Kulla dhe xhamat – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Pjesa më e madhe e kundërshtive që kanë sot në botë ndaj Islamit, lidhen me derivatet e tij sociale dhe vijnë si pasojë e perceptimit të ndryshëm kulturor modern ndaj tij. Ato shumë pak lidhen me themelin konceptual dhe botëkuptimor të Islamit mbi Zotin, botën dhe njeriun.

Por, pse ata që e gjykojnë keq Islamin, e nisin dhe e përfundojnë pikërisht vetëm nga disa prej normave të tij sociale apo ligjore, që kanë lidhje me gruan ose disa ndëshkime penale, dhe nuk e fillojnë nga tërësia e tyre botëkuptimore dhe parimet bazike doktrinore ku ato mbështeten?

Pse nuk e nisin në fakt që nga themeli fillestar, nga A-ja e çdo gjëje, që nga doktrina mbi Zotin, mbi botën, mbi njeriun, e që janë themeli i çdo botëkuptimi njerëzor, por e nisin nga fundi?

E thënë ndryshe a është më logjike të nisësh ta gjykosh Islamin nga doktrina e tij monoteiste që ai beson, ku Zoti për të është tërësisht transcendent, unik në qenien dhe atributet e Tij, i pashembullt, i pa transformueshëm në krijesa apo qenie njerëzore, i palindur dhe i pavdekshëm dhe absolutisht i parivalizueshëm nga askush, i Gjithëditur, i Gjithëfuqishëm dhe i Gjithmëshirshëm… apo t’ia nisësh nga mbulesa e gruas dhe poligamia?!

E para është themeli i themelit të doktrinës islame, ndërsa e dyta normë etike sociale, brenda një konteksti më të gjerë konceptual mbi shoqërinë dhe marrëdhëniet ndër njerëzore.

Kështu që t’ia nisësh nga fundi për të gjykuar më pas themelin është mendjelehtësi fëmijësh ose dashakeqësi e qëllimshme, që synon të errësojë arsyen përmes ngacmimit paraprak emocional për çështje dytësore, në mënyrë që t’i mbyllen sytë njerëzve për të parë më tej tek ato që janë më të rëndësishme dhe themelore në Islam.

Ndërkohë nuk ka asnjë doktrinë fetare apo ideologjike, qoftë në lindje apo perëndim, që të rivalizojë apo të barazohet me racionalitetin superior të Islamit në themelet e tij. Kështu që kjo është një nga arsyet kryesore përse betejën me Islamin e nisin nga fundi dhe jo nga fillimi, ku debati është më i vështirë dhe i pamundur të fitohet.

Një kulle që nuk ia thyejnë dot themelet a mund ta rrëzojnë duke ia goditur xhamat e saj?!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit