në këtë kontekst, verifikimi i informacionit fetar në sferën digjitale nuk është vetëm një praktikë gazetareske apo akademike, por edhe një nevojë shoqërore dhe morale.
Në rrjetet sociale qarkullojnë shpesh citime të shkëputura nga konteksti, interpretime të shtrembëruara të teksteve fetare apo edhe lajme të rreme që pretendohen se lidhen me fenë. Një video e manipuluar, një citat i rremë apo një fotografi e nxjerrë jashtë kontekstit mund të krijojë brenda pak orësh një valë reagimesh emocionale dhe tensione shoqërore. Në shumë raste, këto përmbajtje përdoren për qëllime politike, propagandistike apo për të nxitur përçarje mes komuniteteve fetare.
Verifikimi i informacionit përgjegjësi e përdoruesve të mediave sociale
Verifikimi i informacionit është edhe përgjegjësi e çdo përdoruesi të mediave sociale. Çdo klikim, çdo shpërndarje dhe çdo koment mund të kontribuojë në përhapjen e së vërtetës ose, për fat të keq, të keqinformimit.
Në rrjetet sociale shpesh gjenden faqe që përdorin elemente fetare për t’i dhënë legjitimitet përmbajtjeve që publikojnë. Këto faqe mund të përfshijnë emërtime që përdorin terminologjinë islame, si Kuran, hadith, ose simbole fetare, por nuk ka informacion të qartë se kush qëndron prapa tyre. Si rezultat, ato nuk mund të merren si burime të besueshme për informacion fetar. Përmbajtja e tyre krijon një “mjegull informative” rreth çështjeve fetare, duke goditur autoritetin e dijes së vërtetë dhe duke ndikuar në perceptimin e besimtarëve dhe lexuesve.
Një shembull ilustrues së fundmi është përhapja në rrjetet sociale e një imazhi ku kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, shfaqet me Kuran në dorë, shoqëruar me pretendimin se në Spanjë është miratuar një rregull i ri sipas të cilit kushdo që fyen Profetin Muhamed (a.s) ose nuk respekton Kuranin dënohet me deri në 5 vjet burg. Verifikimi tregon se imazhi është i manipuluar dhe pretendimi i pavërtetë; një ligj i tillë nuk ekziston në Spanjë, ndërsa Kodi Penal parashikon vetëm gjoba për ofendimin e ndjenjave fetare, jo 5 vjet burg.
Në dekonstruksion të këtij shembulli, vërehen dy elementë thelbësorë: imazhi me Kuran në dorë dhe referenca e drejtpërdrejtë te Islami dhe Profeti Muhamed (a.s.). Për shkak të ndjeshmërisë së këtyre elementeve, përdoruesit shpesh nuk ndihen të autorizuar të verifikojnë informacionin, por e marrin të mirëqenë dhe e shpërndajnë me të tjerët. Kjo sjell një përhapje masive të keqinformimit dhe ndikon në formimin e perceptimeve të pasakta për fenë dhe besimtarët.
Në këtë peizazh informativ ka edhe keqinformime rreth statusit ose deklaratave të figurave fetare që nuk janë thënë realisht. Një citim i manipuluar, madje edhe pa asnjë burim të qartë, qarkullon si “fjala e dijetarit” në shumë grupe dhe kanale, duke mos dhënë asnjë mundësi për verifikim të pavarur. Këto raste jo vetëm deformojnë botëkuptimin e fesë, por edhe nxisin polarizim dhe ndarje brenda komuniteteve.
Një problem tjetër i madh në sferën digjitale është përdorimi selektiv i citateve fetare për të justifikuar qëndrime ideologjike apo politike. Shpesh citohen fragmente nga tekstet fetare pa kontekstin historik, interpretimin teologjik apo rrethanat në të cilat janë shpallur. Për shembull, një hadith apo një ajet nga Kuran mund të paraqitet i shkëputur nga dialogu i përgjithshëm, qëllimet morale të tij, ose ligji që ka krijuar rrethanën e shpalljes. Kjo mund të çojë në keqkuptime serioze dhe në krijimin e stereotipeve për një fe apo komunitet të caktuar, duke përhapur paragjykime dhe paragjykime që nuk kanë bazë. Për përdoruesit e zakonshëm të rrjeteve sociale, këto përmbajtje duken të besueshme sepse shoqërohen me elemente fetare dhe simbole autoritative, por në realitet ato janë dezinformata selektive që manipulojnë perceptimet.
Ndjeshmëria ndaj zhvillimeve në Lindjen e Mesme dhe përgjegjësia për verifikimin e informacionit
Në konfliktet ndërkombëtare, sidomos në Lindjen e Mesme, rrjetet sociale shpesh mbushen me imazhe dhe video që pretendojnë se tregojnë situatën në Gaza, Izrael, Iran apo tensionet ndërkombëtare midis SHBA/Izrael dhe Iranit. Shumë prej këtyre përmbajtjeve nuk lidhen realisht me ngjarjet aktuale; ato mund të jenë materiale të vjetra, të manipuluara ose të krijuara nga inteligjenca artificiale (AI). Megjithatë, për shkak të ndjeshmërisë fetare dhe emocionale që ato përmbajnë — referenca te Kuran, hadith, ose simbolika fetare, shumë përdorues i shpërndajnë pa verifikim, duke rritur përhapjen e keqinformimit.
Në praktikë, kjo do të thotë se edhe përmbajtjet që duken dramatike ose “të lidhura drejtpërdrejt” me ngjarjet reale shpesh nuk reflektojnë të vërtetën. Edhe pse disa përmbajtje janë reale, problemi kryesor mbetet keqinformimi: për shkak të volumit të madh të informacionit dhe emocionit që ato përmbajnë, përdoruesit shpesh nuk arrijnë të bëjnë dallimin mes realitetit dhe përmbajtjes së manipuluar.
Prandaj, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme si konflikti ose temat fetare, përdoruesit duhet të kenë parasysh se gjetja e informacionit të saktë kërkon një qasje aktive dhe kritike. Kontrolli i burimeve, kërkimi i kontekstit, krahasimi me informacione të besueshme dhe qëndrimi i gatshëm për të mos shpërndarë materiale para se të verifikohen janë të domosdoshme. Kjo nuk është thjesht një çështje teknike; është një përgjegjësi morale dhe shoqërore që ndihmon në ruajtjen e njësisë, drejtësisë dhe paqes në komunitet, duke kufizuar ndikimin e keqinformimit që shpesh përhapet përmes mediave sociale.
Parimet fetare për verifikimin e informacionit në raport me realitetin e mediave sociale
Parimet fetare për verifikimin e informacionit bëhen edhe më të qarta kur krahasohen me realitetin e sotëm të mediave sociale, ku informacioni shpesh përhapet më shpejt sesa verifikohet. Siç u theksua më sipër, në hapësirën digjitale qarkullojnë shpesh përmbajtje të pasakta, citime të manipuluara, imazhe të nxjerra jashtë kontekstit apo pretendime që lidhen me fenë dhe konfliktet ndërkombëtare. Kjo situatë e bën të domosdoshëm zhvillimin e një gjykimi kritik dhe të përgjegjshëm ndaj informacionit që lexojmë dhe ndaj mënyrës se si e shpërndajmë atë. Pikërisht në këtë pikë, udhëzimet e Kuranit dhe thëniet e Profetit Muhamed (s.a.v.s.) ofrojnë një kornizë etike dhe praktike për diskutimin dhe shpërndarjen e informacionit.
Në Suren El-Huxhurat (49:6) theksohet qartë nevoja për verifikimin e lajmit:
“O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm u sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë”.
Ky ajet nënvizon se çdo informacion që arrin tek një individ duhet të trajtohet me kujdes dhe të analizohet para se të besohet apo të shpërndahet. Në epokën digjitale, ku një postim viral mund të arrijë mijëra apo miliona njerëz brenda pak minutash, ky udhëzim është më aktual se kurrë. Ai paralajmëron për pasojat morale dhe sociale të përhapjes së lajmeve të rreme dhe tregon se përgjegjësia nuk përfundon tek konsumimi i informacionit, por edhe tek mënyra e diskutimit dhe shpërndarjes së tij.
Në këtë kontekst, Profeti Muhamed (s.a.v.s.) na la një hadith që lidhet direkt me epokën e rrjeteve sociale: “Njeriut i mjafton gënjeshtra sikur t’i rirrëfente të gjitha ato që dëgjon.” (Transmeton Muslimi)
Ky hadith është jashtëzakonisht i qartë: nuk ka nevojë ta shpikësh lajmin për t’u konsideruar gënjeshtar; mjafton ta shpërndash atë pa verifikim. Çdo individ që bëhet urë për përhapjen e një gënjeshtre bëhet pjesë e saj. Në një epokë ku shpejtësia e shpërndarjes së informacionit është prioritet për shumë përdorues, ky udhëzim ka një vlerë praktike të jashtëzakonshme: ai na mëson rëndësinë e maturisë dhe reflektimit përpara veprimit.
Profeti gjithashtu thekson se nxitimi për veprime pa mendim është i dëmshëm:
“Maturia (mos nxitimi) është prej Allahut, ndërsa nxitimi është prej shejtanit.” (Trasmeton Tirmidhiu)
Në kontekstin e rrjeteve sociale, kjo do të thotë se nxitimi për të klikuar “Share” pa lexuar ose verifikuar informacionin është pikërisht ai nxitim që prodhon kaos, përhap keqinformim dhe rrit tensionet brenda komuniteteve.
Kjo lidhet edhe me udhëzimet kuranore në Suren El-Isra (17:36): “Mos shko pas diçkaje për të cilën nuk ke dijeni. Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe zemra, të gjithë këta do të merren në përgjegjësi.”
Ky ajet forcon idenë se përgjegjësia individuale ndaj informacionit është e madhe. Çdo veprim që lidhet me marrjen, diskutimin dhe shpërndarjen e informacionit ka pasoja morale. Individët duhet të ndalojnë, të kontrollojnë burimet dhe të pyesin veten: “A e di me siguri se kjo është e vërtetë?” Nëse përgjigjja është “jo” ose “ndoshta”, zgjedhja më e mençur është heshtja dhe kërkimi i mëtejshëm i së vërtetës.
Kurani thekson gjithashtu rrezikun e përhapjes së lajmeve pa analizë nga autoritetet kompetente. Në En-Nisa (4:83), thuhet: “Kur atyre u vjen ndonjë lajm i rëndësishëm që ka të bëjë me sigurinë ose frikën, ata e përhapin (pa e vërtetuar mirë). Por, në qoftë se këtë lajm do t’ia përcillnin (për shqyrtim) të Dërguarit dhe parisë, hulumtuesit do ta merrnin vesh prej tyre (se çfarë lajmi duhet përhapur e çfarë jo)…”.
Ky ajet kritikon ata që nxitojnë të përhapin lajme, pa ia lënë specialistëve dhe njerëzve me autoritet të analizojnë informacionin. Në epokën digjitale, ku secili përdorues mund të bëhet shpërndarës i menjëhershëm, mesazhi është më i rëndësishëm se kurrë: informacioni duhet të analizohet dhe verifikohet nga burime të besueshme para se të shpërndahet. Ky është një udhëzim i qartë për përgjegjësinë individuale dhe kolektive ndaj fjalës dhe informacionit, duke ndihmuar në kufizimin e keqinformimit dhe polarizimit.
Një shembull praktik është incidenti i shpifjes (Ifk) në kohën e Profetit dhe En-Nur (24:12): “Kur e dëgjuat këtë përgojim, përse besimtarët dhe besimtaret nuk menduan mirë për njëri-tjetrin dhe të thoshin: ‘Kjo është shpifje e qartë’?!”
Mesazhi është i qartë: reagimi i parë nuk duhet të jetë përhapja e lajmit, por mirëbesimi dhe reflektimi, duke i dhënë përparësi mbrojtjes së nderit dhe dinjitetit të tjetrit. Në epokën digjitale, ku postimet që dëmtojnë reputacionin përhapen shpejt, ky parim është më i rëndësishëm se kurrë.
Përmbledhur, parimet fetare për verifikimin e informacionit, udhëzimet për diskutimin dhe thëniet e Profetit (a.s) ofrojnë një udhëzues të qartë për jetën digjitale: zhvillim gjykimi kritik, verifikim të burimeve dhe refuzim për të shpërndarë përmbajtje të pa verifikuara. Ky kombinim përgjegjësie morale dhe praktike ndihmon jo vetëm në ruajtjen e së vërtetës, por edhe në promovimin e një hapësire publike më të drejtë, më të ndershme dhe më të respektueshme ndaj të tjerëve.
Burimi: “Dituria Islame”
