Bujaria në dije është ndër nivelet më të larta të bujarisë

Më të lexuarat

✍ Ibn Kajim ka thënë:

“Bujaria në dije dhe dhënia e saj është ndër nivelet më të larta të bujarisë. Bujaria me të është më e vlefshme sesa bujaria me pasuri, sepse dija është më fisnike se pasuria.

Njerëzit në bujarinë e tyre me të (dijen) janë në nivele të ndryshme. Dituria e Allahut dhe caktimi i Tij i plotfuqishëm kanë përcaktuar që prej saj (dijes) të mos përfitojë kurrë një person koprrac.

Prej formave të bujarisë me dijen është: t’ia japësh atë edhe atij që nuk të ka pyetur fare, madje t’ia ofrosh e t’ia shtrosh përpara.

Gjithashtu, prej bujarisë me dijen është: që kur pyetësi të bëjë një pyetje për një çështje, ti t’ia shtjellosh përgjigjen plotësisht dhe në mënyrë shëruese (shteruese), e jo të jetë përgjigjja sa për të hequr nevojën imediate – siç shkruanin disa në përgjigjet e fetvave vetëm «Po» ose «Jo», duke u mjaftuar me aq.

Lidhur me këtë, unë kam parë tek Shejkhul-Islam Ibn Tejmije diçka të çuditshme: Kur pyetej për ndonjë çështje juridike (fikhu), ai përmendte në përgjigjen e saj medhhebet e katër imamëve nëse kishte mundësi, burimin e mospajtimit, përzgjedhjen e mendimit më të saktë, si dhe përmendte çështjet e ndërlidhura me të, të cilat ndoshta ishin më të dobishme për pyetësin sesa vetë pyetja e tij fillestare. Kështu, gëzimi i pyetësit për ato çështje të ndërlidhura dhe plotësuese ishte më i madh sesa gëzimi për vetë çështjen që pyeste. Këto ishin fetvatë e tij mes njerëzve; kush dëshiron ti shohë, do ta vërtetojë këtë gjë.

Pra, prej bujarisë së njeriut me dije është: që ai të mos mjaftohet vetëm me çështjen e pyetësit, por t’i përmendë atij analogjinë e saj, ndërlidhjen dhe burimin e saj, në atë mënyrë që ta shërojë (përmbushë) dhe t’i mjaftojë.

Sahabët (shokët e Profetit) – Allahu qoftë i kënaqur prej tyre – e patën pyetur Profetin ﷺ për marrjen abdes me ujin e detit, dhe ai u tha: “Uji i tij është i pastër (dhe pastrues), ndërsa e ngordhura e tij është e lejuar (hallall).
Ai i dha përgjigje pyetjes së tyre dhe u dhuroi me bujari një gjë për të cilën ata, në kohë të ndryshme, mbase kishin më shumë nevojë sesa për atë që e pyetën.
Gjithashtu, kur e pyesnin për ndonjë gjykim, ai u tërhiqte vëmendjen tek shkaku (il-leti) dhe urtësia e atij gjykimi. Siç ishte rasti kur e pyetën për shitjen e hurmës së freskët (rutab) me hurmë të tharë (temr)?
Ai tha: A pakësohet hurma e freskët kur thahet?. Ata thanë: Po. Ai tha: Atëherë jo (nuk lejohet).
Profeti ﷺ jo se nuk e dinte pakësimin e hurmës së freskët me tharjen e saj, mirëpo ai dëshironte t’u tërhiqte vëmendjen tek shkaku (il-leti) i gjykimit. Dhe kjo ishte shumë e shpeshtë në përgjigjet e tij ﷺ, siç është thënia e tij: Nëse i shet vëllait tënd ndonjë fryt (pemë) dhe atë e godet ndonjë fatkeqësi natyrore, nuk të lejohet të marrësh asgjë nga pasuria e vëllait tënd. Mbi çfarë baze (të drejte) merr ndonjëri prej jush pasurinë e vëllait të tij pa të drejtë?.
Në një formulim tjetër: Më thoni, nëse Allahu e ndalon frytin, mbi çfarë baze merr ndonjëri prej jush pasurinë e vëllait të tij pa të drejtë?
Ai e deklaroi hapur shkakun për të cilin ndalohet detyrimi i tij për të paguar çmimin, e që është ndalimi i frytit nga ana e Allahut, gjë në të cilën blerësi nuk ka asnjë dorë.

Ndërsa kundërshtarët e tij [domethënë të Ibn Tejmijes] e qortonin atë për këtë gjë dhe thoshin: E pyet pyetësi për rrugën e Egjiptit, për shembull, ndërsa ai i përmend bashkë me të rrugën e Mekës, Medinës, Horasanit, Irakut dhe Indisë; e çfarë nevoje ka pyetësi për të gjithë këtë?!
Por për Zotin, kjo nuk është e metë (e keqe)! E meta e vërtetë është padituria dhe mendjemadhësia, dhe ky është vendi dhe rasti ku duhet përdorur fjala e urtë dhe e njohur:
E quajtën të thartë, ndërsa ai është i ëmbël…
si ai që nuk arriti dot te kalaveshi i rrushit.

📚 “Medarixh es-Salikin” 6/3-9.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit