A do e shesë Trump Tajvanin?

Më të lexuarat

I dëshpëruar për një sukses diplomatik pas kaosit me luftën, presidenti amerikan mund të bëjë gjithçka…

Në horizontin e trazuar të politikës globale, një tjetër aleat kyç i Shteteve të Bashkuara po ndjen ftohtësinë e pasigurisë që buron nga Zyra Ovale. Ishulli i vogël i Tajvanit, një bastion i demokracisë dhe teknologjisë në pragun e Kinës, ka arsye legjitime për t’u dridhur.

Pyetja që qarkullon në korridoret e pushtetit në Taipei është e thjeshtë, por rrëqethëse: A do të sakrifikohet liria e tyre në altarin e një “marrëveshjeje të madhe” mes Donald Trump dhe Xi Jinping?

Pekini nuk mund të ishte më i kënaqur. Për Xi Jinping, Tajvani nuk është thjesht një çështje gjeopolitike, por një mision civilizues. “Vullneti i popullit kinez për ribashkim është i pandalshëm”- ka deklaruar ai, duke e bërë këtë kauzë personale.

Nga sytë e një planifikuesi ushtarak, distanca mes Kinës kontinentale dhe Tajvanit duket tmerrësisht e vogël. Portet e Xiamenit, ku Xi nisi karrierën e tij, janë pothuajse në distancë shikimi nga ishujt e kontrolluar nga Tajvani.

Në këtë korridor të ngushtë ku kryqëzohen anijet tregtare dhe ato luftarake, marzhi i gabimit është zero. Në samitin e Pekinit, tavolina është e mbushur me kriza: Irani, Ukraina, inteligjenca artificiale dhe lufta tregtare.

Por për Kinën, “karta e Tajvanit” është kryesorja. Diplomatët veteranë vërejnë se Pekini beson se Trump po e dobëson Amerikën nga brenda, duke krijuar momentin perfekt për të ushtruar presion.

Në mandatin e parë, “skifterët” e administratës Trump bënin thirrje për një angazhim të hekurt ushtarak për të ruajtur supremacionin amerikan në Azi. Sot, ato aspirata duket se janë venitur në heshtje.

Trump, gjithnjë në kërkim të “Artit të Marrëveshjes”, ka filluar të përdorë një gjuhë tjetër. Ai e quan Xi-në “mik” dhe ka lënë të kuptohet se mbështetja ushtarake prej miliarda dollarësh për Tajvanin mund të jetë pjesë e një negocimi më të gjerë.

Deri më tani, doktrina e “paqartësisë strategjike” e ka ruajtur paqen: SHBA-ja e ndihmon Tajvanin të mbrohet, por pa u zotuar hapur për luftë. Por frika në Taipei është se Trump mund të ndryshojë terminologjinë diplomatike. Pra një lëshim semantik që për Pekinin do të thoshte dritë jeshile për aneksim.

Ndërkohë që Japonia, nën udhëheqjen e re konservatore, po forcon muskujt ushtarakë dhe po kryen stërvitje me raketa kundër-anije për të simuluar sprapsjen e një pushtimi kinez, Trump duket i përqendruar në një tjetër lloj teatri.

I dëshpëruar për një sukses diplomatik që do të “shlyente” kaosin e luftërave aktuale, ai mund të shohë te Tajvani një monedhë këmbimi. Prandaj për 23 milionë banorët e ishullit, ky nuk është thjesht një diskutim tregtar për gjysmëpërçuesit apo tarifat. Është çështje ekzistence.

Nëse Trump vendos se një “paqe” e rreme me Kinën vlen më shumë se mburoja e një demokracie të largët, Tajvani mund të mbetet i vetëm përballë dallgëve të pandalshme të Pekinit. Pyetja mbetet: sa kushton besnikëria e Amerikës në epokën Trump? \tesheshi.com\

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit