Një metodë e njohur berishiste kundër protestave me “armiq të jashtëm”
Nga Adrian Thano
Për të mbuluar përmasat e aferës miliona metra katrorë në Zvërnec, makineria e propagandës ka vënë në punë skenarin më të vjetër dhe më të ndotur të tranzicionit shqiptar. Po tundin sërish shkopin e nacionalizmit të rremë.
Përdorimi i “rrezikut grek” apo fantazmave të tjera gjeopolitike për të justifikuar korrupsionin, favorizimin dhe dorëzimin e territorit tek privatë të panjohur është sa qesharak, aq edhe i rrezikshëm.
Kjo strategji të kujton fatkeqësisht vitin ’97, kur Sali Berisha përpiqej të ngrinte Veriun kundër Jugut, duke u thënë malësorëve se “po na sulmon Greqia”, e gjitha vetëm për të shpëtuar nga protestat karrigen e tij të thyer.
Sot, të përdorësh të njëjtat instrumente përçarëse dhe të sajosh armiq imagjinarë vetëm për të ndotur protestën dhe për të mbyllur gojën e kritikëve, është shprehja më e pastër e së njëjtës shkërdhatokraci berishiste në duart e pushtetit të sotëm.
Jugu i Shqipërisë dhe pasuritë e tij nuk janë monedhë shkëmbimi për interesa private dhe as fushëbetejë për skenarë të tillë të trashë.
Në vend që të sillet si burrë shteti, kryeministri ka zgjedhur të bëhet klouni i thashethemeve. Merret me lloj-lloj konspiracionesh, i fryn ato, i amplifikon dhe i sulmon me ironi të stisur nëpër ekrane. Pse e bën këtë? Sepse ushqimi i konspiracioneve dhe teprimeve mbi investitorët shërben si tymnajë e përkryer për të fshehur një të vërtetë shumë të thjeshtë.
Të cilën ai e di mirë, por refuzon ta thotë.
Pse ky projekt kaq gjigant duhet të fshihet pas një kompanie guaskë? Kush janë pronarët e vërtetë dhe përfituesit fundorë të këtyre miliona metrave katrorë tokë buzë detit shqiptar? Nëse gjithçka është e pastër, pse kryeministri nuk u jep fund spekulimeve me një fjali të vetme? T’i japë përgjigje pyetjes së thjeshtë: KUSH ESHTE PAS ZVËRNECIT?
Mungesa e transparencës nga ana e vetë kryeministrit është ajo që u jep krah dhe jetëson të gjitha konspiracionet dhe maskarallëqet online. Ose i përhap vetë dhe më pas kapet pas tyre për të bërë viktimën e sulmeve të imagjinuara. Me qëllim që opinioni publik të merret me formën, me zhurmën dhe me patriotizmin e rremë, duke ikur nga thelbi i vetëm që ka rëndësi.
Kryeministri ka detyrimin t’i nxjerrë të gjithë emrat sot. Por çfarë bën ai në vend të kësaj? Thotë që ka marrë 83 mandate dhe kjo i jep të drejtë të marrë vendimet që dëshiron. Aspak.
Një shumicë prej 83 mandatesh në Parlament të jep të drejtën legjitime për të qeverisur, por nuk të jep tapinë mbi territorin e Republikës.
Arroganca e numrave nuk mund të përdoret për të shkelur çdo normë etike, kombëtare dhe njerëzore. Tjetërsimi i 2.6 milionë metrave katrorë në Zvërnec nuk është një vendim administrativ. Nuk ia ka lënë babai asnjë kryeministri, i cili sot është, e nesër nuk është, as detin, as rërën, malet apo pyjet e këtij vendi.
Ka një kufi të prerë, kushtetues dhe moral, ku numrat e kartonave humbasin çdo vlerë përpara interesit publik.
Po kthehen në normë këto thika pas shpine ndaj pasurisë kombëtare, të bëra në errësirë të plotë. Ndaj sot në sheshe është derdhur rinia. E cila po na kujton edhe diçka tjetër. Që ky pushtet i ka marrë ato 83 mandate që i tund si flamur pushtuesi, përpara se të shpërthenin rastet e fundit të korrupsionit galopant.
Nëse kryeministri dëshiron vërtet të matet me realitetin dhe të dijë se sa mandate ka sot pasi mijëra njerëz janë derdhur në shesh për të mbrojtur dinjitetin, le të ketë guximin e të shpallë zgjedhje të reja.
Koha e fshehjes pas kartonave të votës ka mbaruar. /Gazeta Dita/
