Morali, i pazëvëndësueshëm në vlerë që botës i mungon dhe që Islami me shumicë e ofron!
Ishte ndër ata gjuhëhidhur ndaj Islamit dhe muslimanëve, me të njëjtën qasje paragjykuese, ku më e pakta i gjykonte sipërfaqësisht dhe më e shumta gjykonte me në mënyrë klishe, me etiketime të fabrikuara, pra, pa qenë të paktën origjinal në atë që thoshte, plot urrejtje.
Por tashmë pendohet, sepse ia sjellë Zoti ai argument mu në atë që i dhemb më shumë, paranë, se ç’është një musliman, se ç’moral i dikton besimi.
Quhet Gen Nanaj dhe publikisht u kërkon ndjesë muslimanëve, pas dy përvojave të ngjashme me ta, ku i dalin asish që nuk i kishte menduar.
Është një kërkimfalje që dhe hoxhallarët mund ta marrin si lëndë të parë për hutben e xhumasë më të afërt, për t’u kumtuar besimtarëve se morali, ka qenë, është e do të jetë, arma e vërtetë e Islamit, si kumti i vetëm qiellor i Zotit të gjithësisë për njerëzit.
I nderuar mysliman!
Fillimisht të kërkoj FALJE për ndonjë fjalë të tepër që jam shprehur kundër fenomenit “politik” të islamizmit të ri. Kush më njeh, e di shumë mirë që rezervat dhe kritikat e mia nuk i kam me individin, por me ideologjinë e “islamizmit poltik” si fenonem i përgjithshëm negativ. Kjo ndjesë është shumë e sinqertë, e thellë dhe e pastër sipas kodikeve tona shqiptare. Dhe patjetër ka në pasojë reflektimit tim personal për të ardhmen.
Pse?
Në këtë moment që po shkruaj, jam pak i emocionuar nga xhesti i çunave të lagjes që unë nuk i njoh, por me gjasa më njohin ata mua. Më saktë, nga xhesti fisnik i njërit nga a’ta që më ktheu të plotë Portofolin që e humba sot para pallatit, rënë nga xhepi diku midis kazanit të plehrave dhe makinës me qera. Burri që ma ktheu, gjetësi, kishte mjekërr myslimane por me tiparet tipiket e sivëllaut të mirë shqiptar.
Historiku
Nuk e dija se më kishte humbur Portofoli, e vura re gati pas një ore kur “u turpërova” në kafene. Me nxitim u ktheva në shtëpi ta kërkoja, edhe pse isha i sigurtë që portofolin e kisha futur në xhep kur dola. Alarmova edhe ata të shtëpisë, por me të mbërritur para pallatit, njëri nga çunat e lagjes që e shoh 24 orë para hyrjes tek kafeneja, më jep në dorë Kartën e Identitetit tim, gjermane. “E gjetëm të hudhur në qoshe”, më thanë. Unë nuk e njihja, por ata i ke gjithë ditën “dezhurn” aty te hyrja dhe të njohin ata. Aty kuptova se portofolin e kisha humbur vërtetë dhe “u bëra tym”. Mendova se dikush e kishte gjetur, kishte marrë lekët dhe me gjasa kishte hedhur kartatat sa andej këndej. Në portofol kisha të gjithë kartat e rëndësishme, inkl. ato bankare, patenta, kart-identiteti i punës si Av. dhe lekët, diku tek 130 mijë lekë. Pasi bllokoj me celular kartat bankare, shkoj në rajon dhe bëj denocim për të pasur një vërtetim mbi patentën. – E detyrueshme kjo në gjermani kur të humbet, që të mund të nxjerrësh pa gjobitje patentë të re. Kur kthehem me vërtetimin në xhep, më dalin çunat nga të gjithë cepat e lagjes dhe më thonë se portofolin e kishin gjetur. Personi që e kishte gjetur po pinte kafe aty te hyrja e pallatit tim. Shtanga. I afrohem tavolinës, e shoh personin me mjekërr dhe ai më dorëzon portofolin me fjalët: “Më thanë çunat e lagjes që je çun mirë dhe nga kartat mu duke serioz”. E kapa në qafë, më emocionoi dhe nuk e kisha mendjen te portofoli se sa tek gjesti i tij. I ofrova 50 mijë nga Portofoli për respekt, nuk i pranoi.
Pse kërkoj falje me titullimin “mysliman”?
Gjatë gjithë jetës nuk kam humbur kurrë portofol, përveçse një here të vetme para dy vjetësh në korrik dhe në Frankfurt. Kam bërë një status për këtë rast. Atëkohë, më kishte rënë portofoli nga xhepi në një stacion autobusi kur përcolla dikë për në shqipëri. Në atë portofol kisha plot mbi 1600€! Rrallë mbaj aq shumë në portofol, por ashtu ishte puna. E vëj re humbjen e Portofolit vetëm kur kthehem në shtëpi. I sigurtë që mund të më kishte humbur vetëm te stacioni autobusave ndërkombetarl, i jap gaz makinës dhe shkoj atje. Një mision i pamundur sepse aty pranë stacionit kryesor të trenit, hipin e kalojnë mijëra e mijëra udhetarë në orë. Sa mbërrij, pyes te sporteli për kamerat e stacionit. Sportelisti, dukshëm një mysliman me origjinë, më thotë se dikush, po mysliman si person, e kishte gjetur portofolin para se të hipte në autobus dhe e kishte dorëzuar te sporteli, pa prekur asnjë cent! Mbeta pa fjalë, aq më tepër që nuk isha edhe aq në terezi nga nervat e ditës. E falenderova dhe i kërkova incialet e personit që ta falenderoja personalisht, por nuk i kishte as ai.
Reflektim
Me “fatin” e sotëm u bënë dy raste ku, në të dy herët e humbjes së portofolit, ata që e kanë gjetur ishin myslimanë dhe nuk “vodhën” asgjë, edhe pse mundeshin. Kjo për mua, nuk është më thjeshtë rastësi. Nuk është çështje morali ligjor dhe as “detyrim” për të bërë mirë. Por sipas kutit tim, qartësisht ka lidhje me besimin fetar dhe edukatën e tij. Gjesti i tyre më detyron për reflektim, nuk kam fat sepse “jam njeri i mirë”, diçka tjetër është në veprim. Ka të bëjë me ta, dhe feja luan një rol, padyshim!
