“Nuk mund ta ulim vigjilencën. Ne gjithmonë do të bëjmë atë që është e nevojshme për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”, tha Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, të mërkurën e përshkroi “NATO-n 3.0” si një vizion për “një Evropë më të fortë në një NATO-je më të fortë”, duke theksuar se aleanca transatlantike mbetet e bazuar në bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara, ndërsa u kërkon aleatëve evropianë të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre konvencionale, raporton Anadolu.
Pas takimit të Nëntëshes së Bukureshtit (B9), Rutte tha se Rusia mbetet “kërcënimi më i madh dhe më i drejtpërdrejtë” për aleancën për shkak të luftës së saj në Ukrainë.
“Nuk mund ta ulim vigjilencën. Ne gjithmonë do të bëjmë atë që është e nevojshme për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”, tha ai, duke theksuar forcimin e masave të parandalimit dhe mbrojtjes përgjatë krahut lindor të NATO-s dhe në Veriun e Lartë.
Rutte tha se aleanca tani duhet të rrisë më tej kapacitetet ushtarake, prodhimin e mbrojtjes dhe shpenzimet para samitit të këtij viti të NATO-s në Ankara.
Duke shpjeguar konceptin “NATO 3.0”, Rutte tha se modeli parashikon “një Evropë më të fortë në një NATO më të fortë”, me SHBA-në që vazhdon të ofrojë mbështetje bërthamore dhe konvencionale, ndërsa anëtarët evropianë marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen konvencionale.
Rutte vlerësoi sërish presidentin amerikan Donald Trump për shtyrjen e aleatëve që të rrisin shpenzimet e mbrojtjes, duke e quajtur samitin e NATO-s të vitit të kaluar në Hagë “një nga sukseset më të mëdha të politikës së jashtme” të presidentit amerikan.
Ai vuri në dukje se disa vende të NATO-s po planifikojnë tashmë të tejkalojnë objektivin prej 5 për qind para vitit 2035.
Duke folur mbi shqetësimet për shkak të tensioneve midis Washingtonit dhe disa aleatëve evropianë lidhur me sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, Rutte pranoi “zhgënjim në Shtetet e Bashkuara” për reagimet e disa aleatëve, por tha se vendet evropiane “e kanë marrë mesazhin”.
“Ne po punojmë vërtet së bashku për këtë”, tha ai, duke përmendur bashkëpunimin për sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, përfshirë operacionet e çminimit dhe vendosjen paraprake të aseteve ushtarake.
Duke iu kthyer luftës Rusi–Ukrainë, ai theksoi nevojën për vazhdimin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën ndërsa priten negociata kuptimplota për paqe.
“Duhet të them se topi është qartësisht në fushën e presidentit rus Vladimir Putin. Ai duhet të luajë. Ai nuk po e bën ende… duhet të jetë i gatshëm të angazhohet realisht në negociata paqeje”, tha Rutte.
