Nga pyetja “Cili medhheb je?” te përgjigja e Kur’anit: “Ai ju quajti muslimanë” – Jahja Hondozi

Më të lexuarat

“Pitaj ga koji je mez’heb”/”Pyete çfarë medhhebi është”, e dëgjova nëpërmjet telefonit një vëlla boshnjak i cili po i thoshte kushës tim me ma bë këtë pyetje, ndërkohë që po i shijoja rrezet e diellit në mëngjesin e xhumasë së kaluar pranë liqenit të bukur suedez në qytetin Jönköping.
Pasi e përfundoi bisedën me vëllaçkon boshnjak, ia sqarova me pak fjalë kushës tim “muhabetin e medhhebeve”.
Nuk e zgjata shumë.
2-3 minuta.
Ata që m’njohin, e dinë shumë mirë se këto tema fort t’nxehta t’cilat ne kemi shumë qef me “ua shti fitilin”, unë fort pëlqej me ua qit kapakun.

Edhe ma parë, herë-herë, m’kanë pyet edhe vazhdojnë me m’pyet se cilit medhheb i përkas unë.
Jam përgjigj shumë shkurt “El-Haxh: 78”.
Vëllaçkoja boshnjak me pyetjen e tij veç e ka përforcu përzgjedhjen e temës sime për hutbe të xhumasë së kaluar:
“Ai ju quajti muslimanë” (El-Haxh: 78)

E kam parasysh që muslimanët në shqiptari ndjekin medhhebin hanefi, në Saudi – hanbeli, e gjetiu maliki e shafi’i.
E di vëllaçko, e di fort mirë që shejh Feuzanin e kanë pyet për emërtimin “selefi”, që dikush me e quajt veten sot kështu dhe e konfirmu se një gjë e tillë është në rregull.
E di, shumë mirë e di edhe librin e Ibn Rexhebit, ku argumenton bindshëm ndjekjen e njërit nga katër medhhebet, duke i kritikuar fort jomedhhebistët.
(Librin madje kam nis me e përkthy në shqip).

Këto nuk janë tema trajtimi e diskutimi, kështu që kurseji gishtat nga komentimi!

Hutbeja ime e xhumasë së kaluar kishte të bënte me nevojën tonë shumë të madhe për lidhjen me Kur’an dhe bashkimin rreth konceptit “islam/muslimanë”.
Në Kur’an ka plot ajete të cilat janë vetvetiu të qarta, krejt të drejtpërdrejta.
E një ajet i tillë është edhe ajeti i fundit i sures el-Haxh:

“وَجَاهِدُوا فِي اللَّهِ حَقَّ جِهَادِهِ ۚ هُوَ اجْتَبَاكُمْ وَمَا جَعَلَ عَلَيْكُمْ فِي الدِّينِ مِنْ حَرَجٍ ۚ مِّلَّةَ أَبِيكُمْ إِبْرَاهِيمَ ۚ هُوَ سَمَّاكُمُ الْمُسْلِمِينَ مِن قَبْلُ وَفِي هَٰذَا لِيَكُونَ الرَّسُولُ شَهِيدًا عَلَيْكُمْ وَتَكُونُوا شُهَدَاءَ عَلَى النَّاسِ ۚ فَأَقِيمُوا الصَّلَاةَ وَآتُوا الزَّكَاةَ وَاعْتَصِمُوا بِاللَّهِ هُوَ مَوْلَاكُمْ ۖ فَنِعْمَ الْمَوْلَىٰ وَنِعْمَ النَّصِيرُ” (الحج: ٧٨)

~Dhe përpiquni fort për Kauzën e Allahut, me hak.
~Ai ju ka zgjedhur dhe nuk ju ka vënë asnjë barrë në fenë tuaj, fenë e babait tuaj, Ibrahimit.
~Ai ju ka quajtur juve muslimanë qysh më parë dhe në këtë (Kur’an), me qëllim që i dërguari të jetë dëshmitar mbi ju dhe që ju të jeni dëshmitarë mbi njerëzit e tjerë.
~Prandaj, përsoseni namazin, jepni zeqatin dhe mbështetuni tek Allahu!
~Ai është Mbrojtësi juaj.
~E sa Mbrojtës dhe Ndihmës i mrekullueshëm është Ai!
(El-Haxh: 78)

Porositë e hutbes:

1. “Ai ju quajti MUSLIMANË” – jo suni, hanefi, selefi, hanbeli, sufi …
Si ia lejoni vetes që Allahu zgjodhi për ju emërtimin “muslimanë”, ndërkohë që ju ia ngjisni vetes llojlloj emrash…

2. Islami nuk është feja më e re, sikurse mendohet gabimisht.
Ibrahimi alejhisselam ishte musliman
(Ali Imran: 67)
Musa alejhisselam ishte musliman (Junus: 84)
Jusufi alejhisselam ishte musliman (Jusuf: 101)
Të gjithë pejgamberët, pa përjashtim, ishin muslimanë:
إن الدين عند الله الإسلام (آل عمران: ١٩)
“Vërtet, feja tek Allahu është Islami” (Ali Imran: 19)

3. Në kohën aktuale, fatkeqësisht jemi dëshmitarë të grupimeve dhe ndasive të llojllojshme të vëllezërve muslimanë me emërtime të ndryshme.
Thirrje e sinqertë për të gjithë që të dalin nga këneta e grupimeve/ndasive të ngushta, përndryshe do ta humbim veten dhe davetin tonë!

4. Islami thërret në organizim të thirrjes, jo në thirrje të organizimit.
Uji i pijshëm është ai i cili nuk ka as shije, as ngjyrë dhe as erë. Po kështu, edhe besimtari i mençur e vigjilent duhet të largohet gjithmonë nga çdolloj turbullire dhe të qëndrojë në pastërti/kthjelltësi.

5. Ne, muslimanë, kemi 95% elemente të përbashkëta mes vete, ndërsa vetëm 5% elemente të divergjencave në çështje të vogla dhe vazhdojmë të kapemi “për fyt” rreth pesëpërqindëshit.
Fetë e tjera kanë vetëm 5% elemente të përbashkëta mes tyre, ndërsa 95% – elemente të divergjencave të mëdha dhe çuditërisht janë të bashkuar rreth pesëpërqindëshit, duke i lënë anash mospajtimet mes tyre, pasi që caku është i njëjtë – “shembja e Islamit”.

6. Diagnoza jonë vazhdon me qenë e njëjtë: “Largimi ynë nga Kur’ani” dhe ilaçi ynë vazhdon me qenë i njëjtë: “Kthimi ynë te Kur’ani”.

Allahu na forcoftë në fenë e Tij të drejtë, meqë jetojmë në kohëra fitnesh të mëdha🤲

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit